Bashkim KOÇI/Amaro Dives

649
Sigal

Një njeri normal ndjehet keq kur përballet me qëndrimin prej “gangsteri” të përfaqësuesve të shtetit ndaj një grupimi njerëzish të pambrojtur, të nëpërkëmbur nga shoqëria e qeveria, siç janë romët. Jemi ndoshta vendi me racist në Ballkan, që meritojmë të zëmë “vend nderi” për lënien pas dore të këtyre njerëzve, ndër më fatkeqit e të përbuzurit për diskriminimin që u bëhet. Dhe, sigurisht, nuk është fjala për ne, njerëzit e zakonshëm, ne që nuk kemi në dorë “as pullë e as vulë”, por për shtetarët, për deputetë e ministra, për gjykata e prokurorë dhe ndoshta edhe për atë që nuk ka nxjerrë, qoftë dhe “një  qime nga qulli”, Avokati i Popullit.

  Këto ditë të gjithë i kemi parë skenat “luftarake”, të cilat janë shfaqur në ekranet e TV-ve ku romët, burra, gra e fëmijë, në kushte të një varfërie të tejskajshme, nxirren përjashta nga “shtëpitë”, duke i shtyrë e pështyrë, sikur të ishin “mbetje” për t’i hedhur në kosh të plehrave. I kemi parë dhe ndërkohë na ka pushtuar ajo ndjenja humane, ajo njerëzorja dhe “thirrja e Zotit”, duke belbëzuar me buzë që dridhen nga zemërata “ç’janë këta banditë që sillen kështu, ç’është kjo polici që trimërohet e ngre shkopin mbi romët”?

  Por vetëm për disa çaste sepse, duke menduar se cili është shteti ynë, cila është qeveria që kemi mbi krye (shyqyr që në fillim të shtatorit  thyen qafën), çdo gjë, qoftë dhe pështyma që u hidhen në fytyrë grave e burrave fisnikë romë, është “e justifikueshme”.  Ata, pra ky shtet dhe kjo qeveri, ashtu si u sollën me këtë popull për tetë vite qeverisje, nuk kishte si të silleshin ndryshe me “racën e nëpërkëmbur”, romët.

  Përse janë sjellë e po vazhdojnë t’i trajtojnë  në mënyrë kaq shtazarake këta njerëz “pa atdhe”. Për të mos i ardhur rrotull e rrotull problemit, duhet thënë troç dhe shqip: prapa “entuziazmit” të policisë, prapa “objektivitetit” të Bashkisë së Tiranës për të zbatuar “planet rregulluese” TË kryeqytetit, fshihen interesa të drejtpërdrejta të individëve të caktuar, nxjerr krye babëzia e njerëzve të inkriminuar, të njohur nga të gjithë si biznesmenë të fushës së ndërtimit, të cilët janë bërë të fuqishëm dhe nuk druajnë të vënë gjithçka përpara, qoftë dhe jetë njerëzish.

 Përgjegjësia për “spastrimin” që ka shpërthyer  dhe për këtë  “teatër” që po luhet ndaj komunitetit  rom, sipas meje, qëndron gjetkë. Atë e shikon edhe ai që nuk ka sy, e dëgjon edhe ai që nuk ka veshë. Është lehtësisht e kuptueshme që këtu tek ne nuk funksionojnë, nuk bie fare erë institucionesh, është si të jetosh atje ku ligjin e bën i forti. Nuk pyet kush për mua “gaxhoin”, e lëre pastaj  të kenë shpresë për të gjetur të drejtë romët, “arixhinjtë”.

  Disa kohë më parë, atëherë kur Avokat i Popullit u zgjodh zoti Totozani, na lindi një fije shprese, na u duk sikur në një shkelje të Ligjit, në një nëpërkëmbje të të drejtave të njeriut, të dilte për zot një institucion serioz, Avokati i Popullit. Na lindi kjo dritëz shprese sepse Avokati, zoti Totozani u bë shumë aktiv, e mori në sy, si të thuash, problemin e shkeljes së Ligjit, por në veçanti ato që kishin të bënin me komunitetin rom. E mbani mend të gjithë se si ai mori kurajon që “të spastruarit” nga banesat e tyre, diku në periferi të Tiranës, t’i “strehonte” në mjediset e  zyrave ku punonte administrata e tij, diku aty nëpër korridore. U çuditëm të gjithë, të zinj e të bardhë, por kjo punë nuk zgjati, veçse disa ditë, sepse zotit Totozani, autoritetit te tij nuk ia vari kush, nuk u bë e gjallë asnjë hallkë e shtetit për t’ju gjendur romëve të lënë në mes të rrugës. Edhe ato ditë u fol për lidhje të mafies së tokave me firma ndërtimi, nuk u la gjë pa u thënë nga mendja, por në fund të fundit fituan ata, të lidhurit me shtetin, ndërsa romët mbetën me  rreckat në krah, morën drejtimin për në “barëra të virgjëra”.

  Nuk jam i mendimit që në  mes të Kryeqytetit, të Tiranës tonë të bukur,  ashtu si e kemi, të “lulëzojnë” shtëpitë-çadra, të krijohen lagje periferike me njerëz të kapur nga fukarallëku. Shqetësimi si njeri, si qytetar, qëndron tek kujdesi, tek përgjegjësia që duhet të këtë shteti tek kjo shtresë e pambrojtur, e braktisur nga të gjitha drejtimet. Sepse, po të merren të gjithë treguesit një e nga një, del që komuniteti  rom është më i diskriminuari, më i papërkrahuri nga ai që ne, për fatin tonë të keq, e konsiderojmë të jetë shtet. Tek numri (nëse ka ndonjë statistikë për romët) i të papunëve ata zënë përqindjen më të madhe, gati-gati të pa përfaqësuar në punët shtetërore. Ia kanë dalë “me forcat e veta”, janë të punësuar tek firma e krijuar nga zotësia e fantazia e tyre, tek “gabi”. Pra në gjithçka që mbush jetën e këtij komuniteti dora e shtetit nuk duket. Kjo dorë është shfaqur sa herë ka dalë “shqetësimi” i atyre që kanë dashur t’i largojnë për të ndërtuar. Dhe pa iu dridhur zëmra u kanë vënë drunë. Se ku do të shkojnë këta njerëz, të cilët marrin frymë, kanë farefis dhe familje, fëmijë të parritur e me plot halle dhe që në fund të fundit  e duan jetën jo më pak se ata që janë në siklet se si të mund të shtojnë pasuritë, një zot e di. Presidenti i Shoqatës së Romëve, zoti Gurali Mejdani, është ndjerë këto ditë, (por edhe në raste të tjerë kur romët janë bërë objekt i spastrimeve për interesa të caktuara), i fyer, i papërfillur, si të ishte ai “gabeli tek Bregu i Lumit”. Parashikimet e tij, të cilat janë denoncuar pranë dikastereve përkatëse, dolën absolutisht të vërteta, si të kish qenë një “fallxhor” perfekt i sojit të tij.

   Besoj se nuk ka gjë më të shëmtuar, më antihumane, që na ka  bërë me “balashkë” në qëndrimin ndaj ciganëve. Dhe në këtë “dyluftim” si ky, romët nga njëra anë dhe shteti me forcën e parasë nga ana tjetër, “humbësi”, pra romët,  një gjë e ka të sigurt:  diku do të mundin të jetojnë, diku do të mundin të gjejnë “troje të lira”.  “I skllavëruar” do të mbetet shteti, Shqipëria,  sepse, sipas F.G Lorkës “Një vend pa ciganë, është një vend pa liri”. Dhe më tej akoma, nëse ky shtet, qeveria e shtatorit nuk do t’i trajtojë ashtu si edhe e kërkon Europa, romët në një farë mënyre do të “hakmerren”, do të  na lënë jashtë dyerve të saj.

 Për t’i mbyllur këto radhë në mbrojtje të ciganëve , të komunitetit  rom, po sjell vargjet e një kënge, të cilën ata, romët,  e këndojnë si një himn për varfërinë ekonomike që i shoqëron e i dërrmon shpirtërisht gjatë gjithë jetës: Jam sëmurë, jam sëmurë,/Do vdes nesër në agim./Ç’ka do bëjë i shkreti babë,/Që s’ka lekë për varrin tim?

 *“Amaro Dives” në gjuhën shqipe do të thotë “Ditët tona”dhe simbolizon 14 Majin e vitit 1991, dita kur u themelua Shoqata e Romëve në Shqipëri.