Bashkim HOXHA/Listat e deputeteve dhe listat e zgjedhësve

535
Sigal

Të zënë me listat e deputetëve, partitë politike po anashkalojnë problemet që kanë listat e zgjedhësve. Ndërsa ne të gjithë po jetojmë një spektakël lakuriq të mungesës se demokracisë. Pothuajse çdo ditë, në sytë tanë ne shikojmë spektaklin e radhës: njëlloj si në një lojë skenike, dalëngadalë hiqen petkat nën drita blicesh e prozhektorësh, para kamerave të shumta dhe fillojnë të zbulohet me suspans dramatik lista e deputetëve të ardhshëm. Njerëz të njohur, për mirë a për keq, të pavarur që heqin dorë nga pavarësia, të tjerë në listë pritjeje në një lojë të ashpër mediatike për të qenë të dukshëm dhe të mos harrohen në këto momente deçizive. Nuk gjykojmë emrat, vlerat e shtuara apo të hequra, kjo është çështje e partive që hyjnë në garë dhe se sa me vlerë ka qenë zgjedhja do ta gjykojnë njerëzit kur të japin ose të mos japin votën. Por ia vlen të gjykojmë mënyrën se si dhe kur paraqiten kandidatët për deputetë. Fushata ende nuk ka filluar, forumet përkatëse të partive ende nuk janë mbledhur sipas statuteve respektive për të marrë vendime, por mungesa e demokracisë në Shqipëri nuk ka cipë dhe bërtet.

Edi Rama e filloi me një lloj arrogance këtë lojë, si për të treguar se Partia Socialiste nuk e ushqen më iluzionin e të qenit një grup një funksionon sipas disa rregullave statutuore. Unë nuk e kam ende të qartë se përse atij, që paraqitet i sigurtë si kryeministri i ardhshëm, i duhej të tregonte në këtë mënyrë pa asnjë ndjenjë faji se kjo parti që kërkon të vijë në pushtet është një parti e privatizuar dhe vendimet janë vetëm të kryetarit. E vetmja gjë që i shkon logjikës është se ndoshta kjo vlen për t’u treguar të interesuarve se çdo gjë është në dorën e tij dhe se kushdo që dëshiron të jetë në listat e deputeteve duhet të negociojë vetëm dhe vetëm, me kryetarin. Kundërshtarët e Partisë Socialiste thonë se ka edhe një pazar për të blerë postin, por unë nuk e shoh në këtë aspekt. Ajo që më intereson është të kuptoj se si ka mundësi që autoritarizmi, praktikat jo demokratike nuk ndihen ngushtë në politikën shqiptare, përkundrazi shpërfaqen bashkëshoqëruar me tirada të tëra për demokracinë që premtohet përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Autoritarizmi në politikën shqiptare është shumë evident, por kjo praktikë e fundit e shpërfaqur kur vendimet e merr vetëm kryetari duke anashkaluar forumet përkatëse, nuk mund të konsiderohet si sinqeritet për të thënë të vërtetat. Fakti që veprohet hapur, trimërisht, është një arrogancë e tepërt që zbeh çdo shpresë se gjërat me kalimin e kohës ndreqen. Praktika të tilla tregojnë të kundërtën, sa më shumë kalon koha, aq më shumë gjërat prishen duke marrë me vete edhe shpresën.

Problemi i listave të deputetëve zien nga të gjitha anët. Sondazhe, dalje në konferenca shtypi, shfrime në facebook e në twiter, bursa e emrave që ngjiten dhe emrave që bien është bërë e ethshme si ndeshje të kampionatit të futbollit, mungojnë vetëm skedinat. Tifozllëku, hatërmbetjet, befasitë janë ngjyra më e ndezur në media, në bisedime, në preokupimin e politikës. Në mënyrën se si e parashikon ligji, partitë politike kanë mundësi të ndërtojnë një parlament me vlera të spikatura njerëzore. Emrat e parë në listë, pothuajse deri në gjysmë, e kanë të sigurt që do të jenë në parlament. Por në vend që kjo mundësi që ofron ligji të sjelli një parlament cilësor, druaj se si edhe në radhën e kaluar do të sjellë një parlament që shpreh shijet e kryetarit të partisë dhe jo edhe aq shumë përfaqësimin e natyrshëm vlerave të shoqërisë apo të grupeve të interesit publik e të qytetarit. Ne do të kemi miq të kryetarit, servilë të kryetarit, trima të kryetarit që japin garanci se “mbrojnë votën”, (a thua se bëhen zgjedhje për drejtorë policie), blerës të kryetarit, shitës të kryetarit, intelektualë të kryetarit sipas përshkallëzimit që bën vet ai dhe do të na mungojë gjykimi i më shumë mendjeve brenda vet partive për të paraprirë gjykimin e ashpër dhe pa mëdyshje që më pas në ditën e zgjedhjeve do të bëjnë vet qytetarët. Ndërkaq dita e zgjedhjeve po afron.

Si gjithmonë, zgjedhjet tek ne bashkëshoqërohen me probleme në çdo hap. Diçka u tha për listat e zgjedhësve, diçka sikur u belbëzua për vendimmarrjet në KQZ, më duket se u fol aty këtu edhe për reklamat e partive politike, për kohën televizive, sikur dëgjuam edhe diçka gjysma rrokjesh për komisionarët që do të administrojnë procesin zgjedhor, ndoshta disa fjalë dëgjuam si një gjë të largët edhe për probleme të tjera, por gjithçka zbehtë, si pa ndonjë interes të veçantë dhe përsëri vëmendja kalon dhe rikalon tek listat e deputetëve. Sikur t’ia linin forumeve një diskutim të thellë për to, jo vetëm do të zbatohej statuti dhe do kishim ndonjë shenjë të demokracisë së brendshme, por do të mbetej edhe energjia dhe vëmendja e duhur edhe për të gjitha ato probleme që bashkëshoqërojnë zgjedhjet. Të zënë me listat e deputetëve, u harruan fare listat e zgjedhësve.