Bashkim Koçi/ Petrit Zeneli heton “Masakrën e Panaritit”

1126
Sigal

Skenat që paraqiten janë tronditëse dhe për dhimbjen që të shkaktojnë, të diktohet edhe pyetja: more, ç’ patën grekët me ne shqiptarët?

U desh plot një shekull që, më në fund të dilte një historian, Petrit Zeneli, për t’ i bërë “hetim” e “skanim” të plotë masakrës që bënë andartët grekë në krahinën e Vakëfeve, e cila, më shumë se të gjithë fshatrat e tjerë, gjakosi Panaritin. Në librin “Masakra e Panaritit”, i cili doli në treg këto ditë, jepen plot hollësira rrënqethëse, shekspiriane, gati-gati të pabesueshme, rreth asaj çka ka ngjarë më 10 korrik të vitit 1914 në Panarit të Korçës. Aty, në këtë fshat të bekuar nga Zoti, të banuar me njerëz nga më paqësorët në botë, u kryen vepra mizore, nga ato që nuk mund t’ u shkojë ndër mend as qenieve shtazë. “Masakra e Panaritit”, është një ndër ata libra që përcjell tek lexuesi, por edhe tek historianët e studiuesit seriozë, fakte të dokumentuar, autentikë, si të nxjerrë “të gjallë” nga një botë e vdekur, por që pas një leximi të vëmendshëm të tronditin shpirtin, të bëjnë të përpëlitesh e të prishin gjumin. Me plot pasion e këmbëngulje, autori ka mundur të gjejë e të na japë hollësira për atë ngjarje të papërsëritshme të çmendurisë njerëzore, e që për fat të keq e kanë bërë fqinjët tanë grekë. Mënyra sesi është pasqyruar ngjarja, por veçanërisht dokumentet që janë sjellë rreth kësaj teme, e cila trajtohet pas një shekulli, na lind e drejta të themi se janë bërë përpjekje maksimalisht të mundshme për t’i thënë të vërtetës, e vërtetë dhe historisë, histori. Petrit Zeneli, ashtu siç duhet të jetë një historian serioz i besueshëm, si nga lexuesi i thjeshtë, ashtu dhe nga kolegët, e ka marrë punën shtruar, me themel, për të mos lënë gjë pa thënë lidhur me masakrën e Panaritit, të cilën, deri tani, e kish zënë pluhuri i harresës. Aty, faqe pas faqeje, të shfaqen ngjarje tmerruese, të frikshme, që nuk mund të gjejnë vend në imagjinatën e njeriut. Për më tepër në fletët e këtij libri historik e zeza shkruhet mbi të bardhë, gjithçka është kryer me ndërgjegje, me gjakftohtësi, në mos me pasionin e çmendur të njerëzve anormalë. Autori ka arritur të gjejë e të sjellë tek ne lexuesit skena e ngjarje të padëgjuara në rruzullin e Dheut, absolutisht jashtë çdo logjike njerëzore. Atë ditë, pra gjatë kryerjes së masakrës, nuk janë përdorur armët, nuk është dëgjuar asnjë krismë apo të jetë gjetur ndonjë plumb. 365 burra, gra e fëmijë kanë gjetur vdekjen nga përdorimi thikave, sëpatave, çdo gjë e mprehtë metalike. Skenat që paraqiten janë tronditëse dhe për dhimbjen që të shkaktojnë, të diktohet edhe pyetja paksa llogari-kërkuese: more, ç’ patën grekët me ne shqiptarët? Si për koincidencë, kur lexon librin “Masakra e Panaritit”, të vijnë ndërmend masakrat e ushtrisë serbe në Kosovë. Në “Masakra e Panaritit”, autori nuk lë vend për të hamendësuar, apo për të vënë në dyshim faktet që sjell, autorët që kanë shkruar rreth kësaj ngjarjeje, mesazhet që përcjell për studiuesit, historianët dhe qeveritë që kanë drejtuar vendin. Nëse do të thoshim diçka figurativisht për këtë libër, historiani Petrit Zeneli, “i ka rënë botës qark” për të sjellë, plot pas një shekulli, ca të vërteta të dhimbshme, tronditëse, zërin që na gjëmon tek veshi “mos harroni historinë!”. Ky zë kumbon jo thjeshtë për të bërë homazh ndaj 450 viktimave të pafajshëm, martirëve panaritas, por sepse ai gjak burrash, grash dhe fëmijësh duhet të jetë sot e mot, “bojë për të shkruar” historinë e vërtetë të marrëdhënieve me fqinjët, për t’ ju thënë atyre edhe nëpërmjet librave, madje vetëm nëpërmjet librave, sjelljen si pushtues, si racë që na kanë bërë vetëm të zeza, që na kanë sjellë vetëm zi. Ne, shqiptarët, kurrë nuk u kemi rënë më qafë të tjerëve. Madje, nuk kemi pasur dhe nuk e kemi ndjenjën e urrejtjes, pa lëre pastaj të marrim mizorisht jetë njerëzish. Shqiptarja e madhe, Nënë Tereza, dikur ka thënë diçka për marrëzinë e luftës: “Nuk kam qenë kurrë në luftë, por kam parë urinë dhe vdekjen. Dhe pyesja veten: Çfarë ndjejnë ata që e shkaktojnë luftën? Nuk e kuptoj! Të gjithë janë fëmijë të Zotit! Pse e bëjnë? Nuk e kuptoj!”. Lexuesi, pasi të ketë mbaruar së lexuari “Masakra e Panaritit” të Petrit Zenelit, jam i bindur që do të pyesë veten: Përse e kanë bërë grekët këtë masakër ndaj një populli të pafajshëm, panaritasve? Dhe do të përgjigjet po vetë: Nuk e kuptoj!