Bashkim Koçi/Pavllo Gjidede, përmasat njerëzore të një gazetari

731
Sigal

“Nuk ka gjë më të vështirë se sa të shkruash një histori të thjeshtë e të ndershme për një njeri”, ka thënë i madhi Heminguej. Në këtë “hall” ramë edhe ne, miqtë dhe shokët e vjetër të Pavllo Gjidedes, i cili u nda nga jeta këto ditë në moshën 75 vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme.

Ndjehesh “ngushtë” nëse merr përsipër të portretizosh një njeri që ka qenë i mirë për të gjithë, që gjithë jetën e tij e vuri në shërbim të shoqërisë, të së mirës, të asaj që të mbetesh i sakrifikuar si idealist. Pavllo Gjidede futet tek ata njerëz që, për kontributet e cilësitë njerëzore që manifestoi, numërohet “me gishtat e dorës”. Ai (dhe për fatin e vetë të keq këto cilësi të mrekullueshme nuk ia thamë për së gjalli) mbetet ndër të rrallët e gardës së gazetarëve shqiptarë, i cili e filloi dhe e mbylli shkëlqyeshëm “maratonën” për të qenë njëherësh publicist dhe njeri. Kurrë nuk mund të harrojmë reportazhet, përshkrimet, portretet apo gjini të tjera të fushës së publicistikës, ku ai, si rrallëkush i shkruante me aq dashuri e ndjenjë përgjegjësie në shërbim të së vërtetës. Për ne, bashkëkohësit e tij, Pavllo ishte mjeshtër, ishte i paarritshëm  për shpejtësinë dhe trajtimin gazetaresk të problemit. Madje, nuk e teprojmë po të themi se ai mbetet “njëshi” i asaj plejade, gazetar i përmasave të admirueshme edhe për kohët e sotme. Pavllo Gjidede ishte “gur qosheje” për të gjitha punët që mund të ketë një gazetë. Ai punonte “me inat” dhe me idenë e synimin për të realizuar kudo vetëm gjëra të mrekullueshme. Transformimet në koncepte e teknologji që u realizuan pas viteve ’90 ai i përjetoi si një gazetar krijues, pa as më të voglën zmbrapsje në kontributin që mund të jepte për të pasqyruar transformimet e mëdha demokratike në vend. Dhe na vjen mirë të themi që ky personalitet i gazetarisë shqiptare, nuk u tjetërsua për asnjë çast në “demokratikas” si shumë kolegë të tij, por ishte dhe mbeti deri në vdekje demokrat, skllav i ndershmërisë njerëzore. “Skllavëria më e turpshme është skllavëria e pranuar me vullnetin vetjak” thotë një filozof i lashtësisë.   Pavllo nuk ishte i tillë. Ai nuk pranoi të shërbente apo të futej nën urdhrat e politikës për përfitime personale. Ai ishte dhe mbeti deri në fund “skllav” i së drejtës, i zhvillimit dhe përparimit të vendit, të cilit i shërbeu si një idealist i lindur.

Shkrimet e tij si reportazhe, skica, fejtone, portrete të njerëzve të punës e të Luftës, janë nga më të mirët, të realizuara ashtu si mund t’i përgatisë një gazetar profesionist. Firma e Pavllo Gjidedes kërkohej nga lexuesit si një nga njohësit më objektivë e realistë. Kërkoni, po mundët, një numër gazete të atyre kohërave dhe do të shikoni se ç’diapazon kulturor e profesionist kishte ky njeri. Nëpër paragrafët e shkrimeve të Pavllos gjen gazetarin e vërtetë, modelin e intelektualit të përkushtuar. Ai gërmonte e gërmonte, e rrotullonte fjalën mbarë e prapë, që ajo të bëhej “ilaç” për shërim. Ne, dhe shumë të tjerë, kemi qenë dhe mbetemi “ziliqarë” në kuptimin mbarësisë që sillte mendimi i hedhur në letër nga Pavllo Gjidede. Me këtë sjellje dhe punë të dallueshme ai sfidoi transformimet demokrfatime dhe ca më shumë moshën, e cila herë-herë të dikton të mbetesh prapa zhvillimeve të vrullshme të kohës. Një pjesë të mirë të jetës së tij Pavllo Gjidede ia kushtoi krijimtarisë letrare. Jeta për njeriun është një proces i gjatë lodhjeje. E tillë mbeti ajo edhe për Pavllon. Veçse e mbushur me punë që e jepnin çaste të lumturuara. Dhe vitet e fundit ai ia kushtoi krijimtarisë letrare, duke ia shtuar inventarit të librave të shkruara në moshën e rinisë. Me këtë rast i kujtojmë lexuesit të këtyre radhëve tituj aq domethënës si: “Legjenda”, “Nga Gorbaçovi tek Ramiz Alia”, “Vendlindja ime Vlora”, “Dashuri dhe plumba”, “Lamtumirë çajka ime” etj. Pra Pavllo Gjidede, si një kultivues i mirë i fjalës, skish punuar vetëm për gjalljen, por edhe për vdekjen, kish mbjellë një pemë të shëndoshë që rritet e zbukurohet çdo ditë me hijen e tij, me kujtimin e tij, me shpirtin e tij, me ato gjurmë të dukshme e të padukshme që ai la.

Domosdo kështu do të ndodhte, dhe kjo është pavdekësi.