Bashkim KOÇI/Lulzim BASHA, kryetar i fillimit të ri

604
Sigal

Më në fund “ëndrra” që kishin parë shqiptarët, demokratë e socialistë, doli ashtu si e kishin parashikuar: në krye të Partisë Demokratike doli “i zgjedhuri” nga votimi i anëtarësisë “një anëtar, një votë”, zoti Lulzim Basha. Arsyetimi që u bë përpara se të zhvillohej ky garim farsë dhe fals, qëndronte tek fakti se, kryetari i dorëhequr, zoti Berisha, e kishte paracaktuar qysh kaherë mëkëmbësin e tij. Madje për këtë flitej hapur dhe për më tepër çuçuritjet se “Basha është i përzgjedhuri i Berishës ndaj edhe nuk ka asnjë shans të fitojë garuesi tjetër, pra Olldashi” nuk kishin dalë nga kundërshtari politik, por nga brenda PD-së, nga ata që i kishin dhe i kanë “si në pëllëmbë të dorës” atë çka ndodh brenda asaj partie këtu e 23 vjet.

Nëse i shikojmë këto zhvillime brenda Partisë Demokratike ashtu si janë realisht, zgjedhja e lidershipit të ri në krye të saj është një falsitet i pështirë, një gënjeshtër, e cila shumë shpejt do të dalë faqe Botës si një “xhonglim” tjetër  i Sali Berishës, duke përdorur këtë si përpjekjen e tij të fundit për të çuar aty ku e ka synimin projektin tashmë të njohur nga të gjithë shqiptarët. Ne duhet të dimë një herë e mirë dhe pa asnjë mëdyshje se në krye të opozitës nuk do të jetë “kryetari i fillimit të ri”, Lulzim Basha, por ai tjetri, ai që i ka shkaktuar kaq fatkeqësi këtij vendi dhe që po na i lë Shqipërinë si të pas një lufte me pushtuesit. E thënë me dy fjalë duhet të mos na gënjejë mendja, duhet të mos u gëzohemi shumë rezultateve të zgjedhjeve të 23 Qershorit ku Sali Berisha në këtë ndeshje të paparë u qorrolleps keqas nga goditja e votës njëmilionëshe e shqiptarëve. Ai edhe pse është deklaruar si “i dorëhequr” nuk ka ndërmend të ikë, të bëjë atë që demonstrojnë politikanë të përgjegjshëm. Berisha, mesa duket, ka në plan të verë në jetë atë çka në mendje e që, për fat të keq, synon të sajojë skenarë të frikshëm.

Edhe dje gjatë konferencës për shtyp ishte lehtësisht e kuptueshme se Sali Berisha ka qenë dhe do të jetë “ylli polar”, drejtuesi, urdhëruesi dhe udhërrëfyesi  real i asaj partie e cila, për hir të së vërtetës, ka marrë tatëpjetën e pakthyeshme. Ai na u shfaq dje, jo si një ish-lider që di të përcjellë tek ai që ia lëshon vendin modesti, sinqeritet dhe pendesë për humbjen fatale që u solli demokratëve, por si një “kompetent ” që i di të gjitha e për më keq, merr përsipër të drejtojë e orientojë mëkëmbësin, Lulzim Bashën. Madje zoti Berisha në këtë dalje, e cila mund dhe duhej të ishte e lamtumirës, pati kuraje të shpaloste “vlerat e politikanëve të rinj”, të atyre që i ka rritur e mësuar vetë, të atyre që nuk bëjnë “gëk” para tij, në mos i falen si të ish një Padisha nga mëngjesi në darkë.

Në të gjitha rastet, kur flet dhe kur hesht, Sali Berisha është “i tëri”, me mendje e me komandë, i pari i Partisë Demokratike. Por nuk ka as gjasa që të mund të tjetërsohet, të jetë ndryshe. Ai ka kultivuar edhe tek anëtarët, militantët dhe simpatizantët e PD-së mendësinë që të jetë ky që është, komandant i përhershëm, i pazëvendësueshëm. Nëse ditën e djeshme Berisha doli para medias për të përshëndetur fitoren e Lulzim Bashës, ata që morën pjesë aty, pra ata që “u gjendën” për të promovuar kryetarin e ri, çuditërisht hodhën parulla “rroftë Sali Berisha!” si të kishim të bënin me rizgjedhjen e tij në krye të PD-së.

E vërteta është e padjallëzuar, ajo shfaqet ashtu si është. Thirrjet e simpatizantëve “rroftë Sali Berisha!” tregojnë diçka më të thellë, atë të vërtetë të dhimbshme që po ndodh në këtë parti. Saktësisht ajo që u propagandua aq shumë, me tamtame neveritëse, është e tëra demagogji. Duan apo nuk duan demokratët, u pëlqen apo nuk u pëlqen aty asgjë nuk ka ndryshuar. Në këtë kuptim ata duhet të thërrasin për këtë garë qesharake “rroftë Lulzim Basha nën udhëheqjen e Sali Berishës!”. Sepse nuk ka shqiptar që të mund të besojë se Lulzim Basha do të punojë e drejtojë me kokën e tij zhvillimet politike në vend, apo reformat për të modernizuar partinë, tashmë e gjendur në situata dëshpëruese, të helmuar nga berishizmi.

Çdo rrugë e ka një fund. E rëndësishme është se si është ky fund, i zakonshëm, i lavdishëm apo i turpshëm. Mesa duket zoti Berisha po bën të pamundurën për ta mbyllur me këtë të fundit, me turp, gjë që nuk e dëshiron asnjë demokrat, asnjë dashamirës i tij dhe as kundërshtarët politik. Dhe kjo çka po them konstatohet lehtësisht, qoftë duke vëzhguar pozicionimet e tij politike pas 23 Qershorit. Ai me vetëdije të plotë (madje logjika të thotë se duhet të ketë një skenar të caktuar), po lëshon ca deklarata me ogur shumë të keq, deklarata që do të sjellin ditë të vështira për njerëzit e thjeshtë. Është në të mirë të Partisë Demokratike, të anëtarësisë dhe përkrahësve të saj që mendësisë së Berishës për t’i hequr zvarrë, për t’i komanduar e drejtuar edhe tani që i është vënë vula e humbësit më të madh të këtyre 23 viteve, t’i vënë fre, t’i thonë me kuraje e guxim “koha jote mbaroi”.