Bardhyl Berberi: Pse shoqëria jonë lëviz në mënyrë kaotike dhe agresive?

564
Sigal

Agresiviteti,
inati, ndjenja e shkatërrimit, instinkti i vdekjes, po mbyt shoqërinë
shqiptare. I shfaqur në format e tij të dhunshme individuale, në jetën e
përditshme: vëllai urren ose vret vëllanë për pronat, komshinjtë rrihen me njeri-tjetrin
për një vijë uji, 18-vjeçari vret shokun për një të dashur dhe grindje në Facebook,
një drejtues mjeti rrihet dhe vritet për parkim, burri rreh gruan, prindërit
dhunojnë fëmijët, ekzekutohet dikush për një dele apo për një vijë uji etj. Si
një shoqëri e papërpunuar në institucionalizimin e hipokrizisë, në fshehjen e
urrejtjes, niveli i agresivitetit shfaqet banal, deri në formën e urrejtjes sy
më sy; është i drejtpërdrejtë; një person mund të nxjerrë armën e të vrasë
tjetrin, madje edhe pse ai e shikon në sy. Numërohen me dhjetëra raste të tilla,
akte kriminale që ndodhën vitin e kaluar e që policia i motivoi “krim
banal për shkak të konfliktit të çastit”. E lartë është dhe shifra e
vrasjeve në familje për një fjalë, për një shikim jo normal pa shtuar këtu
numrin e rasteve të dhunës pa pasojë vdekje, i cili disafishohet. “Duhet
të ndajmë agresivitetin si sëmundje dhe agresivitetin në nivel social. Të
parët, të prekur nga simptomat psikike duhen mjekuar me çdo kusht, ndërsa pjesa
tjetër agresive ku futet një numër më i madh i shoqërisë duhet të aktivizohen
fizikisht, të punojnë, të gjejnë forma për të shkarkuar energjitë negative e të
kthejë atë në energji pozitive, të ndërtojë diçka”. Për rrjedhojë të
mendimit të psikiatrit sjellim faktet e mungesës së “fronteve”, ku
shoqëria shqiptare mund të shkarkojë atë që cilësohet energji negative, që
sipas filozofëve është e njëjtë kudo, por në vendin tonë forma e shfaqjes së
saj në agresivitet është në tregues alarmant, aq sa shpesh edhe nga shtypi apo
raportet ndërkombëtarëve etiketohemi “shoqëri agresive, e dhunshme”.
Afro gjysma e shoqërisë aktive është e papunë, nuk ka aktivitete fizike, një
numër shumë i vogël merret me sport, mungon një jetë artistike dhe qendrat
kulturore pothuajse nuk kryejnë asnjë shfaqje ku të rinjtë jo vetëm të mund të
argëtohen, por dhe të edukohen. Pse krimi dhe agresiviteti dhe dhuna  lulëzon pikërisht  në çastet kur politika kap fundin e tabanit,
kur deputetët rrihen në parlamentin kur aty flitet për shifra marramendëse, për
miliona euro të fituara nga x apo y. Këto shifra e tronditin atë pjesë të
rinisë që duan të fitojnë e të jetojnë në pasivitet, duan dhe këta të fitojnë nga
parcelat e drogës apo me rrugë të tjera kriminale, sidomos nëpërmjet
prostitucionit dhe trafikut të femrave. Ka një grup tjetër që vuan nga
sëmundjet mendore dhe ato emocionale që nuk kurohen, ose nuk mundësohen
ekonomikisht për një proces të tillë. Marrëzi do të ishte që të besojmë, pasi dimensioni
social dhe ndjeshmëria për “tjetrin”, për të “paaftin”, për të “mjeruarin”, për
banorin e klasit të tretë që është në mes të katër udhëve. Momentalisht vendi
është pushtuar nga plantacionet e drogës, skizofrenia e parasë dhe
korrupsionit. Janë korruptuar mendjet, xhepat dhe shpirtrat, kësisoj rrezikon
të korruptohet e sotmja dhe e ardhmja. Dikur në diktaturë ne u korruptuam në
një dimension tjetër. U bëmë të gjithë mjeshtër të korrupsionit në artin e hipokrizisë
dhe jo pak nga ne u bënë denoncues , spiunë, pleh i vërtetë social. Menduam se
ky korrupsion vdiq bashkë me sistemin, por nuk ndodhi kështu. Hipokrizia u
ngjit lart dhe gurgulloi përsëri në damarët e klasës politike, intelektuale dhe
të borgjezisë së re shqiptare, thellësisht e pakulturuar dhe ateiste. Një klasë
e re e babëzitur u lëshua të grabiti gjithçka kishte ngelur nga e shkuara duke
u shpallur bosa brenda pak muajsh, duke vjedhur e shpërdoruar gjithçka kishin
në dorë me një karrige që morën në kohën e tranzicionit të gjatë shqiptar. Është
kjo arsyeja që Shqipëria në këto 26 vjet ka ngelur gjithmonë me plaçka të
ngritura si ajo shtëpia që pret të lyerjen… Psikoanalistët mendojnë se shoqëria
jonë ka shfaqur vetëm agresivitet individual social. Si rrjedhojë e tij; ka
torturë në qeli, agresivitet në rrugë, çdo ditë një akt dhune, një vrasje në
javë etj. Gjithashtu ata mendojnë se agresiviteti shfaqet nga drejtuesit e
politikës me fjalorin e tyre e vazhdon deri tek shtresat më të vobekta të
shoqërisë.