Bashkim KOÇI/Kush jeni ju zoti ministër?

641
Sigal

Nëse do t‘i bëjmë një vështrim, qoftë dhe të sipërfaqshëm, rrotacionit  të ndërrimit të pushteteve nga partitë politike, ato janë rrëzuar kryesisht për shkak të korrupsionit dhe të karshillëkut e arrogancës që është treguar ndaj votuesit të thjeshtë. Por ai që ka tronditur dhe që vazhdon të jetë ende i frikshëm për shoqërinë shqiptare është korrupsioni, babëzia e njerëzve me pushtet për t’u pasuruar në rrugë jo të ligjshme dhe për më keq, për ta kthyer këtë ves në një “mbret”, i cili mbretëron këtu e 22 vjet pluralizëm. Shembujt janë të shumtë dhe mund të sillen fakte tronditëse për grabitjen e pamëshirshme që i është bërë pasurisë kombëtare, dhe në mënyrë të drejtpërdrejt popullit. Nga të dy krahët politikë, të majtë e të djathtë. Madje këta që sapo morën mandatin për të qeverisur vendin në katër vitet e ardhshëm, pra koalicioni për Shqipërinë Europiane, kujtohen nga elektorati i majtë si bukëshkalë, si një qeveri e cila harroi shumë shpejt përbetimet që kish bërë në fushatën elektorale për të luftuar këtë fenomen, pra korrupsionin. Ne votuesit nuk mund ta harrojmë këtë, ndaj dhe u përzunë pa ndonjë mundim të madh nga zoti Berisha në atë vit jo shumë të largët, 2005-ën. Vetëm për shkak të korrupsionit, vetëm për faktin se qeveritarëve, vet ish kryeministrit Fatos Nano, iu zunë sytë përpara asaj çka po ndodhte, çka po bënin në grabitjen e fondeve publikë dhe të pasurisë kombëtare në tërësi, ndodhi edhe ai ndëshkimi i merituar.

Ndërkohë ua pamë hairin edhe të djathtëve në këto tetë vjet qeverisje. Fyerja që na bënë këta të dytët është më revoltuese. E di pse? Sepse ata u treguan më të pabesë, më dinakë, përdorën armën e kundër korrupsionit për të bërë korrupsion. Dhe e kanë bërë këtë vend gur më gur, nuk kanë lanë gjë pa grabitur. E shitën pjesën më të madhe të ish ngrehinave të veprave industriale për skrap, i rrafshuan si të ishin pushtues. Nuk kanë lënë asgjë në këmbë, ashtu si një ushtri karkalecash, të cilët hanë gjithçka që gjejnë përpara, e kthejnë në shkretëtirë. Fondet për shëndetësinë, për shembull, i vodhën haptazi, pa ua bërë cërr syri. U përvetësuan edhe paratë për blerjen e materialeve më të rëndomta si pambuk, shiringa, serume, materiale higjienike e deri tek çarçafët e të sëmurëve. Shikoni spitalet në ç’gjendje janë katandisur dhe do të dilni në përfundimin se ne na kanë drejtuar banda kusarësh.

Populli, për të sjellë mbarësi në fillimin e një pune të re, për atë çka është bërë keq thotë një tog-fjalësh me plot filozofi brenda: “të shkuara e të harruara”. Dhe në këtë rast fjala është për të mos i lënë shkas, për të t’i mbyllur të gjitha rrugët e mundshme nga ku gjen vend të kalojë korrupsioni ku, sipas mendimit tonë, një ndër më kryesoret është ekipi qeverisës, është kryeministri dhe ministrat që do menaxhojnë punët në çdo dikaster. Një skuadër e formuar keq e bën gjithçka keq. Një ministër i përzgjedhur dhe i vendosur në krye të punëve, pa ia bërë “skanerin” e domosdoshëm si për një detyrë kaq të rëndësishme, doemos që dështimi është më afër fitores mbi fenomen “korrupsion”,  i cili ka më shumë se 22 vjet që u ka sjellë “mjaltë“ vetëm njerëzve me pushtet.

Pyetja që bëhet nga ata që më 23 Qershor votuan “të papërmbajtur” për koalicionin “Për një Shqipëri Europiane“ është fare e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë: Kush do të jetë ekipi qeverisës, kush do të jenë ministrat tanë? Dhe e thjeshtuar ca më shumë, për t’i marrë  këta zotërinj një e nga një, pyetja është disi më e “egër“, pyetje më llogarikërkuese: Kush jeni ju zoti ministër? Pra problemi shtrohet që zoti Edi Rama, Kryeministri tashmë i shpallur dhe i mirëpritur nga të gjithë, duhet që votuesve, atyre për të cilët ai është betuar për të kthyer Shqipërinë në normalitet, tu tregojë gjithçka, të tregohet transparent dhe i vërtetë për ata që do të përzgjedhë, të cilët do të kenë në dorë menaxhimin e parave tona, të pasurisë kombëtare dhe të politikave që do të ndiqen me fqinjët dhe ndërkombëtarët. Sipas mendimit tim nuk do të jetë normale, që për hatër të koalicionit, për shkak “të frikës” se dikush mund të na bëjë gjëmën nëse nuk plotësohet kjo apo ajo kërkesë për emra politikanësh që të mund të jenë ministra, të përzgjidhen “personalitete” të përlyer, të përgojuar nga opinioni publik, të mallkuar e të pështyrë për atë si na janë shfaqur deri më sot, për atë çka dimë për ta.

Për atë çka kemi përjetuar e provuar mbi shpatullat tona në këto vite të pluralizmit është kërkesa kryesore, në mos e para, që anëtarët e shtabit qeverisës të na tregojnë  “xhepat”. Nëse gjatë fushatës elektorale nuk u tha ndonjë gjë, nuk u zu në gojë fenomeni i korrupsionit dhe ndërkohë të goditej fort ndonjë kandidat për deputet (të cilët për fat të keq ishin të shumtë nga të dy krahët e politikës), për qeveritarët e rangjeve të larta, drejtorë rajonalë, shefa institucionesh të rëndësishëm e sidomos ata që do t’i gëzohen faktit e të qenit ministër, duhet që kjo kërkesë “të fiket pa u ndezur”. Dhe, sigurisht, tashmë e dinë të gjithë, i zi e i bardhë, që një qeveri me duar të pastra nuk mund të ngjizet e të formatohet në parametrat maksimalisht të mundshme nga individë me duar të pista. Ne njerëzve “pa pushtet”, por që më 23 Qershor patëm pushtetin e votës, nuk na vjen mirë, madje ndjehemi të dëshpëruar kur dëgjojmë (edhe pse realisht nuk ka gjë të vërtetë), se “X“ politikan i mbytur me paudhësi korruptive, do të jetë ministër në “Y“ dikaster. Një gjë dihet: Presioni i rrufjanëve të politikës, i një takëm personazheve, që tashmë janë bërë mjeshtra për të kapur punë me para, do të jetë më i madh, më i sofistikuar. Në këtë kuptim pyetjes “kush jeni ju zoti ministër” i duhet dhënë një përmbajtje krejt e re, ashtu sikundër duhet të ketë sipërmarrja për të Rilindur prej vërteti.