Bashkim HOXHA/ Agim Bajrami, midis qiellit dhe tokës

757
Një prej numrave të fundit të një reviste që boton poezi online në frëngjisht kishte për moto: Poetët janë ata që fluturojnë në qiell. E vërteta është se në qiell ata i ngjit frymëmarrja e tyre poetike, inspirimi dhe ajo behotje që krijon rima, ritmi dhe ndjesia. Agim Bajrami e përfaqëson më së miri këtë përcaktim. Ai na ngjit në qiellin e pamasë të ndjesisë njerëzore përmes poezive të tij të një stili prej kohësh të konsoliduar, të një stili lirik që ai i qëndron besnik. Përballë eksperimenteve cerebrale të kohës së sotme që në të shumtën e rasteve e kanë ftohur komunikim poetik, Agim Bajrami ka mundur të ruajë ndjesinë, muzikalitetin dhe ritmin në një botë materiale, të vrazhdë dhe jo shumë miqësore me poezinë çeleste, pra qiellore, të ndjesisë së brishtë.
 
Libri “Ditarët e mjegullës” e përfaqëson qartë këmbënguljen rigoroze të tij për të mos tradhtuar veten që në titull. Çfarë ditari mund të mbahet për mjegullën që fsheh peizazhe dhe davaritet më pas me shpejtësi si të mos ketë qenë kurrë më parë? Mjegulla qëndron midis qiellit dhe tokës me të vërtetat gjysmë të fshehura dhe të vërtetat gjysmë të shfaqura. I gjithë ky vëllim është një peizazh i plotë i realitetit, ku mjegulla që i jep brishtësinë, është vet poezia. Ka shumë vargje që përshkruajnë itinerarin qiellor ku lëviz poeti. “Prej ere janë gjashtë ditët e javës”, “Koka jote kishte flokë prerjesh”, “një fllad me zë prej mëkatari,” “gjithë vajzat ngjajnë me trille ajri…” “e dashura ime është hëna…”, e shumë vargje të tjerë të spikatur. 

Por veçanërisht në këtë vëllim poetik, Agim Bajrami nuk është mjaftuar vetëm me qiellin. Të lëvizi nëpër qiell për një poet si ai, është një gjë normale, fare e lehtë, është tepër familjar me hapësirat pa kufi. Por në librin “Ditarët e mjegullës”, Agim Bajrami është poeti që lëviz si në qiell edhe në tokë, mrekullisht. E veçanta e këtij libri është se poezia e Agim Bajramit është sfiduese me problemet e përditshmërisë dhe ai ka mundur të sjellë peizazhin e mjegulluar të halleve njerëzore, të mjegulluar prej ndjesisë poetike. 

I sigurt në stilin e tij, ku ritmi përcaktohet nga hapat që hedh ndjesia poetike, Agim Bajrami sjell jo vetëm peizazhe, por edhe portrete dhe mbi të gjitha problematika jetësore, në pamje të pare prozaike, por që ai di t’i kthejë në poezi me shkopin magjik të mjeshtërisë së tij. “I çmenduri i lagjes sime”, “Pashako e Cërrikut”, “Në lokalin e mafiozëve”, “Monologu i një të dënuari me vdekje”, “Bastardët”, “Rebelim” janë vetëm disa prej titujve që na zbresin në realitete tokësore ku ne gjejmë poetin që vuan realitetin e pamjaftueshëm për të, psikologjinë njerëzore dhe raportet e përçudnuara anatyrale në realitet brutale të jetës që i sfidon poezia. 

Meritë e autorit është se ai mbi të gjitha, këtë peizazh njerëzor të trishtë, e mbivendos shpirtin e tij poetik, dhimbjen, trishtimin, revoltën. E mbivendos ashtu siç mbivendoset mjegulla mbi peizazhe duke shtuar tonalitetin poetike dhe aty ku nuk është, peizazhe të vrazhda që i bëhen të bukur pikërisht prej këtij tisi mjegulle ndjesie. 
Agim Bajrami është një poet i qiellit, por ama është edhe poet i tokës dhe kjo i jep një përmasë komplekse dhe madhore krijimtarisë së tij të pjekur poetike. “Ditarët e mjegullës”, kam mendimin se është një libër para të cilit besoj se çdo krijues do përkulej me nderim, edhe nëse adhuron zotin e qiellit, lirizmin, edhe në se adhuron zotin e tokës, vërtetësinë, sepse qiellin dhe token i bashkon poezia e tij e mirëfilltë.
Sigal