Bardhyl Berberi: Pse PD dhe PS iu tremben listave të hapura në zgjedhjet parlamentare?

580
Sigal

Transparenca e munguar e partive kryesore të pozitës dhe
opozitës

 

LSI ja po tregohet shumë e pjekur. Lideri i saj z. Ilir Meta
tregoj maturi dhe mbështetje maksimale dhe konsekuencë për miratimin e reformës
në drejtësi. Tani LSI ka bërë një kërkesë tjetër që në votimet e ardhshme të
shkohet me lista të hapura. Por çuditërisht edhe PS dhe PD po heshtin, një
heshtje djallëzore që nuk kanë qejf që të këtë votime me lista të hapura. Në
jetën tonë të përditshme jo gjithmonë bëjmë zgjedhjen e duhur për një problem
të caktuar. Një zgjedhje e bërë nga një person për mirë apo e keqe mund të
ndryshojë jetën e tij përgjithmonë. Ka raste që jemi të kënaqur për zgjidhjet
tona dhe pothuajse gjithë kohën e përmendim si e bëmë zgjedhjen e duhur apo të
gabuara. Por, ndodh shpesh herë që nuk duam ta përmendim ndonjë zgjedhje
skandaloze, e cila na ka sjellë jo pak pasoja në cilësinë e jetës sonë.
Ndjenjën e pendimit na kaplon si oktapod, na bren ndërgjegjia na dërmon, na
mbyll në vetvete por ndodh që ketë pendim ta shfaqim edhe tek të tjerët duam ta
zbrazim të keqen nga vetja jonë. Me dashje ose pa dashje ka ndodhur që kemi
gabuar kryesisht le të ndalemi në politikë. Me votën tonë shpesh herë kemi
sjellë në poste drejtuese parti të caktuara, deputetë të pamerituar apo
kryetarë bashkish, të cilët shumë shpejt na kanë zhgënjyer me performancën e
tyre, me nepotizmin dhe paaftësinë për të menaxhuar komunitetin. Karrigen që ua
ka dhënë vota e popullit e përdorin si një lopë, me njerëz krejt të paaftë që e
drejtojnë institucionin kryesor të vendit apo të rrethit në mënyrë amatore. E
pra ti zhgënjehesh shumë shpejt, se ai është shumë larg atyre premtimeve që të
ka bërë në fushatë. Ky takëm drejtuesish apo deputetësh e konsumon veten shumë
shpejt dhe ty mezi të pritet sa të vijnë zgjedhjet dhe ta largosh me votë. Por
jeta ikën dhe ky zhgënjim le gjurmë tek ne, na bën pesimistë dhe na bën të
vuajmë kur shohim të tillë drejtuesish. Por duhen katër vjet që duhet të
presësh dhe ti bëhesh nervoz pasi ky zhgënjim ka të bëjë direkt me prishjen e
ekuilibrave për një jetë më cilësore. Nuk është e lehtë të bësh atë çfarë duhet
në raste të tilla. Kapërcimi i këtyre vështirësive dhe fitorja kundrejt këtyre
sfidave janë ato që kalitin karakterin dhe personalitetin tonë. Është një kohe
për çdo njeri që i duket, se do ia del vetëm dhe se do mundet të mbajë mbi supe
peshën e ndonjë faji, por prapë vijmë tek i njëjti përfundim se supet tona
nganjëherë mezi mbajnë suksesin… Realisht që të gjithë duhet të kemi aq guxim
në vete sa të përballemi më çfarë kemi bërë dhe të përpiqemi të rregullojmë
gjërat. Po si do të rregullohen gjërat me votat e mbyllura e pamë se çfarë
sollëm në parlamentin aktual…

Deputetët e inkriminuar

Deputetë të arrestuar për trafik femrash, deputetë të tipit
rrugaçë që u rrahën qoftë në sallën e parlamentit apo shkrehin armë në
konflikte pronash dhe skandale të tjera. Si arritën këta pseudo-deputetë të
inkriminuar të depërtojnë deri në parlament? Partive politike iu duheshin këta
të “fortë” për të marrë vota dhe i pamë frytet e këtyre listave të mbyllura.
Natyrshëm lind një pyetje: ne për deputetët nuk votojmë direkt, për presidentin
nuk e zgjedh populli siç ndodh në shumë vende të botës, atëherë çfarë zgjedhin
shqiptarët: deputet jo, president jo. Duket sikur jemi tufa delesh që hedhim
votën për çfarë na servirin. Ne nuk kemi president të të gjithë popullit,
presidenti është i zgjedhur nga një forcë politike që ka qenë në pushtet dhe ky
president që nuk zgjidhet nga i gjithë populli, nuk ka fuqinë e duhur të jetë
kreu i vërtetë i shtetit…Dhe arrihet deri atje, sa i përgjohen telefonat apo
nuk i japin rezidencën qeveritare për pushime…Po kështu edhe me deputetët e
listës. Nuk mbaj mend që ndonjë deputet i Pogradecit të jetë ngritur në
parlament dhe të ketë ngritur një problem për rrethin e Pogradecit …Pogradeci
ka ngelur si një fshat i madh pa asnjë investim, pa unazë dhe një rrugë hyrëse
950m të gjatë, e kanë lënë në mënyrë katastrofike gropa-gropa edhe pse janë
gllabëruar 9,5 milionë dollarë… Ku është firma “Pevlaku”? Ka ikur në drejtim të
paditur. Na ka hapur gropa që një luftë botërore nuk mund t’i hapë me predha
bombardimesh …Por, nëse deri tani makinat kanë rënë nëpër gropa, dallgët e
liqenit në dimër do ta mbushin me ujë dhe gjatë natës do të ngrijë akull dhe
nuk është çudi që makinat të përfundojnë në liqen…

Rilindja në katër vjet po e varros Pogradecin

 

Rilindja thonë drejtuesit e lartë të pushtetit, por kjo
Rilindje në këto katër vjet po e varros Pogradecin …Të gjitha investimet
shkojnë në Korçë. Pse, se këtu ka fituar e djathta?!…I kujt është Pogradeci? I
Shqipërisë apo i Maqedonisë?! Aq më absurde duket situata kur në skenën e
politikës dalin, madje edhe teza qesharake si ato të akademikëve maqedonas që
kohët e fundit hedhin idenë e shkëmbimit të territoreve; duan Pogradecin dhe
Prespën që të na japin Tetovën dhe malësinë e Sharit!? Kjo gjë nuk mund të
ndodhë kurrë, po desha të theksoj, se kemi deputetë listash që shkojnë në
parlament dhe dëgjojnë shoën dhe sharjet banale dhe më pas vijnë në qytet që të
bëjnë vetëm vendosjen e miqve të tyre nëpër punë të mira… “Ne pranojmë gabimet
tona dhe përulemi që të kërkojmë falje dikujt tjetër”, thotë ndonjëri prej tyre
kur e venë qytetarët me shpatulla pas murit. Këta deputetë edhe kur kanë faj
prapë e mbajnë egon në qiell. Por dhe të kërkuarit falje nuk ndodh, se duhet
guxim dhe kurajë për të falur dikë që të ka shkaktuar tragjedi apo të ka
prishur cilësinë e jetës. S’mund ta presim faljen nga çdokush. Vetëm kush është
i fortë dhe i vendosur për të vazhduar përpara dhe për të mos lejuar që një
person ose një veprim i këtij personi ta mbajë peng gjithë jetën, atëherë ai
person fal, fal por nuk harron, kështu bën i mençuri. Sot madje kemi njerëz në
poste drejtuese të korruptuar apo me personalitete të çrregulluara, dikush që
ia lënë fajin gjithkujt përveç vetes. Këta njerëz na shkatërrojnë jetën edhe
pse ne i kemi sjellë në karrige me vota të ndershme apo të blera. Me këta
drejtues ne humbasim shumë gjëra të cilat i kemi arritur me mund e djersë për
të mos humbur veten, për të mos humbur ato vlera që kanë ngritur breza të tërë
në vite dhe vjen një aventurier pa asnjë vlerë morale dhe qytetare dhe
shkatërron gjithçka… Të drejtosh është art dhe jo kushdo mund të drejtojë, nuk
merren njerëz nga rruga pa asnjë vlerë dhe ti i jep karrige, se është miku i
një deputeti, madje edhe pa diplomë duke iu bërë karshillëk atyre
intelektualëve që të kanë votuar dhe të kanë besuar…tek ty! Ne e dimë se jeta
nuk është fushë me lule, ka vështirësi e zigzake, por ajo ka një destinacion të
caktuar dhe secili në jetë kërkon të bëjë diçka të lërë gjurmë. Po ku të lënë
këta maskarenj pushtetarësh të lësh gjurmë, ata të çojnë në depresion dhe të zë
ankthi kur mendon se dhe sa kohë do ta kesh në krye këta debilë që po rrjepin
popullin. Gjithë jetën njerëzit kërkojnë lavdinë, kërkojnë të përmenden për
mirë, kërkojnë të jenë në harmoni shpirtërore dhe kërkojnë të gjejnë paqe me
veten, që mundohen të gjeni kënaqësinë tek gjërat e vogla, nuk iu kushtojnë
vëmendje detajeve, pranojnë edhe ndonjë gabim, kërkoni falje dhe falni kur ka
mundësi, tregohen të mëshirshëm dhe tolerant. Ja pra mbi këto mirësi të
njerëzve të mirë dhe qytetarëve të ndershëm shkelin këta pushtetarë zullumqarë,
të cilëve ju ka plasur cipa dhe nuk dinë se çfarë të bëjnë vetëm e vetëm që të
bëjnë para, para të pista nga djersa e popullit. Pushtetarë nuk na impresiononi
me ato fjalimet bajate dhe premtimet boshe në fushata, juve ju doli shumë
shpejt boja dhe populli mezi pret të shkojë tek kutia e votimit dhe t’ju
tregojë vendin. Koha shtron pyetje për ju, ju jep përgjigje, sqaron dyshimet,
por mbi të gjitha na tregon të vërtetën…