Bashkim KOÇI/ Kujtesë për ministrin Panariti!

545
Sigal

Edmond Panariti, si i përzgjedhuri i zotit Rama për Ministër Bujqësie, sipas meje është njeriu i duhur, personalitet i njohur i kësaj fushe dhe me tregues të tjerë pozitivë, të cilët të japin shpresë që ai do të japë ndihmesë për ringjalljen e kësaj dege të ekonomisë. Ashtu siç edhe dihet bujqësia shqiptare është tërësisht e rrënuar, e pa përkrahur nga shteti dhe ajo që të lëndon është fakti që me bujqësinë (edhe blegtorinë), në kurriz të saj, janë bërë pazare mafiozësh e pizevengësh me qëllime përfitimi, pazare që kanë dëmtuar rëndë, shumë rëndë interesat e prodhuesve vendas.

Ç’ka është luajtur këto vite prapa shpinës të fermerit shqiptar është sa kriminale, po aq dhe dëshpëruese. Sidomos gjatë viteve të pushtetit të PD-së, sidomos gjatë viteve që dikasterin e Bujqësisë e drejtoi ministri Genc Rruli. Fermerit shqiptar puna si një skllav, rropatëse, e përballuar me shpirt ndër dhembë, i ka shkuar “për dhjam qeni”. Në këtë dikaster nuk është drejtuar me metoda e praktika, të cilat do të mund të nxisnin prodhimin vendas. Aty, përfshi edhe ministrin, e kanë pasur mendjen për  t’i ngrënë “të gjitha pjatat” vetë, duke e dëmtuar rëndë fermerin, atë që gati të gjitha prodhimet, bujqësorë e blegtoralë i nxjerr në treg me ziet.

Do merremi me dy produkte të rëndësishme, mishin dhe qumështin. Dikasteri, drejtoritë përkatëse, kanë qenë “të zëna me punë”, të preokupuara shumë më shumë për të gjetur “shtigje dhe tregje” për shtimin e mishit nga importi, sesa me prodhuesin vendas. Në kurriz të cilësisë, të sasisë, në kurriz të fermerit. Këtë e tregojnë tonët e mishit të importuar, e tregojnë disa “merake” të ministrit Ruli që mishi i importuar të mund të vijë ashtu si u intereson tregtarëve, pa qenë nën një kontroll të rreptë, absolutisht të rreptë. Me këtë produkt janë bërë, e bëhen, tregti kriminale, tregti që është me kosto të paparashikuar për shëndetin e popullit, por akoma më shumë për “shëndetin” e fermerit. Çmimi me të cilin futet ky mish në tregun shqiptar, “gropos”, e nxjerr jashtë loje prodhimin vendas, i cili për cilësinë dhe vlerat që ka, është absolutisht shumëfish i “kërmës” që i ofrohet tregut industrial të përpunimit të mishit. Mund të tolerohet në ndërtimin e një vepre ujitëse, mund të “mbyllen sytë” në një investim për sistemim tokash, por kurrë, asnjëherë nuk duhet të lejohet që të mund të tregohemi të pavëmendshëm kur kemi të bëjmë me importimin e mishit, i cili mund të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme shëndetin e njerëzve.

Krejt qëndrim tjetër mbajti ministri Ruli. Mishi kalonte kufirin, jo aty ku kalojnë të gjithë mallrat, pra në portin e Durrësit, por andej nga janë bërë pazaret, aty ku pjesa “për xhepin” e justifikon shkeljen e rregullave, të disiplinës dhe korrektësisë së një shteti normal. “Plasi, nuk la gjë pa bërë Genc Rruli, derisa mundësoi kalimin e mishit të importuar nga pika doganore e Kakavisë”, thanë zëra të besueshëm në Ministrinë e Bujqësisë, për gazetën “Telegraf”.

Por kjo është çështje që lidhet me korrupsionin, me atë që “erën e gogësimës” në Ministrinë e Bujqësisë për të marrë para në rrugë  korruptive ka mbushur çdo zyrë që ka lidhje direkte me importimin e mishit. Fjala është se i gjithë ky “shtab” i është kundërvënë prodhimit vendas, duke e zhvleftësuar atë në rrugë kriminale. Llogari e bërë fare thjeshtë. Mishi i importit është nga ai i cilësisë më të dobët, me çmim “fantastik”. Ky mish, nëse e meriton të quhet mish, plotëson “të gjitha kërkesat”, sidomos të industrisë përpunuese. Sigurisht, nuk marr përsipër të them sesa është përfitimi i tregtarëve të mëdhenj importues në kurrizin tonë, popullit, por di që ky mish blihet me çmime qesharake, me një vlerë që e “diskriminon” prodhimin vendas, e bën që t’i bjerë vlera, të shkojë tërë ai mund e ajo cilësi për “dhjamë qeni”.

Loja me mishin e importuar është bërë (dhe vazhdon të bëhet) sikur në këtë vend të kenë drejtuar “vetë ata”, tregtarët. Ministria e Bujqësisë ka luajtur rolin e “vjelësit të të korrave”, ka “arbitruar” konkurrentë, duke mbajtur anën e atij që ka sakrifikuar më shumë me para kesh. Vetëm një fakt. Sasia e mishit të importuar ka lëvizur, jo sipas një rregulli të njohur, të lëvizjes së kërkesë-ofertës, por “të lëvizjes së lavjerrësit” të interesave të atyre që kanë pasur në dorë “çelësat e hapjes së portave”.

Pyetja që bëj unë, si konsumator është: nga vjen ky mish, ç’cilësi ka dhe kush është garancia për ne “që nuk dimë asgjë”, që ai të jetë ushqim i shëndetshëm, pa pasoja? Sipas informacioneve tona mishi i importuar ka ardhur dhe vjen “si derr në thes”, i pakontrolluar ashtu si bën Bota e qytetëruar. Paraja nën dorë, apo mbi dorë, ka bërë që në çdo kohë, qoftë dhe për një çast, shëndeti ynë të jetë i rrezikuar, të jemi në dorë, qoftë dhe të një matrapazi, i cili nuk do të dijë për asgjë, nëse mbush xhepat me para. E kush është zgjidhja, ç’mund të “përmbysë” në praktikën e punës të derisotme ministri i Rilindjes, Zoti Panariti? Gjërat, për mendimin tim, janë fare të thjeshta, i kemi në dorën tonë, të askujt tjetër. Mjafton dëshira e mirë, mjafton të qenurit serioz në detyrë, mjafton të duash popullin tënd. Fjala vjen, do të ishte shumë “përmbysës” për situatën korruptive të krijuar, vetëm një urdhër ministri: Mishi i importit të merret në ato shtete dhe me atë cilësi, si ai ku importon shteti gjerman. I gjithë mishi i importuar të kalojë vetëm në Portin e Durrësit, aty ku edhe kontrolli të mund të bëhet nën një kontroll të rreptë! Vetëm kaq.

E njëjta situatë, në mos më keq, është ajo e importimit të qumështit pluhur. Madje qumështi pluhur ka dhënë goditje më të forta, i ka bërë ashtu si ka edhe emrin, “pluhur”, të gjithë atë sakrificë mbarështuese që bën fermeri shqiptar me blegtorinë. E ka fundosur, e ka bërë fshatarin “të flasë me vete”. Ndoshta nuk e dinë të gjithë, por më duhet të jap informacionin se një litër qumësht lope shitet në treg vetëm për 40 lek. Ja kështu, vetëm për një gjysmë buke. Po uji? Po kaq, 40 lek litri. Sigurisht, nëse ujin e blen tek pika e shumicës, sepse gjetkë, aty në pjacë të Tiranës, gjysma e litrit të ujit e blen plot sa dy litra qumësht. Dhe shko pastaj e merru me mbarështimin e lopëve!  Kjo është situatë vërtet alarmante, të vesh duart në kokë. Ndaj, sido që të jetë “sakrifica” e ministrit Panariti, i cili do të drejtojë bujqësinë, duhet të ndërhyjë, pa një pa dy. Nuk mund të lihet fermeri shqiptar në këtë nivel diskriminimi. Unë nuk besoj në Zot, por në këtë rast sjellja në këtë mënyrë me fermerin, është e pafalshme, të vret Zoti.