Bashkim KOÇI/Depresion…

77

Janë ditë të veçanta ku të mos dëgjojmë lajme nga kronika e zezë për humbje jetë njerëzish. Jo për ato që shkaktohen nga aksidentet. Bëhet fjalë për disa dhjetëra individë të tjerë, meshkuj apo femra, që i japin fund jetës, duke lënë mbrapa, tek njerëzit e tyre të dashur, një barre me halle. Nga pamundësia për tu bërë ballë vështirësive vjen një çast ku helmimi i shpirtit arrin pikën ku “nuk mbajnë dot më”, ku u duket më e ëmbël vdekja e menjëhershme, sesa të vdesin pak e nga pak, si në një torturë të pafund. Dhe kështu gjendet rruga më e shkurtër për të shkuar “me dëshirë” drejt vdekjes. Të vetëdijshëm për të gjetur “shpëtimin”. Të dëshpëruar deri në cakun ku “o shpirt përse nuk del” vetëvriten, vetëflijohen, duke u hedhur nga lartësitë e pallateve, gjejnë rrugët më “të sigurta” për të mos u kthyer më në këtë Botë të ndyrë. Shifrat janë alarmante, të vësh duart në kokë. Ato janë publike, i thotë vetë policia e shtetit. Dhe është e nevojshme t’i përsërisim këto shifra për të marrë vesh ku po shkojmë si popull. Përse kështu, çfarë ka ndodhur me racën tonë, që njihemi në tërë botën si njerëz që e duam jetën, që edhe pse të varfër, i jemi gëzuar asaj në çdo çast? Jetën e kemi “falur” veç për probleme madhore, të cilat kanë të bëjnë, jo pse nuk i bënim dot ballë, por për të jetuar me nder e dinjitet, nga dashuria për të, siç janë, fjala vjen, luftërat për mbrojtjen e Atdheut. Pas lajmit të ikjes së një njeriu, të “vetësakrifikimit” të tij, kemi dëgjuar edhe “shkakun” që e detyroi personin të marrë këtë vendim: DEPRESIONI! Vetëm kaq. Nuk jepen hollësira të tjera, qysh e pse erdhi ky depresion.

Të vetëflijohet një njeri, t’i jap fund jetës me vetëdije, duke lënë mbrapa fëmijët, prindërit, bashkëshortin apo bashkëshorten, sikur nuk e justifikon dot “shkakun” që publikon policia: depresioni. Gjërat, mendoj se duhen parë më thellë, më njerëzisht, të paktën për Njeriun që “guxoi” të mos ta dojë më jetën. Pra, mirë që u bë sebep “depresioni” për t’u bërë “i marrë” e të pish kupën me helm, po nga kush erdhi kjo marrëzi, kush është shkaku që arrihet deri aty sa të mos merret parasysh asgjë nga “helmimet” e tjera që lë tek të gjallët? Në të gjitha rastet, absolutisht në të gjitha, të vetëflijuarit kanë qenë të varfër në ekstreme të paimagjinuara, të futur në borxhe bankash e individësh të papërballueshme, në çështje që vetëm vdekja “është kapak floriri”. Ai që i bën atentat vetes, nuk është se sillet kështu nga verbëria që i ka zënë sytë për të shpëtuar  nga hidhërimet që nuk i ndahen për një kohë të gjatë e që nuk kanë ndërmend të sosen. Jo. Në shumë raste marrin guximin për t’u bërë “garanci”, për të lehtësuar jetën e pasardhësve, të fëmijëve. Nuk mund të harrohet lehtë vetëhelmimi i një burri nga Librazhdi, i cili kishte lënë një copë kartë të shkruar në trajtë lutjeje që fëmijët të mos nxirreshin nga shtëpia sepse nuk kishin para për të shlyer detyrimet ndaj bankës. (!) “Ndoshta mjafton jeta ime” ka menduar ky baba, i cili e dinte mirë që po linte mbrapa gruan me një tufë vocërrakësh të zhytur në varfëri. Fjala është se kjo shoqëri që po ndërtojmë nuk e ka në hesap jetën e njeriut. Mund të jesh në hall të madh, e hallin nuk ta qan kush. Nuk ka as mik e as shok që të të gjendet pranë, për të ta lehtësuar sadopak, qoftë edhe shpirtërisht, barrën e hallit që të ka rënë. Secili shikon punën e tij ndërsa shteti, ata që kanë marrë përsipër të jenë “kryefamiljar i të gjithëve”, jetojnë në tjetër “dynja”, në parajsën e vetvetes. Të gjithë i kemi parë sekuencat filmike të një rubrike të mirënjohur “Shqipëria tjetër”. Janë rrëqethëse, gati-gati të paimagjinueshme për ne njerëzit që hymë në mijëvjeçarin e tretë. Po e vërteta është ashtu, pa pikë e pa presje. Burrave e grave të nderuara, të cilët në një kohë jo të largët e mbanin kokën lart, varfëria ua ka çuar pjacën në fund, në kufij që “i frymëzon” t’ia bëjnë “bam” për të shpëtuar njëherë e mirë.  Dëgjojmë çdo ditë debate analistësh për çështje nga më të mërzitshmet dhe herë- herë banale! Për atë çka e bëmë objekt të këtij shkrimi, pra përse ne shqiptarëve na është mërzitur jeta, aq sa të shkohet drejt vdekjes “me ndërgjegje”, për qamet se i shkon ndërmend kujt të debatohet për të vënë gishtin aty ku është plaga. Sociologët, filozofët, madje edhe politikanët  e ndershëm s’ka përse të mos harxhojnë, qoftë edhe pak kohë, për t’i dhënë përgjigje pyetjes: përse ka arritur ky popull në këto caqe dëshpëruese, aq sa ka arritur “të vdesë” pak e nga pak, duke ia “hequr vetes” me dorën e tij?