Bardhyl Berberi/ Qeveria po nxjerr tym

651
Duke pirë kafen e mëngjesit më afrohet një nga militantët më të zjarrtë të PS në Pogradec dhe më thotë: – Dëgjo o gazetar, kjo qeveri po nxjerr tym, na ka zhgënjyer dhe ti e di kur them unë se na ka zhgënjyer na ka vjedhur shpirtin. Unë jam një militantët më të mëdhenj të saj edhe pse më kanë vënë në një punë të mirë, edhe pse nuk kam shkollë të lartë, unë vuaj kur shoh kaq shumë njerëz të varfër… T’i vjedhësh njeriut një moment nga koha e tij e çmuar është mëkat, t’i vjedhësh një ditë, një javë, muaj e vite të tëra. Por ta gënjesh duke i vjedhur jetën, ta lesh të varfër deri në palcë kjo nuk i falet askujt! Natyrshëm lind pyetja: po opozita çfarë bën se jetojmë në demokraci? Fjala opozitë është një fjalë e re që ka hyrë në këto dekadat e fundit. Në të kaluarën në Shqipëri nuk kishte opozitë, ata që ishin opozitarë me qeverinë i priste burgu komunist. Por duhet thënë që në fillim se tek ne nuk ka opozitë. Të qeverisësh në këtë Shqipëri të varfër, të shkatërruar dhe të falimentuar, nuk është luks. Por shpesh konstatohet se pushteti është i ëmbël. I ëmbël për të kënaqur ëndrrat individuale, të cilët kanë vënë pasuri të pafund. Nga kostoja e politikës në këto dy dekada e gjysëm Shqipëria i ngjan një shtëpie të palyer, gjithmonë me plaçka të ngritura dhe asnjë herë e shtruar. Personalisht mendoj se varfëria tek ne nuk është për shkak se ne nuk mundemi të ushqejmë të varfërit, por për shkak se nuk ngopim dot të pasurit që duan të jetojnë në superluks. Ndoqa me kujdes raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit ku dukej sheshit se shpata priste sa djathtas dhe majtas, nuk kishte ndikim partiak dhe kishte objektivitet: godiste në shenjë për të gjithë abuzuesit. Po ku është prekuroria me këtë volum pune serioze që ka kryer ky institucion mal me dosje dhe askujt nuk i hyn gjemb në këmbë? 

“Në rrjetë mbeten peshqit e vegjël”

Në rrjetë ngelet vetëm ndonjë peshk i vogël. Le ta ilustrojmë me një shembull konkret nga një kontroll në Bashkinë e Pogradecit. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti shkelje skandaloze me dëm të pallogaritshëm dhe e paditi ish-kryetarin e bashkisë në prokurori. Ai e kaloi lumin me varkë prej letre dhe jo vetëm nuk i hyri gjemb në këmbë por është emëruar në Kryeministri, si shef për organizimin e 61 njësive të reja bashkiake. Ai që abuzoi dhe që i la pasardhësit një borxh prej gati 5 miliard lekë…Kësaj i thonë t`i varësh ujkut mëlçitë në qafë. Ky emërim është një kundërvënie ndaj institucioneve qëndrore si Kontrolli i Lartë i Shtetit kur një person i akuzuar prej tij, ti si qeveri e gradon. A nuk është ky një karshillëk ndaj institucionit qendror të shtetit! Tek ne ndodh një fenomen që nuk ndodh në asnjë vend tjetër se më të paditurit na shesin dituri dhe më të pandershmit ndajnë drejtësi. Qëndron njëra parti në pushtet tetë vjet dhe kur i mbarohen gënjeshtrat vjen tjetra dhe çuditërisht tërë ato akuza që i bëhen partisë që ka qënë në pushtet kur vinë këta të tjerët heshtin dhe asnjë nuk e çojnë në gjyq. Duket sheshit se midis dy palëve ka një marrëveshje të heshtur: bëj ç’të bësh kur je në pushtet dhe unë nuk të bëj gjë kur të vij në pushtet. Që do të thotë që jemi opozitarë në thonjza, por që na bashkon mëkati i pasurimit dhe i përvetësimit të pasurisë kombëtare. Populli fukara ngelet si dekor në këtë harem hajdutësh. I gjithë ky kaos dhe abuzime që ndodhin tek ne vijnë edhe për shkak se tek ne nuk ka opozitë të vërtetë. Opozita e sotme pas zgjedhjeve parlamentare humbi në mënyrë të turpshme edhe zgjedhjet lolale dhe ende nuk e ka marrë veten nga dy goditjet e nokautit. Ajo për momentin po tenton të ngrihet në këmbë e jo të bëjë opozitë; ajo e ka mendjen për të ruajtur ato kapitale të pandershme që ka vënë kur ka qënë në pushtet. Partitë e sotme politike nuk i lidh më ideali për t’i shërbyer popullit, por “morali i përbashkët” për të bërë sa më shumë para dhe për të vënë kapitale, zyra luksoze, jaguarë në një kohë që një pjesë e madhe e popullsisë shtegton në emigracion për të siguruar bukën e gojës. 
Akuzat për qeveritarët
Në qeverinë e sotme ka shumë akuza për tendera të pandershëm, pothuajse në të gjithë sektorët, por sidomos në shëndetësi, CEZ, koncesionet e naftës dhe pushtetarët aktualë mundohen që t`i kundërshtojnë. Populli ka një proverb të vjetër: “Pula po bëri kakaka, o e bëri vezën o e ka”. E pra, zëra ka shumë për abuzime dhe nuk është pa gjë. Si ka mundësi, më thoshte një pronar i vjetër, babi i tij i moshuar deri sa ndërroi jetë para pak ditësh nuk i hynte gjuha në gojë:- More djalë që kur kanë ardhur në pushtet këta rrufjanët e majtë kanë tre vjet dhe nuk na kanë dhënë asnjë këst për pronat që na i kanë zënë këta ruralët forcërisht. Ishte si ishte Berisha po na dha 57 për qind të vlerës brenda një viti. Këta asnjë lekë që kur kanë ardhur në pushtet bëjnë spektakle me dosjet jo të mungon kjo, të mungon ajo, jo do të ngrimë paratë. Rrëmujë krijojnë qëllimisht për abuzime. Fillove një vendim qeverie të miratuar, çoje deri në fund, shlyeji pronarët, pastaj fillo me listën tjetër. Ku shkojnë lekët e mbledhura nga spektaklet e kryeministrit me pronarët apo do blihen jaguartë?! Ngado abuzohet. Një takëm pedagogësh u kërkojnë lekë studentëve për provimin, kirurgu kërkon lekë për operacionin, drejtuesit kërkojnë lekë për një tender që fiton… Kanë tre vjet në pushtet të majtët dhe asnjë rritje rroge, tre vjet asnjë shpërblim për Vitin e Ri, përveç ndonjë lëmoshe për pensionistët. Duket se kemi prekur kufirin e fundit dhe shqiptarët po përdoren si një monedhë metalike për të kthyer kusurin e gafave të politikës …
Sigal