Bashkim KOÇI/ Faqja e zezë e guvernatorit

584
Sigal

Diku lexova këto ditë në rrjetin social Facebook, që Presidenti i një shteti të varfër në Amerikën Latine, të Uruguait, Jose “Pepe” Mujica, merrte vetëm një të dhjetën e pagës që i është caktuar nga shteti i tij. Nga 12.500 dollarë të shumës mujore, zoti Mujica tërheq nga llogaria e tij vetëm 1250 dollarë. Pjesën tjetër, pra 11450 dollarë, kalojnë për llogari të mensave publike, ua fal njerëzve të varfër, bashkëkombësve të tij, të cilët vuajnë për ushqim. Sigurisht, kur njihesh me një fakt të tillë s’ka si të mos të më shkojë mendja tek “këta tanët”, tek ata që, si të pangopur që janë, nuk po lënë gjë pa bërë për t’u pasuruar, në rrugë të ligjshme dhe të paligjshme. Në këtë çka po them nuk e kam me homologun e Presidentit Mujica të Uruguait, zotin Bujar Nishani. Më duhet të merrem me ca të tjerë me të “veckël”, me ca që të bëjnë  të të “trazohen zorrët e barkut” për luksin që i rrethon, për jetën mondane të serës së lartë, për kapërcimin dhe ndërrimin e sojit nga “buxhak” në “oxhak”. E kam fjalën për Guvernatorin e Bankës së Shtetit Shqiptar, për zotin Ardian Fullani.  Për të qenë më i kuptueshëm për njerëzit e thjeshtë, për ata që “po u rripet lëkura” nga mëngjesi në darkë, për 23 vjet radhazi nga këta feudalë të majës së “kupolës me para”,  më duhet të sqaroj, të them diçka më shumë, pra çdo të thotë, ç’përmbajtje ka fjala Guvernator. Sipas fjalorit tonë të Gjuhës Shqipe, “Guvernator” do të thotë fjalë për fjalë “Sundimtar, zyrtar i lartë që drejton e qeveris një provincë” apo “Zyrtar i lartë që përfaqëson shtetin sundues e që qeveris në një koloni.” Dhe pas këtij përcaktimi shqip-shqip nuk e di përse u dashka të quhet “Guvernator” ai që drejton Bankën e Shqipërisë?! Nuk e di. Sepse nuk ka asnjë afërsi me çka thotë e sqaron fjalori i gjuhës shqipe. Shumë mirë mund të quhej “Drejtor”, “President” apo kushedi çfarë. Por, mesa duket është përzgjedhur ky emër, pra Guvernator, sepse i shkon më shumë për shtat, është shumë më afër për çka ka bërë e bën ky zotëri me paratë e shqiptarëve, me paratë tona. Pra i shkon fjala “sundimtar”, që qeveris një koloni. Ne, pra shqiptarët, jemi nën sundimin e Fullanit, skllevër të tij.

 Fullani Guvernator paguhet aq sa marrin të gjithë pensionistët e lagjes time, plot 8 milionë lekë në muaj. Po të bëjmë një krahasim tjetër, pra pagën e Fullanit me “të mjerët”, me ata që trajtohen me ndihmë ekonomike, ky feudal mu në qendër të Tiranës “vlen”, është baras me dy mijë hallexhinj, të cilët qëndrojnë përpara dyerve të blinduara të Bankës me orë të tëra për të tërhequr  lëmoshën e shtetit të Guvernatorit. Po nuk mbaron me kaq. Shifrat që tregojnë shumat e parave bëhen më interesante, më vrastare kur i copëzon, kur llogaritë ia bën me orë-pune, me ditë-pune. “Sundimtari” i provincës tonë paguhet plot 45 mijë lekë në orë (të vjetra, sepse edhe pagat tona llogariten me të vjetra) apo 360 mijë lekë në ditë! E merrni vesh, o shqiptarë sesa paguhet Fullhajni i Bankës së Shqipërisë? Mos e besoni po deshët! Sipas disa të dhënave të tjera, të publikuara në media, Fullani i parave tona merr rreth 115 mijë dollarë në vit, aq sa marrin treshja më e lartë e Shtetit, të tre së bashku, Kryeministri, Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit. Këto shifra janë bërë publike edhe herë të tjera, nga media të ndryshme, të shkruara e vizive, por Ardian Fullani nuk i është prishur gjaku. Përkundrazi ai, në një qetësi për ta patur zili, vazhdon të pijë gjakun tonë.

 Por ai nuk ka të ngopur, merr të tjera para. Sipas informacioneve tona Guvernatori përveç pagës mujore, ka një burim tjetër, i cili nuk shteron dhe që shkojnë “me ligj” në xhepin e tij. Janë në shuma marramendëse (bëhet fjalë për miliona). Ato, pra dengjet me para, përfshihen në kolonën “honorare”, për shërbime të ndryshme, për punë të kryera e të pakryera. Nuk po u futemi, pastaj, historive të tenderimit, të milionave, të eurove të harxhuara për “projekte” allishverishesh, për të cilat nuk ka audit që mund të nxjerrë të palarat e parave të pista. Për të nxitur kureshtjen e lexuesit, rreth “gropës së hapur me para” të Guvernatorit, mund të njiheni me një material të fundit të përgatitur nga Kontrolli i Lartë e Shtetit. Si qytetar i këtij vendi më lind e drejta të pyes: More, cili është ai mekanizëm, cili është ai “i madhi fare” që “vendos  e vulos” për pagat e këtyre zyrtarëve, të kategorisë së Ardian Fullanit? A kanë këta ndonjë “roje”, apo “bariun që i nget”, që u jep drejtim për t’i ndalur, për tu prishur oreksin për para? Apo bëjnë si ua do xhani, si ua do shpirti?Të paktën tre drejtuesit e lartë të Shtetit, pra Kryeministri, Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit  le të jenë pak “ziliqarë” ndaj tij dhe le të gjejnë “shtegun” e Ligjit, që më në fund Guvernatori i BSH të jetë më pak “sundimtar”, të jetë më afër realitetit të bashkëkombësve të tij, ti ngjajë pak, fare pak, Presidentit të Uruguait, Jose Mujicës. Sepse, more i dashur Guvernator, t’i duhet të dish që kjo Shqipëria jonë është një shtet shumë i varfër, shumë i fukarepsur. Bashkëkombësit e tu, more i nderuar Full-hjan, nuk ke ku t’ i kapësh, u shkon për t’u thënë “janë bërë kockë e lëkurë”.  Janë mijëra ata që i luten Zotit për një çap bukë, pa lëre pastaj mijërat e tjerë, punonjës të administratës së shtetit dhe pensionistë, të cilët këtë muaj iu gëzuan shtesës së pensionit në shumën gjashtë mijë lekë (të vjetër), aq sa ti, more zotëri, t‘i dhuron ligji vetëm për katër minuta. Më duhet ta ngre pak zërin: vetëm për 4 minuta. E merr vesh, o Guvernator, sesa larg je, sesa “të peshojnë …” kur krahasohesh me ne, popullin e provincës ku ti “sundon”? Ajo që e mundon më shumë njeriun, që “u tret pa e futur në dhe”, nuk është uria, por lakmia. Është lakmia për pasuri, për mall e për gjë dhe, më në fund, arrijnë një cak, bëhen “skllevër të barkut të tyre”. Për fat të keq, si dhe për shumë të tjerë, një “skllav” i tillë, i “barkut të tij” është kthyer  edhe Guvernatori i BSH, zoti Ardian Fullani. Është turp të jesh i varfër në një shoqëri të pasur dhe është po kaq turp të jesh i pasur në një shoqëri të varfër. Këtë e kanë thënë mendjet e ndritura, të urtët. Guvernatori ynë radhitet tek këta të dytët. Sidoqoftë, mbetet të jetë i mbuluar me turp. Vërtet sa turp, o Guvernator!