Bashkim Koçi/ Krahësi i Tepelenës nderon intelektualët

951
Shpesh e nënvleftësojmë fuqinë e shoqatave atdhetare e kulturore, të cilat në këto vite të pluralizmit politik janë bërë pjesë e jetës dhe, për hir të së vërtetës, ato janë kthyer në vatra të edukimit patriotik, në strehëza ku njerëzit e shumë trevave të vendit gjejnë mundësinë të kontaktojnë me buzëqeshjen e fjalën e mirë, për të sjellë e përciellë vlerat e krahinës nga njëri brez tek tjetri. Mu dha rasti të isha këto ditë në një veprimtari të Shoqatës Atdhetare e Kulturore “Treva e Krahësit” të Tepelenës. Banorët, aty në qëndër të fshatit, gëzonin ashtu si mund të të bëjë të tillë një festë. Festë që e organizon shoqata pa asnjë shpërblim, angazhim serioz të disa veprimtarëve pa e patur mendjen tek “ndarja e gjësë” në fund të takimit.
Po përse ishin mbledhur ata dhjetra njerëz nga të gjithë fshatrat përreth në këto ditë me plot punë në bujqësi? Përse ishin detyruar disa figura të larta të artit e të kulturës të merrnin atë rrugë të gjatë, deri në Krahës? Binte në sy prezenca e Artistit të Popullit Luftar Paja, e Birçe Haskos, aktorit të humorit, fjerakut Todi Llupi, Kiço Londos, Barjam Dostit, Roland Roshit, Dervish Bibës, Xhelal Hoxhës, Ilir Danos dhe e këngëtarit virtuoz të këngës labe, Shyqo Hysit; miq e kolegë të tjerë të atij auditori festiv, si Prof. Dok. Bektash Mema, dekan e fakultetit të Historisë në Universitetin e Gjirokastrës, pedagogen Fatmira Musai, politikanë e persona të tjerë me detyra të larta shtetërorë, fjalavjen, zv. Ministry i Mbrojtjes, Petro Koçi, Selfo Muçobega, Kryetar i Këshillit të Qaerkut të Gjirokastrës. Përse? Sepse Shoqata Patriotike e Kulturore “Treva e Krahësit”, drejtuesit e saj Naim Dera, Pelivan Hysi dhe Medin Caushi, “gjuajtën” rastin që tre personaliteteve të kësaj treve, juristit Selfo Dostit (pas vdekjes), Prof. Fatmira Ramës dhe mjekut Xhevdet Xhemali, të vlerësuar me titullin “Nderi i Qarkut” të Gjirokastrës, me propozim të shoqatës, t’u dorëzoheshin me ceremoni, me mënyrën më të mirë të mundëshme për të bërë publik vlerat e larta intelektuale e njerëzore të krahinës, aty në Krahës, tek ODA e Eugen Hysenbegasit.
Selfo Dosti…
Shembulli nuk është gjëja kryesore për të influencuar të tjerët. Është e vetmja gjë. Juristi Selfo Dosti është ndoshta rast i rrallë, i cili mund të merret si pikë referuese për influencën që mund të këtë një personalitet në komunitetin që e rrethon. Ai, sipas atyre që kanë punuar dhe jetuar me të, ishte i magjishëm, kishte aftësinë të përcillte tek njerëzit e thjeshtë, pa përkrahje, ndjenjën e optimizmit për të marrë drejtimin e duhur në jetë. Dhe e di pse? Sepse Selfo Dosti i përmbahej thënies të dëgjuar nga njerëz të mençëm: Njeriu nuk di çfarë është i aftë të bëjë deri në momentin kur e pyesin. Janë me dhjetra kuadro e specialistë tepelenas të cilët shtytjen e parë në udhën e shkollimit, të përgatitjes për t’u bërë të vlefshëm për vete e shoqërinë, e kanë marrë nga ky person, në ndërgjegjen e të cilit vlonte kurajua e njeriut inteligjent.
Shpirtrat e mëdhenj gjithmonë janë kundërshtuar nga mediokrit. Këta të fundit nuk mund ta kuptojnë kur një person, siç ishte Selfo Dosti, që nuk i nënshtrohet paragjykimeve të trashëguara dhe përdor me kuraje inteligjencën e tij. Bashkëmoshatët, kur familiarëve të tij iu dorzua titulli “Nderi i Qarkut” të Gjirokastrës (pas vdekjes), sollën shembuj “të parë me sytë e tyre” sesi ky person, me aftësi të jashtëzakonëshme, dinte të sillej, dinte të mos përçmonte asnjë njeri, edhe pse mund të vinte nga një fshat i humbur. Me këtë filozofi të jetës ai arriti ta bënte pronë të tij togfjalëshin “asgjë mos e konsidero të pamundur”.
Ishin kohëra të tjera kur Selfo Dostit i ishte dhënë mundësia të punonte në sektorë kyç në Tepelënë, në pozicione që kishin të bënin me shkollimin, me përvetësimin e profesioneve të ndryshm, aty ku brezit të ri i jepej “çelsi magjik” i së ardhmes. Këtë gjë nuk e bënte dhe nuk e bëri më mirë se ai. Sepse tek Selfoja, burrit nga Kalivaçi, fjala dhe mendimi ishin me plot pushtet. “Shfrytëzoje rastin! E gjithë jeta është një rast. Ai njeri që shkon më larg, zakonisht është ai që është i gatshëm të bëjë dhe të guxojë.” Këto këshilla të tij, të përsëritura sa e sa herë në përballje me individë të ndryshëm, me formim e mentalitete të ndryshëm, mbeten ende si filozofia e jetës së tij, por që ne nuk e dimë ku i kishte përvetësuar Selfo Dosti.
…Prof. Fatmira Rama…
Nëse veprimet tuaja i frymëzojnë të tjerët të ëndërrojnë më shumë, të mësojnë më shumë, të bëjnë më shumë dhe të bëhen më shumë, atëherë je lider. Po të “skanosh” veprimtarinë akademike të Prof. Fatmira Ramës, kam mendimin se kjo zonjë është bërë dikushi, ka arritur të zërë një vend të merituar si studjuese e petagoge në fakultetin e Historisë të Universitetit të Tirranës. Në këtë kuptim ajo është lider në fushën ku punon prej disa dekadash, atë të historisë. Titulli “Nderi i Qarkut” të Gjirokastrës iu dha si krahsiote, si një ndër intelektualet më me zë të asaj treve. Ajo, sipas fjalëve të saj, shkon çdo vit në Krahës pranë, të afërmve. Nuk mund t’i harrojë vendet ku ka kaluar fëmininë, ku mësoi për herë të parë ABC-në. Por këtë radhë profesoresha, para së cilës studentët qëndrojnë “sus”, u bë me krah, u ndje si një nxënëse e turpëshme përpara atij auditori të mbushur plot me intelektualë të njohur e me famë kombëtare, të ardhur posaçërisht për të, të cilët folën me plot admirim. Vlerësimi si petagoge, si historiane që ka çfletuar nëpër arkiva e biblioteka të Botës, si një modele e fuqishme që di më shumë të mësojë sesa të japë mësim, iu thanë aty në vendlindje, ku të gjithë, pa pëjashtim, e bënë të lotohej, të ndjehej si në endërr, e mrekulluar.
Prof. Fatmira Rama nuk lindi e tillë, ajo u bë. Dhe u bë si gjithçka tjetër, përmes punës. Përmes punës studiuse, hulumtuese, përmes mësimdhënies, duke synuar për të arritur aty ku është: “gjenerale” që mëson, edukon dhe u jep drejtimin e duhur mijra “ushtarëve”-studentë. Këto arritje të bijës së tyre shoqata “Treva e Krahësit”, drejtuesit e saj, ditën t’i vlerësojnë, duke gjetur mekanizmat përkatëse që asaj, jo se i mungonte zemra, por të mundnin ta bënin me dije se kjo zemër është dhe do të mbetet aty, në vendlindje. Unë e pashë me sytë e mij sesi mund të gjunjëzohet përpara vlerësimit që të japin bashkëpatriotët, sesi mund të mbetesh pa fjalë midis shokësh e miqsh, të cilët gjejnë rastin të të vlerësojnë, të të vënë në mënyrë ceremoniale notën që meriton. Profesoresha e historisë, në këtë takim befasues për të, gjeti kohë të futej për pak çaste në profesion, ti shfrytëzonte ata pak minuta të artë për të mbajtur një leksion domethënës për historinë e luftrave, për ndihmesën e patriotëve krahsiotë dhe e të gjithë asaj treve në çastet historike që ka kaluar vendi, atëhere kur është rrezikuar e ardhja e Shqipërisë. Sigurisht, për t’u dëgjuar edhe një zë më tepër, zërin e njeriut të tyre për të orientuar njerëzit jo aty ku duan duan të shkojnë, por ku duhet të jënë.
…dhe Xhevdet Xhemali
Mjeku është i vetmi person i pajisur me dijet e nevojshme shkencore e profesionale, për të njohur sëmundjet e problemet e tjera shëndetësore, për t‘i mjekuar dhe për t‘i parandaluar. Mjeku është pra ai shenjt që u gjendet njerëzve në momentin e kërkuar, kur vihet në pyetje jeta ose shëndeti i tyre. Kjo është arsyeja kryesore që e ka bërë atë një figurë të nderuar dhe të dashur në të gjitha kohërat. Si në kohërat e vjetra, kur ai kishte pak në dorë për të ndihmuar, ashtu edhe në kohën e sotme, kur ai ka në dispozicion mjete të shumta për të shpëtuar jetën, për të përmirësuar shëndetin dhe për të treguar rrugën se si ruhet dhe mbrohet jeta. Pa mjek nuk ka mjekësi. Por, për të qënë të vërtetë, për të qënë të besueshëm nga lexuesi për çka po shkruajmë, figura e mjekut, jo në një rast, ndjehet e njollosur dhe herë herë i urryer. Këtë portret të shëmtuar ua kanë “pikturuar” disa kolegë të tyre, ata të cilët përpara së gjithash shikojnë xhepin dhe jo shëndetin e pacientit. Por ja që nuk na qënkërkan të gjithë “xhepista”. Xhevdet Xhemali, edhe ky një figurë ndër më të vlerësuarit nga krahsiotët, mbetet prej dekadash njeriu më i dashur, më “i shtëpisë” për të gjithë Tepelenën. Ai e ka origjinën nga kjo trevë, nga fshati Allkomemaj. Mjeku Xhevdet nuk ka psuar asnjë shpërfytyrim nga pikpamja e profesionit, nuk i është vënë asnjë nofkë nga njerzit të cilit i kanë kërkuar ndihmë shëndëtësore dhe nuk i ka shkuar ndër mend se një ditë mund t’i dalë kush përpara për ta fyer, për ta ofenduar si hajdut ordiner. Përkundrazi. Pacientët nuk dëgjuan kurrë nga goja e tij se mungojnë mjetet e domosdoshme të mjekimit, se mungojnë pajisjet, se nuk ka dezifektues, e kështu me rradhë. Mjeku, në një farë mënyre, vetëqeveriset, i del për zot punës ashtu si ia jep përgjegjësinë ky profesion human, i pazëvendësueshëm për nga rëndësia që ka në shpëtimin e jetës së njeriut. “Nuk mund të të shërbehet nga mjeku pa dhënë para”, është togfjalësh i panjuhur për mjekun tepelenas, Xhevdet Xhemalin, specialistit kompetent, i cili nuk grumbulloi para apo të ndërtonte jetë luksi. Jo, ai la emërin e mirë, “Nderi i Qarkut” të Gjirokastrës. Autoriteti shkencor i tij u formua vetëm me punë, studim dhe përkushtim ndaj shkencës dhe të sëmurit. Dashuria për librin, studimin, eksperimentin, debatin shkencor, vrojtimin ose observimin e rasteve të shumta dhe të veçanta për sëmundje të ndryshme, ishin dhe mbeten ambicia kryesore, ashtu si e çdo mjeku që punon në dobi të popullit. Sot, sipas mendimit të Xhevdet Xhemalit, prodhohen diploma e jo mjekë. Sot, gjithmonë sipas tij, disa mjekë e kanë zemrën më të vogël se të bretkosës.
Sigal