Bashkim Koçi/Duhan, alkool, kafe …

522
Sigal

Financat e vendit janë goditur fort, janë në gjendje tejet të mjerueshme. Flitet se qeveria në largim e Sali Berishës ka punuar  “nën dhe” (madje, edhe gjatë këtyre ditëve të mbetura)  me skenarë të parapërgatitur, me një objektiv të vetëm që Qeveria e Re, ajo e zotit Rama, ta gjejë  “magjen bosh”, të dorëzohet pa u ulur mirë në karrige. Sigurisht, kjo do t’i ngjante skenarit të fqinjit tonë, Greqisë, e cila është futur në rrugë pa krye, e rrezikuar, e kapur nga ankthi i përditshëm  nga goditjet që po i japin reformat e “shtrëngimit të rripit”. Larg qoftë!

 Atëherë si i bëhet, ku dhe si do t’i gjejë burimet financiare mëkëmbësi e Bodes, zoti Shkëlqim Cani? A është përgatitur, a po i merr masat ekipi qeverisës për t’u bërë ballë kësaj ligësie pas shpine, e cila, sipas ëndrrave që shikon Saliu, do të mund  të vënë në vështirësi qeverisjen qysh në fillim të mandatit qeverisës?

 Sipas specialistëve, ekonomistëve të zotë e me përvojë, të cilët e njohin gjendjen dhe e dinë shumë mirë ç’ka ngjarë e ç’ngjet në Shqipëri, paret janë sheshit, lekët mund dhe duhet të kërkohen këtu, brenda “mureve të shtëpisë tonë”. Ajo që kërkohet nga qeveria, e cila gjatë fushatës elektorale “ra në gjunjë”, u betua se do punojë vetëm për popullin, është që një sahat e më parë “të fillojë luftën” me  trafikantët, me të korruptuarit, me spastrimin urgjent të administratës, të cilët kanë vite e vite që punojnë për xhepin dhe jo për shtetin. Dhe vjedhja më e madhe këtu në Shqipëri bëhet në dogana.

Po merremi vetëm me tre mallra:  duhanin, alkoolin dhe kafen, të cilët hyjnë pothuajse “totalisht” në vend nga të ashtuquajturat pika doganore. Pra janë mallra që vijnë nga jashtë. Këta mallra, dhe dhjetëra e qindra produkte të tjerë, që hyjnë në Shqipëri i nënshtrohen ligjit  të doganave. Pra, për çdo njësi matëse paguan para, sipas akcizës të përcaktuar e të miratuar nga Qeveria, nga Parlamenti. Këto para, nëse në pikat tona doganore do të punonte një administratë e pastër, e pakorruptuar, pra çdo qindarkë të shkonte  në Arkën e Shtetit, do të përbënin shuma të mëdha valute, ndoshta shumëfishin e atyre të përfituara e që kanë shkuar në Buxhetin e shtetit. Gjithmonë, sipas specialistëve, thuhet se, më shumë se dyqind milionë euro “humbasin rrugëve”,  shkojnë në xhepat e trafikantëve, të doganierëve dhe të politikanëve që kanë në dorë emërtesat në këto pika “me para të madhe”. Në doganat tona, siç tregojnë faktet, hyn e del kush të dojë e si të dojë, në doganat tona nuk ka asnjë matës për çfarë hyn e çfarë del, nëse kemi parasysh sasitë e mallrave. Në doganat tona gdhihesh fukara e ngrysesh milioner. Këto që po them i dinë të gjithë qytetarët shqiptarë, i dinë militantët e partive, një pjesë e të cilëve ua kanë parë hajrin, por ca më shumë i dinë politikanët, ata që i kanë mjelë mjeshtërisht doganat tona, si askush tjetër në rruzullin e Dheut. Por ai që e di më mirë, ai që është i mirinformuar për çka ndodh me importet dhe eksportet e mallrave, është ministri i Financave, zoti Bode që po dorëzon çelësat e “thesarit-thes të shpuar” dhe të gjithë të tjerët paraardhës të tij, të cilët, siç e dimë, janë ndër më të pasurit në vend. Le të bëjmë një veprim aritmetik fare të thjeshtë. Për njëmijë cigare paguhen 3500 lekë akcizë. Njëmijë cigare i pi djali im brenda një muaji. Po të tjerët?  Sa duhanpirës ka vendi dhe sa është shuma që duhet paguar nga tregtarët e duhanit për sasinë e importuar? Të dhënat statistikore të marra nga zyrat e shtetit informojnë për 870 mijë duhanpirës. Bëni llogarinë dhe do të shikoni se sa është shuma e parave që na vjedhin çdo ditë, çdo muaj e një vit të tërë. Nëse ndonjë instancë ligjore do të mundte të konvertonte në para, nëse do të mundte të kthente në vlerë leku të gjithë atë grabitje ashiqare që është bërë e bëhet nëpër dogana, të cilat i gjen të materializuara si në depozitua personale nëpër baka, brenda e jashtë vendit, në vila që të ikën mendja, në makina luksoze e kushedi çfarë, do të na dalin shuma marramendëse. E dini sa?! Aq sa i duhen qeverisë për të kapërcyer  krizën, atë që po na i lë në derë Sali Berisha. Me produktet që përmendëm, pra kafja, duhani, alkooli, barnat mjekësore,  nafta dhe nënproduktet e saj, materialet e ndërtimit etj., etj., nga mospagesa e akcizës, nga fshehja dhe abuzimi me sasitë hyrje-dalëse, është bërë kërdia, kemi paguar qimet e kokës. Duhet ta dinë të gjithë shqiptarët, sidomos të gjithë ata që nuk kanë haber, nuk dinë asgjë se zhbëhet në pikat doganore. Në dogana deri më sot punohet me tabelë/listë ku çmimet nuk kanë transparencën më minimale. Shumën e pagesës për një mall, apo produkt e cakton doganieri. Ligji i ka lënë hapësira që të çudisin, të luajnë nga mendja. Arrihet deri aty sa pazarin për çka do të paguash e bën ai, nëpunësi, të cilit ky Ligji i bërë alla shqiptarçe ia thotë nën zë “bëj si të të leverdisë”. Jo në një rast lekët i merr qind për qind doganieri, duke e fshehur vjedhjen me hapësirën që i ka lënë Ligji: “nuk po të jap faturën”. Ndërkohë, tregtarit nuk i duhet fatura. Të dy palët dalin të fituar. I vetmi që humbet është “shteti ynë ligjor”!

 Parë me këtë shqetësim është evidente, në mos ndër masat e para që duhet të marrë Qeveria “Rama”, për të bërë zap punën në dogana. Sepse aty është leku që na duhet. Vetëm aty, nëse do të mundemi, shteti për herë të parë do të bjerë erë shtet. Sigurisht, nuk është i vetmi burim nga do të mundësohet gjetja e “thesit me para”, por e them me bindje që është kryesori, “miniera e floririt”, e cila deri tani ka qenë pronë e hajdutërisë shqiptare.

 Si e qysh do të mund të kurohet kjo vatër e qelbëzuar e ekonomisë, duhet të kërkohet ndihmë nga njerëzit e ditur, nga ata që dinë “si bëhen ligjet e si zihen shtigjet”. Pra specialistët, ekonomistë e juristë kompetentë.  Madje, mesa dimë rreth këtij problemi, duhet të bëhen ndryshime thelbësore, me efekt të drejtpërdrejtë edhe në ligjin për doganat.  Nuk është normale që lekët, të ardhurat  nga zhdoganimet të jenë në kompetencë të doganave, të administratorëve, të cilët janë lehtësisht të kapur e të bërë pis nga paraja. Le të gjendet një mekanizëm ligjor, një instancë që të mundësojë shmangien e vjedhjes. Janë mijëra e mijëra ton kafe, po kaq mijëra ton duhan, sheqer, naftë, mijëra e mijëra ton minerale që importohen e eksportohen, për të cilët shmanget pagesa e akcizës, duke paguar nën dorë, me metoda tashmë të sofistikuara.