Bardhyl KALAJA*/ Kalaja e Ndroqit, në grahmën e fundit të ekzistencës së saj

2802
Sigal

Për syrin e vizitorit, që e shikon atë nga rruga automobilistike Tiranë-Durrës, që kalon nëpër Ndroq, kalaja me të njëjtin emër duket si një piramidë e vendosur në një kodër, e cila ka shpat të pjerrët dhe tarraca të shumta. Në pjesën e sipërme të kodrës, aty ku është vendosur kalaja, është formuar një pllajë dhe që andej pikërisht kur arrin në majë të saj, mund të dallohen lehtë Tirana, Durrësi, por dhe kala të tjera përreth Tiranës, si: ajo e Petrelës, Ishmit, Prezës, dhe më shumë vështirësi kalaja e Beratit. Të tëra këto kala, përfshirë edhe atë të Lalmit, Tujanit, Dajtit, që tani pothuaj nuk dallohen fare, janë ndërtuar aty nga shekulli i IV-t, deri në shekullin e VI-të, pas Krishtit, për mbrojtjen e qytetit të Durrësit, ose Dyrrahut të lashtë. Nëse kthehemi në histori, kalaja e Ndroqit, është një nga më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet në llojin e saj, në rrethin e Tiranës. Por ndryshe nga e shkuara, e tashmja sot është krejt tjetër, sepse nëse ka pasur dje një histori të lavdishme, sot është thjeshtë një monument i harruar që po shkon drejt rrënimit përfundimtar. Për ta bërë lexuesin e këtyre rreshtave që po shkruajmë më të interesuar, si dhe për të tërhequr vëmendjen e organeve vendore dhe qendrore të shtetit, posaçërisht të Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve vartëse të saj, e ndjejmë për detyrë të ndalemi pak në ndërtimin e kalasë, vlerat historike që ka, pozicioni që zë dhe roli që ka luajtur në kohë të ndryshme. Kalaja është ndërtuar në majën e malit me lartësi 910 metra mbi nivelin e detit. Në të dy anët e këtij mali kalojnë rrugë të shtruara me kalldrëm me gjerësi 1,50 metra dhe 1,60 metra që e lidhin atë me Ndroqin. Pjesa e sipërme e malit, pikërisht atje ku është vendosur kalaja ka formën e një pllaje me gjatësi 300 metra dhe gjerësi 150 metra. Bashkë me mikun tim, z. Muhamed Kalaja, njeri i pasionuar pas vlerave muzeale e kulturore të zonës, vendosëm të ngjitemi në majën e kalasë dhe të shikojmë çdo gjurmë të lashtësisë së kësaj vepre të ndërtuar me aq mund e sakrifica nga të parët tanë. E teksa kemi arritur aty në majë, bindemi që kalaja është degraduar, dhe si të thuash, është në grahmën e fundit të ekzistencës së saj. Vëzhgojmë me kujdes muret, ku të bie në sy një sistem i dyfishtë mbrojtjeje të jashtme dhe të brendshme, dhe të vjen keq që gjurmët e murit të jashtëm rrethues thuajse janë zhdukur plotësisht. Ato pak fragmente që ruhen janë të mbuluara nga dheu, gjë që e bën të vështirë identifikimin e tyre. Të vetmet pjesë që duken janë pjesët e themeleve. Mos ekzistenca e murit të plotë e bën të pamundur përcaktimin e trashësisë së murit rrethues të jashtëm. E këqyrim me kujdes çdo cep të kalasë, e shikojmë se brenda saj ndodhet një stere për grumbullimin e ujit. Muri i brendshëm ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës, i cili në pjesën më të madhe të tij, është i rrëzuar dhe mjaft i dëmtuar. Për ndërtimin e tij janë përdorur blloqe të mëdhenj me trashësi deri në 1,8 metra. Fatmirësisht vetëm në faqen verilindore muri ruhet në gjendje të mirë. Ai ka një lartësi prej 6-7 metra dhe na jep një panoramë të përgjithshme të gjithë murit rrethues të brendshëm. Ecim më tej rreth kalasë dhe shikojmë se në anën lindore të saj, ndodhet kulla e vetme që ka një lartësi 7,5 metra. Për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të madhësive të ndryshme. Kulla ka planimetrinë në formë patkoi, baza e të cilit ka gjatësi prej 1,85 metra, ndërsa brinjët 2 metra. Kulla është e pajisur me frëngji. Duke vëzhguar me kujdes objektet arkeologjike të gjetura, si dhe disa varre që ndodhen aty, sipas pohimeve të Hanit, dëshmojmë se kjo kodër ka qenë e banuar që në kohët e hershme, përpara shekullit të IV-t, pas Krishtit. Funksioni i kalasë ka qenë fillimisht si strehë e sigurt për popullsinë vendëse, i cili është i lidhur ngushtë me pozitën strategjike që ajo zë në luginën e lumit Erzen, që ishte një rrugë natyrale që lidhte bregdetin me territorin e brendshëm. Përveç funksionit të saj si kontrolluese e kësaj rruge, që quhej “Egnatia”, kalaja e Ndroqit ka bërë pjesë edhe në sistemin fortifikues të qytetit të Durrësit, ose Dyrrahut të lashtë. Me një fjalë kalaja e Ndroqit, si dhe gjithë kalatë që përmendëm më sipër; si: e Prezës, Lalmit, Tujanit, Petrelës, Ishmit ishin pjesë e një sistemi unik mbrojtës, dhe janë ndërtuar në shekullin e IV-VI, të cilët shërbenin për mbrojtjen më të mirë të qytetit të Durrësit dhe luftërave të shpeshta që zhvilloheshin në atë kohë brenda vendit. Me përjashtim të kalasë së Prezës dhe deri diku edhe asaj të Petrelës, të gjitha kalatë e tjera, ose janë rrënuar plotësisht,  ose janë në grahmën e fundit të ekzistencës së tyre. Ne, si shoqatë kulturore artistike “Vatra” e Ndroqit, na vjen keq që mbahet një qëndrim indiferent dhe aspak veprues, nga organet e ndryshme të shtetit që e kanë për detyrë të mbrojnë dhe promovojnë vlerat e kulturës sonë kombëtare. Pyesim, deri kur kështu? Dhe nga ky kontekst, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ngremë dhe një herë zërin që të shmanget me sa të jetë e mundur indiferenca e shtetit. Dimë që kohët e fundit Ministria e Kulturës po bën inventarin kombëtar për monumentet e kulturës. Ky mendojmë, se është edhe momenti i një reflektimi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. E këtu, pra, janë edhe kalatë, ku ajo e Ndroqit, sikurse e thamë, është e lënë krejt pas dore. Nëse në vendin tonë ndodhin krime të ndryshme si: për arsye ekonomike, etj., etj., të gjithë duhet ta dimë se krimet në arsim, kulturë e trashëgimi kulturore, janë krime vdekjeprurëse për Kombin tonë, aq shumë të vjetër dhe që aq shumë e duam të gjithë. Ndaj na bie për detyrë që të gjithë, në koordinim e bashkëpunim, të punojmë pa reshtur për ruajtjen e këtyre vlerave universale.

*President i shoqatës kulturore-artistike “Vatra” të Ndroqit