Bashkim Koçi/ HASHASH…

517
Sigal

“Ky prodhim gëzon dhe meriton të quhet hashash “Made-in Lazarati”, duke nderuar e përjetësuar kështu emrin e fshatit ku ai prodhohet, magazinohet, ambalazhohet e çohet në destinacionin përkatës. Gjithçka sipas standardeve që kërkon Europa. Asnjë produkt tjetër, bujqësor, blegtoral apo industrial nuk   Si shumë të tjerë edhe unë nuk e kam patur fatin të vizitoj Lazaratin. Nga brenda më vlon dëshira e më ndizet shpirti që të mund të shkoja një herë atje, të takoja e përqafoja ata trima burra e ato trimëresha gra, të cilët kanë vënë përpara të gjitha strukturat e shtetit, me ushtri, me polici, të gjitha ministritë e të gjitha qeveritë e derisotme. I kanë mundur të gjithë. Madje, po të më kërkoje, pra që unë të zgjidhja, nëse më viheshin përpara disa alternative, vende të lakmuara për një guidë turistike, p.sh, në Majorka, më besoni unë do të përzgjidhja Lazaratin. Jo për gjë, por aty, pra në Lazarat, gjen çudira që të çudisin. Aty në Lazarat do të mundesh të mësosh e të dëgjosh kuriozitete  që ngjasin vetëm atje. Këto ditë e këta muaj, të vitit 2013.

  Po çfarë? Aty  një fshat i tërë, banorët e tij (kultivues të mrekullueshëm të hashashit), janë organizuar si “në rrethim”,  i kanë ngritur të gjitha strukturat “e shtetit” brenda komunës (me në krye kryekomunarin) për t’i bërë ballë “hordhive” që vijnë nga Tirana e që gjenden aty në emër të shtetit me qendër në Tiranë. Madje, i kemi parë  që këto “hordhi-koti” të jenë zmbrapsur e të detyrohen të fshihet si të  menderosura  “prapa ferrës”. Ata janë qëndrestarë që të mahnitin, si të jenë të gjithë “gjeneralë” të vërtetë. Sigurisht, jo si gjeneralët që gradon e “gjeneralizon” Presidenti Nishani, por nga ata që për simbol të fitores, në vend të degës së ullirit, kanë atë çudibërësen, të hashashit. Në hyrje të fshatit, siç bëhemi me dije nga media, është një postbllok i cili, me demek, vrojton, kontrollon dhe kthen mbrapa të gjithë “të dyshimtët”, ata që mund të hyjnë e të dalin në Lazarat  për çështje që kanë lidhje me hashashin.  Por, paralelisht me postbllokun e policisë të Hysni Burgajt, është një postbllok tjetër, ai prej vërteti dhe që kontrollon non-stop, me kamera vëzhguese, gjithçka, të gjitha “vendimmarrjet” e tij, për t’u dhënë drejtimin e duhur, atë që “të lerë në punën e tyre” prodhuesit e hashashit. Lazaratasit i bëjnë “zbor” Policisë se Shtetit,  e kanë bërë të flasë me vete.

  Lazaratasit, tashmë, pas një pune disavjeçare, vërtetë shembullore, të mundimshme e me jo pak vështirësi për të çarë tregun ndërkombëtar, kanë zënë vendin që meritojnë, janë  afirmuar sa më s’ka dhe, për të qenë të vërtetë, ky produkti që ata kultivojnë  po bëhet gjithnjë e më i kërkuar në Perëndim, në shtetet më me zë të Europës. Ky prodhim gëzon dhe meriton të quhet hashash “Made-in Lazarati”, duke nderuar e përjetësuar kështu emrin e fshatit ku ai prodhohet, magazinohet, ambalazhohet e çohet në destinacionin përkatës.

 Gjithçka aty “ujdiset” sipas standardeve që kërkon Europa. Asnjë produkt tjetër, bujqësor, blegtoral apo industrial nuk tregtohet për eksport kaq cilësisht, strikt në çdo kërkesë, sa hashashi i Lazaratit. Në këtë punë voluminoze, nga mbjellja e fidanëve e deri në nisjen e prodhimit për “eksport”, nuk është parë asnjë ndihmë e dikasterit, as nga Ministria e Bujqësisë e as nga ajo e Shëndetësisë. E kanë përballuar me forcat e veta. Kanë siguruar bazën materiale (farëra e fidanë), kanë përballuar mirë nevojat për makineri e mekanizma. Madje, edhe fuqinë punëtore, prashitës e ujitës, të cilët vijnë “me vrap” nga rrethet fqinj, e pse jo, edhe nga i gjithë vendi. Kushtet e punës dhe pagat janë goxha të mira,  si të punosh “për prodhimin e drogës”.

  Këtu, brenda vendit, nuk na janë dhënë tregues të detajuar rreth rezultatit të  “të korrave”  nga hashashi i Lazaratit. Ditët e fundit patëm mundësinë të njihemi me informacionin që dhanë disa media italiane, të cilat u bënë shkas për të shoshitur e nxjerrë të vërtetën rreth kësaj pune që bëjnë lazaratasit. Të ardhurat në valutë janë impresionuse, të bëjnë që t’ja mbathim të gjithë, duke përfshirë edhe Policinë e Shtetit me kryepolicin Burgaj, e të shkojmë në Lazarat për të bërë prokopi. Shifra e prodhimit që jepet në total dhe që gazetat italiane sjellin shifrën 900 ton, sipas meje, është e besueshme. Të besueshme janë dhe shifrat e tjera. Janë bërë me seriozitet, sipas procedurave dhe çmimit të hashashit nga nisja, deri sa mbërrin në stacionin e fundit, tek konsumatori.

  Banorëve kultivues të Lazaratit, nëse çmimi i një kilogrami hashash është 350 euro, aq sa është çmimi i tregut,  u mbeten rreth 320 milionë euro. Është një shumë e lakmueshme, nuk janë pak për një fshat, i cili përpara se t’i hynte kultivimit të hashashit, vuante për bukën e gojës. Por mediat e shtetit fqinj japin shifrën 4.5 miliardë euro, aq sa do të na duhej  për të larë borxhet dhe për “të rilindur” prej vërteti, pa as një lloj dhimbjeje. Edhe kjo e dhënë është e vërtetë. Është e vërtetë sepse një kilogram drogë tek dora e fundit kushton plot 5 mijë euro. Pra shuma marramendëse  që sollëm më lart është ajo e “stacionit” të fundit, e momentit kur ka bërë likuidimin me para në dorë edhe përdoruesi drogaxhi.  Janë me dhjetëra këta “stacione”,  dhe ashtu siç ndodh me shumë produkte të tjerë në Botë, “i ha qiraja rrugës”. Po të kemi parasysh mafien e drogës, e cila bën pazare “të kripura” sepse është njohëse e mirë e tregut dhe e allishverisheve, tashmë  pjesë e karakterit të tregtarëve, çdo gjë është brenda “normalitetit”. Për t’i dhënë informacion të saktë lexuesit po japim edhe çmimet hap pas hapi, dorë pas dore, ashtu si kalon ky produkt tek tregtarët. Një kilogram hashash del nga depua e Lazaratit me 350 euro. Tregtarët vendas ia dorëzojnë dorës tjetër me 500 euro, duke shoqëruar kladenstinçe në Greqi apo Itali me 800 euro. Pas përpunimit, e gatshme për ta përdorur nga konsumatori, shkon 5000 euro kilogrami.

  Brenda normalitetit në këtë mesele nuk është shteti, nuk janë strukturat e tij, nuk është policia dhe kryepolici Burgaj. E gjithë kjo “lojë” që bëhet me Lazaratin është një turp, është fytyra e faqeziut shtet, i cili bën sikur është “ngritur në këmbë” për të “asgjësuar” prodhuesit e lëndëve narkotike (jo vetëm në Lazarat), dhe nga ana tjetër është “ngritur në këmbë” për tu bërë pjesë e këtij krimi, për të përfituar nga të ardhurat marramendëse që sigurojnë prodhuesit e hashashit. Dhe komanda, për të mos “i prishur gjakun” asnjë lazaratasi,  jepet nga Tirana, e japin ata që komandojnë, ata që ne i kemi konsideruar si pjesë e këtij krimi. A mund ta hajë kush, a mund të jetë e besueshme, qoftë dhe për shqiptarin më të humbur, që kultivuesit e drogës, ata të Lazaratit, janë të “pamposhtur”,  janë më të fortë se shteti?  Logjika të thotë se ky “trishtim” i policisë për “humbjen e betejës” me Lazaratin është fals, një “shaka” që bën të gajaset së qeshuri edhe kafsharin që transporton hashash me mushka drejt Europës së zhvilluar. Serioze do të ishte që kjo punë të ndahej një herë e mirë nga “oxhaku”, ata të cilëve populli “i ka bekuar me votë” për t’u dhënë drejtim punëve. Në të kundërtën do të ishte njerëzore, “e ndershme” që t’i themi publikisht Lazaratit, të gjithëve atyre që kultivojnë hashash:  U vaftë puna e mbarë!