Bardhyl Berberi: Pusht (arët)

1043
Kryeministri, të paktën ka kuptuar një gjë, se ka një takëm të paaftësh dhe dallkaukësh që i mban në kurriz qeveria e tij. Duke medituar një ditë në një kafe me një shokun tim të fëmijërisë për një sërë personazhesh që i njihnim direkt në qytetin tonë apo në qytetit tjetër fqinj, të cilët kanë qenë nxënës mbetës me një shkollë të mbaruar natën apo me një diplomë të blerë. Dikur hanit trahana në mëngjes dhe kos në darkë dhe ndonjë fasule pa mish në drekë. Të veshur me stof dhe dok nga kombinati tekstileve në Berat dhe biçikleta kineze. Ndërsa sot falë karriges ku kanë hipur me atë teserë partie të “bekuar” shtrohen nëpër restorante, duke ngrënë qengja dhe gjysmën e drekës ia hedhin qenit. Derën e shtëpisë dikur në lagjen tonë e mbanin pa dry se brenda s’kishte asgjë çfarë t’ju vidhnin. Një tavolinë dymijë lekëshe dhe dy divane. Tani kanë instaluar kamera brenda e jashtë shtëpisë, pamjet e të cilave i ndjekin me celular nga Amerika, Tajlanda apo Karaibet, ku kanë shkuar për të bërë qejf me familjen apo nëtë shumtën e rasteve me të dashurat. Këtyre individëve do ju drejtohesha: Dikur përveç fotografisë së pasaportës, ju s’kishit fotografi tjetër. Sot ju bëni selfie nga vendet më ekzotike të botës. Dikur udhëtonit gjithë ditën me tren nga Pogradeci në Tiranë për gati 8 orë, sot udhëtoni me makina nga më luksozet, madje keni nga dy tre të tilla. Ndonjëri prej jush ka qenë drejtor ndërmarrjeje apo në ndonjë dikaster, dikur udhëtonte me Polska Fiat që i digjej guarnicioni testato sapo fillonte të ngjiste Krrabën. Ndërsa sot fukarenjtë rendin për të gjetur ushqim, duke kryer lloj lloj punësh të rëndomta Ju rendni në Parkun e Liqenit të tretni ushqimin. Dikur ju lëviznit nëpër shtëpi të ngushta, por që ju dukeshin të mëdha, sepse s’kishit orendi që t`i mbushnit, tani keni shtëpi e vila të superkompletuara në Itali, Francë, Austri jashtë apo brenda vendit; Dhërmi, Gjiri Lalëzit, Vlorë e Pogradec. Ju dikur mezi qepnit një palë pantallona te rrobaqepësja e lagjes me vështirësi e frikë. Tani dy herë një këmishë nuk e vishni, çorapet e mbathura një herë i hidhni në plehra. Ju kishit nëpër shtëpi gjithsej nja tre a katër llamba elektrike, sa për mos u përplasur me njëri-tjetrin. Megjithatë, ju nuk ankoheshit atëherë nga korrenti, atëherë thoshit, shyqyr që korrentin e kemi, korrenti është drita që na vjen nga Hidrocentrali i Partisë. Tani në shtëpi keni instaluar pajisje me dhjetëra kilovatë. Dikur ishit ca zhulsa që laheshit vetëm një herë në muaj me një sapun 15 lekësh “Skampa” të prodhuar në Elbasan, pa kushte po me dy tuba çeliku të futur te njëri tjetri që e kishit bërë fshehtas në ndërmarrje dhe e quanit skaldabanjë që nxirrte tym dhe ulërinte si tank. Tani laheni, nëpër vaska me hidromasazh sa herë në ditë t’ju dojë qejfi. Ja shikoje këtë bosin, s’i thoshe dot gjysmë fjale dikur se direkt të spiunonte tek oficeri i sigurimit të shtetit. Përveç spiunllëkut dhe servilizmit ju s’dini të bëni asgjë. Vetëm t’ia përmendje pluralizmin politik, juve të fusnit në burg. Tani na jepni leksione që të bëjnë për të vjellës pluralizmi dhe qytetarie, pikërisht ju. Oh, sa për të qeshur na vjen kur ju dikur psonisnit nëpër ca dyqane të qelbura ku një herë në muaj merrnit me tollon racionin e vezëve dhe mishin. Tani ju bëni shoping nëpër supermarketet me prestigjoze të Evropës ku gjen edhe qumësht dallandysheje. Disa njerëz kanë bukurinë, disa zgjuarsinë, disa fatin, disa dashurinë disa energjinë, ndërsa ju keni vetëm paratë e vjedhura nëpër tenderë dhe abuzime me karrigen që dini ta shtrëngoni fort pas vetes për ta mjelë atë sikur të jetë një lopë.
Sigal