Bardhyl Berberi/ Qeveria në fije të perit

555
Verë e nxehtë, fund korriku. Kohë pushimesh në ditët e fundjavës në Pogradec. Buzë liqenit, në lokalet luksoze në Tushemisht dhe Drilon sheh të pushojnë politikanë, ministra, kryetarë partish që kanë ardhur familjarisht. Por ky është vetëm imazhi skenik i tyre të veshur sportivë apo me pantallona të shkurtra. Por po t’i shikosh më imtësisht dallon se telefonin nuk e heqin nga veshi për asnjë çast dhe sheh që mimika e fytyrës së tyre herë çelet dhe herë merr pamje të vrenjtur. Pranë tyre qëndrojnë një takëm politikanësh apo biznesmenë të ndryshëm, të cilët janë në rezonancë me shefat e tyre. Ata harrojnë dhe ngrenë edhe tonet e zërit, pasi janë jashtë kontrollit dhe bisedat e tyre shqetësuese dëgjohen edhe nga tavolinat rrotull. -Ikën Ilir Meta në Amerikë, kushedi se çfarë do t`i thonë, mbase nuk e prish qeverinë… Qeveri në fije të perit, ia pret dikush tjetër nga tavolina përballë. – Mjaft, ndërhyn e shoqja se na i helmove pushimet… Reforma… reforma në drejtësi na i hëngrët veshët, e vazhdon dialogun një grua me flokë të kuqe. Duket që është nga kampi qeveritar. Ja reforma u miratua, tani po ju digjet barku për qeverinë… Po duan të bëjnë qeveri teknike moj dhe ne do të fluturojmë nga puna… Një gazetar i opozitës iu drejtohet atyre të LSI: -Ku jeni vëllezër!

 Politika është kurvë, ia pret një i moshuar që ndjek skenën komike. Këtu tek ne, shton ai, ngatërrohet çaj me vajin. Pak më vonë mbërrin tek lokali i Vipave në Tushemisht një deputet i mazhorancës, i cili ka dalë kundër Edi Ramës. Ai i buzëqesh ëmbël disa deputetëve të opozitës dhe ju shkel syrin sikur t’u thotë: jam me ju… Duke pirë kafen në Tushemisht dëgjon këto copëza fragmentesh nga këta persona VIP, që presin të marrin karrige në qeverinë e re teknike. Dhe pjesa tjetër e deputetëve të mazhorancës që qëndron e vrerosur kur dikush ju thotë nga tavolina tjetër: E hëngri ai i gjati, nuk e drejton dot qeverinë, nuk është qeveria tablo pikturash…apo kosh basketbolli. Ndonëse qëndrojnë me pushime pak metra më poshtë rezidencës së Enver Hoxhës gjoja të braktisin rutinën rraskapitëse të jetës aktive, tepër të lodhshme dhe rraskapitëse. Atyre ju është shtuar makthi dhe e dinë se reforma në drejtësi ndonjë prej tyre që e ka shtuar zullumin mbase verën tjetër nuk do t’i bëjë pushimet këtu, buzë liqenit, por në qeli…Edhe pse kanë ndryshuar peizazhin të ushqyerit dhe gjumin pa zile ata kanë ngelur “robër” të emocioneve dhe të pasioneve për karrige. Ata duken të çorientuar pasionatë, të tendosur, të mbërthyer nga emocione të forta, të cilat nuk mund t`i zotërojnë… 

Shpesh iu shfryjnë fëmijëve të tyre sepse qëndrojnë pak minuta më tepër në ujin e liqenit. Ata ndihen të zbrazët dhe gjithë ankth. Kur dikush iu telefonon nga Tirana ata herë qeshen dhe herë ngrysen në fytyrë, sikur iu është hapur ndonjë humnerë. Ata e pranojnë se janë të lodhur fizikisht, mendërisht, madje edhe emocionalisht. Edhe pse ndodhen para këtij peizazhi shplodhës, me liqenin në gji, ata e kuptojnë se në thellësi të tyre diçka nuk është shplodhur. Diçka në shpirtin e tyre është torturuese…Ata nuk arrijnë të ndriçojnë ato skena të shpirtit ku e pavetëdijshmja e errët iu fsheh lëvizje të mistershme që edhe pushimet më të mrekullueshme nuk arrijnë që t`i qetësojnë. Për “ata” nuk ka prehje dhe pushime këto ditë kur ata janë të mbërthyer nën peshën e karriges. Do të vazhdojnë të jenë në qeveri apo do të flaken tutje, nëse bëhet qeveri teknike? Para asaj nuk ka vlerë asgjë. Dhe të kesh një karrige të rëndësishme nuk është pak se të tjerat vijnë pas saj. Por kur qeveria është në fije të perit, si mund të pushojnë ata dhe të jenë të qetë…
Sigal