Bardhyl Hazizi/ Ushtarakët shqiptare bëjnë apel për drejtësi

611
Sigal

Ushtarakët janë braktisur tërësisht dhe ndjehen  të abandonuar nga “Nëna” dhe nga “Njerka”. Ushtarakët i persekuton, jo vetëm politika, por akoma më shumë gjyqësori shqiptar i korruptuar. Ushtarakët PD-ja i kërcënoi jo vetëm me shkurtimin e pensioneve, por edhe me heqjen e Statusit. Ushtarakët akoma nuk po marrin asgjë nga premtimet e  PS, mbasi ajo ju mori votën. Asgjë nuk ka në programin e Qeverisë “Rilindja” nga kërkesat e Shoqatës AKUSH për të drejtat e këtij komuniteti. Ushtarakët shpresojnë dhe po presin drejtësi vetëm nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Politika dhe qëndrimet qeveritare të “zerove” çojnë vetëm në një zgjidhje “zero” të kërkesave të komunitetit të ushtarakëve që mbështetën vetëm në ligjin “Për Statusin e  Ushtarakeve të FARSH”.

Parlamenti shqiptar pa ju referuar ndonjë teorie apo përvoje botërore, ka miratuar me nxitim ligje njëri pas tjetrit që shkelin Kushtetutën dhe pengojnë zbatimin e Statusit të Ushtarakut dhe ligjeve për reformat në Forcat e Armatosura. Institucionet e shtetit (DRSSH dhe ISSH) po u mohojnë ushtarakëve të drejtat e fituara më parë me ligj duke u justifikuar me qëndrimin se “ne jemi vetëm zbatues” dhe fshehin kokën si struci që janë edhe hartuesit kryesor të drafteve ligjore në fushën e pensioneve. Akoma më tepër presim nga Ministria e Mirëqenies Sociale. Kjo duhet t’u përgjigjet drejtë kërkesave  tepër profesionale dhe të mundshme e të realizueshme, të shoqatës AKUSH si p.sh për llogaritjen e “Minimumit jetik” mbi bazën e artikujve dhe të shërbimeve më të domosdoshme të “Shportës”, i cili është treguesi bazë për të rregulluar raportet për mirëqenien e shqiptarëve, për caktimin e “rrogës minimale” dhe pse jo të “Pensionit Bazë-Minimal” ashtu si në tërë vendet e BE-së ku aspirojmë të bëhemi kandidatë së shpejti. Nëse do të krahasohemi me Maqedoninë, ushtaraku e ka pensionin minimal 400euro siç është shprehur në një artikull kjo shoqatë.

Kohet e fundit gjykatat si me komandë kanë dhënë vendime në kundërshtim me interpretimet zyrtare të dhëna deri ne vitin 2013 nga Gjykata Kushtetuese. Kjo nuk është për të ardhur keq por për të dhënë alarmin. Ne ushtarakët jemi të shqetësuar për faktin se gjykatat në Shqipëri kohët e fundit nuk shprehen dot për antikushtetutshmërinë e disa karakteristikave të ligjeve për ushtarakët. Për fat të keq, shumë garanci ligjore ende mbeten në letër. Ligji i barazisë para ligjit nuk funksionon. Ligji i shanseve të barabarta nuk funksionon. E shumë ligje të tjera. Ku qëndron e drejta kur vet qeveria shkel ligjet e shtetit? A është qeveria pjesë e shtetit? Nga se vjen kjo gjendje? Pse gjykatat nuk japin drejtësi për të drejtën e fituar me ligjin organik-bazë të miratuar me shumicë të cilësuar nga Parlamenti Pluralist Shqiptar dy herë gjatë periudhës se tranzicionit si në vitin 1991 dhe në 2004 dhe me dy vendime të Gjykatës Kushtetuese në 2007 dhe në 2010. Korrupsioni shprehet edhe në udhëzime të brendshme apo vendime gjykate me argumentin dhe arsyetimin banal si “për interesa apo nevojë publike”.

Neni 3 i Ligjit Nr.9210 datë 23.03.2004 për Statusin e Ushtarakut të FA të RSH” thuhet: “Shërbimi ushtarak është veprimtari e veçantë, shoqërisht e domosdoshme për shtetin, që kryhet në bazë të dëshirës, vullnetit e detyrimit për t’i shërbyer Atdheut dhe interesave të kombit, përgjegjësisë për zbatimin e legjislacionit, paanësisë politike, bindjes, profesionalizmit dhe vazhdimësisë së karrierës”.

Neni 6. Ruajtja e statusit kur kapet rob. “Nëse gjatë kohës së veprimeve luftarake, ushtaraku aktiv mund të kapet rob, në territorin e Republikës së Shqipërisë ose në territorin e një shteti tjetër, ruan të drejtat që i njeh statusi i ushtarakut dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore”. Pa u kapur rob ne trajtohemi si të paraburgosur.

Neni 40. Trajtimi shëndetësor –3. Ushtaraku në rezervë, në lirim ose në pension (oficer, nënoficer) dhe pjesëtarët e familjes, qe janë në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit rezervë kur sëmurët në shërbim ushtarak, përfitojnë ndihme mjekësore falas në institucionet mjekësore shtetërore ushtarake dhe civile brenda vendit”. Ushtaraku nuk ka spital dhe nuk ka një dokument për t’u identifikuar. Ministria e Mbrojtjes në Direktivat e Mbrojtjes, vitit 2012, nr. 8 citoj: “…gjatë vitit 2012 të arrihet automatizimi i sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore, së pari të personelit aktiv e atij rezervë”. “Në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2012 të përfundojnë procedurat e llogaritjes së pensioneve për të gjithë ushtarakët në rezervë e në pension si dhe të gjithë ushtarakët aktiv e në rezervë të pajisen me kartë identiteti ushtaraku”. Në mbështetje të kësaj direktive MM nxori Urdhrin Nr.1005, dt. 21.06.2012: “Për ngritjen e grupit të punës për shqyrtimin dhe hartimin e projekt marrëveshjes me AKUSH” urdhëroi ngritjen e Grupit të punës ku në krye të tij u caktua: Kryetar -Zv/Shefi i Shtabit të Përgjithshëm si dhe drejtorët e drejtorive: D.P.S, D.M.K.P, D.P.P.B, D.J, J.1, 4, 8, I.S.H me detyrë” -deri më 31 Korrik 2012 të ketë përfunduar detyra…..”. Ushtarakët që ishin nën uniformë nuk e kuptuan blofin dhe nuk e zbatuan urdhrin e MM. Sot ata nuk janë më nën uniformë. Edhe këta që janë në rresht mbajnë qëndrim shumë indiferent ndaj atyre në rezervë. Jemi në kapitalizëm por me një ndryshim të vogël se në Shqipëri nuk njihet e drejta borgjeze. Edhe ata që janë nën uniformë do ta pësojnë, edhe ata e kanë vallen e fundit si të Osman Takes. Është fakt juridik që marrëveshja është bërë në bazë dhe për zbatim të ligjit  “Për Statusin e Ushtarakëve të FARSH”, por nga 34 nene të kërkuara në projektin e paraqitur nga shoqata AKUSH u miratuan vetëm 11 nene dhe këto pothuaj virtuale dhe jo realisht të zbatueshme, mbasi janë konceptuar me detyrimin “mundet”. Prandaj edhe kjo marrëveshje tri paleshe mundet të riformulohet dhe të miratohet në përputhje të plotë me ligjin “Për Statusin e Ushtarakëve të FARSH” në fuqi.

Statusi është kthyer në një letër me vlerë, si letrat me vlerë të Qeverisë Meksi.

-Neni 41. Kompensimi i barnave…Të gjithë po i blejmë ilaçet.

-Neni 42. Të drejtat e ushtarakëve në rezervë, në lirim dhe në pension

1. Ushtarakët (oficer dhe nënoficer) në rezerve, në lirim dhe në pension, përveç të drejtave të përcaktuara në nenet e tjera të këtij ligji, gëzojnë edhe këto të drejta:

d) të mbajnë dhe të përdorin (të veshin) uniformën dhe gradat ushtarake, të njësuara me funksionin (detyrën) që kanë pasur në çastin e daljes në rezervë, në lirim ose në pension pleqërie, kur marrin pjesë në veprimtaritë e përcaktuara në piken 1 shkronja “ç” të këtij neni, si dhe në ditët e festave zyrtare.

-Neni 44. Mbrojtja e veçantë ligjore  –1. Jeta, figura dhe dinjiteti i ushtarakut dhe familjes se tij janë të paprekshme dhe mbrohen me ligj. Gjatë kryerjes së detyrës dhe për shkak të saj, ushtarakut aktiv dhe në rezerve i garantohet mbrojtja e veçantë ligjore.

5. Çdo veprim që drejtohet kundër jetës, figurës dhe dinjitetit të ushtarakut dhe familjes së tij, dënohet sipas dispozitave ligjore në fuqi”. Ja çfarë përcakton ligji 7703/1993:  Neni 88 -Të drejtat e përfituara-” 1. Pensionet e caktuara në baze të ligjit nr.4171, datë 13.4.1966 “Për sigurimet shoqërore të RPSH”, të quhen të mirëqena dhe nuk do të jenë objekt i ndonjë ndryshimi, me përjashtim të Indeksit. Këshilli i Ministrave bën indeksimin e pensioneve në atë masë dhe sa herë indeksohen pensionet e caktuara në bazë të ligjit dhe kompensimit, sipas paragrafit të dytë të nenit 2.”.

Këto ka parashikuar ligjvënësi dhe ne këto kërkojmë, por Qeveria deri tani nuk i ka zbatuar, përkundrazi më 2009 ka nxjerr një akt normativ që edhe pse ka dy vendime të Gjykatës Kushtetuese si :-Vendimet Nr.9 dt.26.02.2007 e Nr.33 date 24.06.2010 që kanë  lënë në fuqi ligjin e mëparshëm, por fatkeqësisht qeveria edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese i pengon. Amullia ligjore dhe ajo administrative e pensioneve të ushtarakëve shqiptarë është kaq e madhe sa nuk ka jurist e psikolog të japi shpjegime. Me rillogaritjen e re pensioni është ulur dhe asnjë reagim, i organizuar apo spontan nuk po behet nga shoqatat. Vështirësitë dhe fatkeqësitë janë kushtet më të përshtatshme për të sulmuar kundërshtarin. Dhe qeveria jonë ndaj ushtarakëve të vet këtë taktikë po përdor. Ne jemi në shënjestër të pushtetit, në shënjestër të partive politike, në shënjestër edhe të anëtarësisë, e cila vetëm përgjon gafat. Në kohë lufte ushtritë ndërluftuese ngrenë pikëmbështetjet neurotike. Sot Shqipëria ka nevojë të kthehet në një qendër karantine që të përfshijë gjithë territorin shqiptar për të mjekuar të sëmurët e traumatizuar nga pasiguria e jetës. Ndonëse qytetari shqiptar është tulatur për shkak të frikës ose traumës, kjo është e barabartë me paaftësinë e tij që shfaq në këtë moment për të kontribuar në kryerjen me sukses të detyrimeve si qytetar. Në Shqipëri askush nuk mundet të fillojë një veprimtari pasi ai në çdo hap që të hedh do të përballet me strukturat shtetërore, të cilat me gjoba, frikësime, presione, shantazhe, deri edhe me eliminim fizik do ta detyrojnë atë që të mos hedh asnjë hap para. Skllavëria hiqet me luftë ose vullnetarisht. Sot ushtarakët shqiptare janë gati ta braktisin Shqipërinë, por nuk janë gati të luftojnë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Rreze shprese tani ka ngelur vetëm braktisja e vendit. Shqiptarët pas qershorit 2014, pranimit në BE, do të jenë krenarë për vendin e tyre që do tua lënë në dorë këtyre që qeverisin sot. Zgjidhja e problemeve që na ka imponuar situata e përditshme kërkon mobilizim të të gjithë ushtarakëve, të dalim me një zë duke mbajtur një qëndrim institucional dhe të bashkuar. Ndryshe korrupsioni në sistemin e drejtësisë do të vazhdojë dhe ligji “Për Statusin e Ushtarakëve të FARSH” në fuqi do të mbetet ndoshta shembulli unikal i moszbatimit të së drejtës së fituar në Shqipëri dhe në mbarë botën demokratike.