Bashkim KOÇI/ Pak dritë për Zenel Shehun

1323
Sigal

Këto radhë që po shkruaj për komisarin Zenel Beqir Shehu, dëshiroj  t’i konsideroj si një protestë, si një zemëratë të vonuar, jo vetëm ndaj atyre që i morën jetën për “tradhti”  të pa vërtetuara  kurrë, por edhe ndaj vetes time, ndaj kolegëve gazetarë, të drejtuesve dhe partizanëve të thjeshtë, të cilët janë ende gjallë. Na qenkëshin tharë duart ne të gjithëve për të hedhur pakëz dritë rreth kësaj figurë të ndritur të Tepelenës. Sepse ai na paskësh qenë gur i çmuar i Luftës Nacionalçlirimtare. Kemi shkruar e përshkruar figura të rëndësishme, të shquara, me kontribute të mëdha për atë epope të lavdishme. Të gjithë, pa përjashtim, i kanë merituar, në mos duhet shkruar edhe më, sepse, do apo nuk do kush për ta përjetësuar Luftën, ajo dhe ata që e bënë,  ishin dhe do të mbeten të shenjtë, krenaria jonë kombëtare. Por jo pak të tjerë, siç është komisar Zenel Shehu, e lamë me kokë mënjanë, e vranë dhe e varrosën për së gjalli e nuk u kujtua kush të thoshte të vërtetën, madje të ulëriste përse i’a morën jetën këtij engjëlli të pafajshëm. E vranë dy herë, të parën kur atij i’ u mor jeta tradhtisht nga “shokët e partisë” dhe të dytën tani, duke mos e thënë të vërtetën në sy, me guxim e çiltërsi, ashtu si ka ngjarë. Atë të vërtetë që e di “i zi e i bardhë”, drejtuesit kryesorë të formacioneve luftarake e deri tek partizanët e thjeshtë, të cilët gjatë viteve të Luftës krenoheshin e betoheshin për komisarin e tyre. Është faj ekstrem, i pafalshëm, një borxh i vjetër, i cili në një mënyrë apo në një tjetër i duhet kthyer “cent për cent” trashëgimtarëve,  atyre që i vuajtën  pafundësisht, disa dhjetëra vjeçare “gabimet” e këtij njeriu të ditur. Zenel Shehu i kishte rrënjët të thella, gjyshi, babai e i gjithë soji i tij ishte në breza njerëzish të lidhur e të betuar për fatet e Shqipërisë. Nëse dikush do të mundte të lexonte librin e familjes të këtij luftëtari të paepur, do të gjente aty të gjitha përpjekjet, rebelimet, kryengritjet, shpalljen e Pavarësisë e deri tek Çlirimtarja e që kjo e fundit, i solli fisit të Shehajve rrokullimën e pakthyeshme. Zenel Shehu ishte kryengritës qysh në moshën e rinisë së hershme. Për çështje që kishin të bënin më flamurin, me kombin, me shqiptarizmin, ai hidhej në zjarr, nuk kursente as “cipën e faqes”. Le të na sjellë kush, qoftë dhe një rast të vetëm, si ai që bëri djali nga Toçi i Tepelenës në një çast kur “i fyen flamurin kombëtar”.  Ai dhe vetëm një sedërli si Zenel Shehu mund t’ia hiqte me shuplakë në fytyrë mësuesit italian të lëndës së edukimit fashist kur ai studionte në Shkollën Tregtare të Vlorës. Pra zemra e tij  me çika paskësh qenë e tillë, që kur ishte në barkun e nënës Hysnijes, gen i trashëguar brez pas brezi tek fisi i Shehajve. Të tillë, si vetja e tij, i kishte edhe miqtë, rrethin shoqëror; djem që të merrnin gjak në vetull. Është fakt i njohur në jetë shkrimin e këtij revolucionari të madh që ai ishte mik, madje ishte bërë vëlla  me “Shqiponjën e Vlorës e të Labërisë”, Hysni Kapon. Lidhjet që kishin midis tyre, miqësi që u pre në mes, i tregojnë edhe sot e kësaj dite duke shtuar dhe një “por” nga prapa, që do të thotë se, “Shqiponja e Vlorës dhe e Labërisë” nuk mundi ta shpëtonte  dot nga ajo që i ndodhi,  eliminimi misterioz. Tani, pas kaq vitesh, pjesëtarët e familjes Shehaj kanë vajtur në banesën ku jeton bashkëshortja e Hysniut, Vitoja, e kanë takuar dhe ajo grua fisnike i ka pritur me lot në sy, duke arsyetuar rreth dënimit kapital të Zenel Shehut. Kur morëm lajmin, ka rrëfyer Vitoja, ishim në Beograd. Hysniu u ndje keq dhe e pati shumë të vështirë për t’ ia dhënë mandatën dajës së fëmijëve, Gjylani Shehut, i cili në atë kohë shërbente si diplomat. Sipas një logjike të ftohtë, ajo arsyeton se Komisarin e dogji fakti,  që ai shkeli “vijën e kuqe” në marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë. Po këtë arsyetim ka shpalosur edhe ish- luftëtari Sabri Godo, i cili luftoi krah për krah tij në batalionin “Baba Abas”. Sabriu në gjallje të tij u ka thënë fëmijëve që të jenë me ballin lart për babain që kanë pasur, duke folur me fjalë të larta për bukurinë trupore e shpirtërore të Komisarit. Sikurse thonë edhe muratorët, gurët e mëdhenj nuk mund të qëndrojnë mirë pa më të vegjlit. Zeneli Shehu udhëhiqej nga kjo filozofi ndaj edhe u ngrit, u rebelua ndaj pushtuesit, bashkë me popullin e asaj krahine me shpirt patriotik, siç është zona e Krahësit. U vu në krye të tyre për t’i udhëhequr, ashtu si mund të bënte ky djalosh me plot ide për atë kohë lufte të trazuar. Çeta e parë partizane “Selam Musai”, e cila më pas, më 10 gusht të vitit 1943, do të përbënte bërthamën e batalionit “Baba Abas”, ishte krijesë e Zenel Shehut. Urdhri, sigurisht që erdhi nga lart, por më tej u ideua dhe u krijua nga ai që do të ndizte zjarrin shpërthyes në tërë atë zonë, komisar i të cilit do të zgjidhej vetë ai. Në luftimet dhe betejat që ishin zhvilluar deri atëherë, si ajo e Mogilës  të Vasiarit, Qafës së Miricës, Mezhgoran, Kiçok, Buz e të tjera, e kishin ngritur lart moralin partizan, e ca më tepër kur krijohej një njësi tjetër luftarake shumë më e madhe, batalioni “Baba Abas”. Zenel Komisari në çka u mor përsipër nuk ishte vetëm. Batalioni do të drejtohej e komandohej nga luftëtarë të tjerë me emër, siç ishte komandant Baba Fejzo Xhindoli nga Therepeli i Skraparit, tepelenasi trim Abas Shehu, gjirokastriti Adil Çarçani, Hasaf  Dragoti, Fejzo Ismaili e shumë kapedanë të tjerë, që të gjithë  të sprovuar  në përpjekje e luftë me armikun pushtues. Gabimi më i madh është t’i japësh zemrën dikujt që nuk e meriton atë privilegj. Kjo ngjau edhe me Zenel Shehun, i cili ishte njeri i shkolluar, shumë i ditur, i kthjellët për veprimet që kryente. Ai e kishte bindje të brendshme, që i buronte nga shpirti se për Atdheun nuk kursehet asnjë sakrificë, madje as jeta. Thuhet se la Italinë në vitin 1939, ku kishte vajtur për t’ u shkolluar dhe erdhi në Shqipëri. Jo për të bërë karrierë, jo për t’u dukur i bukur me uniformën e ushtarakut, por për të luftuar. E thirri ndërgjegjja, i thirri gjaku i të parëve, i gjysh Bektash Haxhiut, e Sheh Beqirit e të tjerëve me radhë, të cilët kishin dhënë prova të panumërta se, “e prisnin vdekjen me armë në dorë”. Sa madhështor është ai njeri, i cili di të vendosë për atë çka i kërkohet, por edhe di të gjejë rrugët për të kryer me dinjitet detyra të rëndësishme, që lidhen me fatin e operacioneve të madha. Komisari i batalionit “Baba Abas”, djali sedërli i Shehajve, bëri atë “që s’bëhet”, dha shembullin më unikal, të papërsëritshëm, gati-gati mitik të epopesë të Luftës Nacionalçlirimtare. Po mbushen plot 70 vjet nga ajo Luftë, por po gjendet rasti tani, pas kaq dekadash të sillet një fakt, i cili e ngre shumë lartë figurën e Heroit të këtyre radhëve, Zenel Shehut. Le ta mësojnë ata që nuk e dinë, por edhe ata që po organizojnë festimet e 70 -vjetorit të Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë, që ky luftëtar tepelenas, atje në front ku “luhej me kokën”, kishte në krah edhe një luftëtare, bashkëshorten, Ervehenë. Por jo vetëm kaq, çudia që të çudit është gjë tjetër, që nusja e Komisarit kishte ardhur në front shtatzënë, me një fëmijë në bark dhe fëmija lindi atje, në frontin, ku luftohej me pushtuesin, diku në Shpellat e fshatit Kashisht të Tepelenës. Emrin i’a vunë partizanët e batalionit “Baba Abas”, duke e pagëzuar me atë, me emrin e asaj për të cilën kishin rrëmbyer armët: Liri. Unë, autori i këtyre radhëve, e kam njohur këtë vajzë. Liria ishte mësuese dhe fati e solli të punonte në Skrapar, por që ne të gjithë, kuadro e komunistë të atyre viteve,  i qëndronim ftohtë, larg, sepse ishte e bija e “armikut të popullit” të pushkatuar nga Partia, Zenel Shehut. A nuk është rasti të ulim kokën dhe të përulemi në nderim të Komisarit? Unë ndjehem fajtor edhe pse nuk kam faj për atë që ka ngjarë. Të presësh nga njerëzit të sillen mirë me ty, sepse ti sillesh mirë me ta, është njësoj sikur të presësh nga një luan mos të të hajë, sepse ti nuk e ha dot atë. Komisari ynë nuk e mori dot vesh se “do ta hanin”, do ta torturonin dhe më në fund do ta linin edhe pa varr. Përse ndodhi kështu, ku shkeli “në dërrasë të kalbur” ky njeri i idealeve të mëdha e që ra në kurthin e ngritur për ta mbyllur të gjithë atë epope sakrificash si të kushte qenë një ëndërr e keqe? Djali i tij, Eqeremi, mbush sytë me lot kur tregon për vuajtjet, për peripecitë pambarim si fëmijë të “tradhtarit” Zenel Shehu. Ai e mban mend mirë arrestimin e të atit, mban mend mirë dhe ecejaket e nënës së tij hallemadhe, asaj që pati për sallë lindjeje, si maternitet, Shpellën e Kashishtit. Ishte muaji shtator i vitit 1946. Kërkuan, nuk lanë kusur për të mësuar “gabimin fatal”, që paskësh bërë djali i tyre, ai që e kishin ndjekur pas gjatë gjithë atyre viteve të Luftës, por kurrë, asnjëherë nuk morën vesh për krimet e tij. Ata si fis, si  Shehaj, ngulën këmbë t’ u thonin edhe tjetrën, nëse kishte diçka të vërtetë për akuzat që ngriheshin kundër tij: “Ikni, këpusni qafën, djali juaj ka qenë një kriminel!” Nuk e thonin dhe nuk guxuan ta bënin këtë kurrë sepse ai nuk ishte i tillë. Ai që është në gjendje të dëshpëruar duhet të përpiqet që të gjejë një dalje të lehtë. Ndoshta i duhet të sforcohet shpirtërisht, por duhet ta bëjë. I biri i Komisar Zenelit, Eqeremi ka mundur të realizojë diçka dhe e ndjen veten disi të lehtësuar për aq sa ka mësuar rreth  skenarit ogurzi që i mori jetën të atin, por edhe për rivlerësimin e figurës së tij. Tashmë Zenel Shehu është  “Qytetar Nderi” i komunave Qesarat, Krahës, bashkisë së Tepelenës dhe Qarkut të Gjirokastrës. Por, Zeneli është rehabilituar dhe nga luftëtarë, bashkëkohës të tij. Eqeremi  tregon për një takim miqësor në vitin 1994 me një nga drejtuesit e lartë të Luftës Nacionalçlirimtare, “Heroin e Popullit” Shefqet Peçin. Gjenerali e kishte pritur në shtëpi, e kishte nderuar dhe e kishte trajtuar si të ishte i ati, miku i tij i kohës së Luftës, Zenel Shehu. Sipas tij, Shefqet Peçi kishte qenë burrë i lartë, i nderuar, sepse në atë bisedë miqësore ai ishte përulur përpara gjëmës që i ishte shkaktuar fisit të Shehajve.

Zenel Shehu nuk ka nevojë t’ia bëjë kush avokatinë, sepse për aq sa dihet për veprimtarinë e tij luftarake, atdhetare e patriotike, figura i tij është e mbuluar me lavdi. As më pak e as më shumë, si një Hero.