Bashkim KOÇI / Një rrugë për në “Kullat e Ngujimit”

615
Sigal

Të mos të të jepet e drejta për të votuar, ngjarje e cila përsëritet sa herë ka zgjedhje të përgjithshme parlamentare, apo për organet e pushtetit vendor, do të thotë që të mos jesh, do të thotë që i përket “botës së të vdekurve”, edhe pse realisht merr frymë, je pjesë e botës të së gjallëve. Është ky një fakt rrëqethës, i pabesueshëm dhe të duket si një pronë e “pavijoneve muzealë”, por që në Shqipërinë tonë të mijëvjeçarit të tretë është realitet që shihet me sy e preket me dorë, e që ne shqiptarët na çon larg, shumë larg, në kohën e mbretërimit të Kanunit të Lek Dukagjinit.

Të futemi drejt e në temë. Në zgjedhjet e 23 Qershorit nuk e kanë mundësinë e shprehjes së vullnetit për të zgjedhur subjektin politik për të qeverisur vendin rreth 45 mijë votues. Disa mijëra nga këta (flitet për 15 mijë votues) janë të ngujuar, të mbyllur me “shtatë kyçe” në banesat e tyre nga frika e gjakmarrjes dhe as që bëhet fjalë për të pasur mundësinë për të votuar. Shumica nga ata kanë vite e vite që nuk shikojnë rrezen e diellit dhe bashkë me fëmijët, pra të vegjël e të mëdhenj, u janë prerë të gjitha rrugët për të jetuar në liri. Në këtë vështrim ata nuk kanë asnjë shans për të qenë si gjithë të tjerët, pra të mund të shprehen nëpërmjet votës për kandidatët, partitë apo koalicionet që do t’i qeverisin vendin pas 23 Qershorit. Pjesa tjetër, të cilët përbëjnë shumicën e ushtrisë të të “arratisurve” për shkak të frikës nga gjakësit, janë të shpërndarë nëpër fshatra apo qytete të ndryshme të vendit. Kryesisht nuk ka dijeni për ta ku punojnë e jetojnë, pra janë “pa adresë”, pa identitet dhe në një farë mënyre ndjehen si “të arratisur” në kërkim të kushteve “të sigurta” për mbrojtjen e jetës e tyre dhe të fëmijëve. Edhe ky kontingjent qytetarësh, ashtu si të mbyllurit në kullën e ngujimit, nuk do të votojnë më 23 Qershor. Nuk e kanë këtë mundësi për shkak se ata, edhe pse punojnë e jetojnë diku nëpër Shqipëri, nuk figurojnë në listat e votuese. Gjeneralitetet, dokumentacionin për tu regjistruar sipas ligjit e kanë lënë atje, në komunën apo bashkinë nga kanë ardhur. De jure, këta të degdisur nga fati i mallkuar që u ka rënë, figuron në listat e votuesve të shpallura nga pushteti vendor, por në fakt ata nuk votojnë. Dhe këtë gjë e dinë edhe ata, të cilët kanë për detyrë të krijojnë kushtet e nevojshme për shprehjen e vullnetit në një rast solemn si ky.

Ç’ka më ngacmon të ngre këtë problem “të harruar” nga politika dhe politikanët, është të sensibilizojmë opinionin, apo më saktë, që t’i themi këtij opinioni të vërtetën për  nëpërkëmbjen që u bëhet mijëra shqiptarëve, të cilët ndjehen ende nën sundimin e Kanunit të Lek Dukagjinit. Ndërkohë, ky informacion le të shërbejë si një “bashkëbisedim” me pjesën tjetër të votuesve, me ata që ndjehen gjoja “të lirë” në marrjen e vendimit për përzgjedhjen e koalicionit që do çojë vendin përpara. Në thelb të propagandës, që po behët është, gënjeshtra, apo një pazar i ndyrë, i cili ka vetëm një qëllim: rrëmbimin e pushtetit.

Le t’ju referohemi fakteve. Kryeministri ynë, i cili ka plot tetë vjet që na qeveris, po mburret me gjoja ngritjen e cilësisë së jetës të shqiptarëve, me gjoja ndryshimet dhe rritjen e tregueseve ekonomikë. Edhe nëse do merreshin të mirëqena çka thuhen në sheshet-pazar të politikës, atyre u duhet t’u zihet goja dhe të bëhen me turp për qëndrimin mospërfillës, të harresës ndaj një armiku të pashpallur, siç është Kanuni. Nëse ky Kryeministër na i përsërit deri në bezdi mijërat e kilometrave të rrugëve, le të na flasë për “rrugët” që ai ka bërë apo ka ndërmarrë për të shpëtuar mijëra jetë njerëzish, të cilët ndjehen “të gjallë, por të varrosur”. Dhe titulli i këtij shkrimi nuk e ka fjalën për rrugët e asfaltuara automobilistike, por për “rrugë” të tjera, të cilat i dimë si bëhen, si shtrohen e “asfaltohen”, të cilat në themel kanë vetëm zbatimin e Ligjit. Nëse do punohej prej vërteti, nëse këtyre mijëra e mijëra shqiptarëve të ngujuar, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë, do u kushtohej përkushtim me zëmër, edhe ata do u jepnin, jo vetëm votën, por edhe shpirtin. Le të qeverisnin, le të mbretëronin.

Por kurrë dhe ata nuk e meritojnë, nuk e justifikojnë këtë shpërblim. Si nuk i ka shkuar në mendje, qoftë dhe një kandidati për deputet, të bënte një vizitë në këto familje, të bisedonte me të ngujuarit, t’u gjendej pranë, të mund të merrte nga ata vërejtjet që kanë për Ligjin dhe politikën? Ca më shumë ky qortim qëndron për opozitën, e cila ka marrë përsipër  të Rilindë vendin, Shqipërinë. I kemi parë e ku nuk i kemi parë këto ditë, me të gjithë kategoritë e njerëzve, të zezë e të bardhë. Për ata që ndjehen të humbur e të harruar nga njerëzia, nga ata me pushtet e nga ata që pretendojnë të marrin pushtet, nuk u bë kush i gjallë. Jetojnë, e shtyjnë kohën, si të thuash, vetëm me vrasësin. A ka mallkim më të madh se ky? Politikës, politikanëve u duhet  të ndërtojnë një “rrugë” për të vajtur dhe çliruar “të gjallët e pa varrosur” të Kullave të Ngujimit.