Bardhyl Berberi/ Pse gjithçka politizohet në Shqipëri?

576
Në jetën e përditshme ekzistojnë shoqëri shumë pak të politizuara, disa tjera janë mesatarisht të politizuara dhe një pjesë e shoqërive janë tejskajshmërisht të politizuara. Shqipëria i takon grupit të fundit të shoqërive, e cila është skajshmërisht e politizuar apo ky vend është shndërruar në qendër ku gati gjithçka është politikë. Këtu pra kemi politizim të skajshëm të shoqërisë në të gjitha sferat e jetës. Ky fenomen është prezent duke filluar kuptohet së pari, nga vetë politika, ekonomia, sfera sociale, shëndetësia, arsimi, kultura e deri te raportet më të ngushta e më intime të njerëzve, siç është rasti i Shukri Xhelilit me historinë e brekëve të grisura.

 Se këtu gjithçka është kthyer në politikë, kjo vërehet nga komunikimi i njerëzve e deri te sjelljet e tyre të përditshme. Edhe bisedat e zakonshme gjatë komunikimit të tyre janë të stërngarkuara me politikë, sepse zhvillohen rreth politikanëve dhe ngjarjeve politike. Njerëzit edhe kur dalin në rrugë flasin për politikë, edhe në stadium flitet për politikë, rasti i futbollistit të Tiranës Gentian Muça, për atë spektakël të turpshëm që vetëm aty nuk duhej bërë politike dhe thirrje raciste. Edhe në takimet e ndryshme private si dhe zyrtare nuk e lënë anash politikën, pra temë dominante gjithandej e gjithkëndej është politika. Edhe në mediat duke filluar prej emisioneve informative e deri te ato rekreativo-zbavitëse nuk mungon politika. Në edicionet informative më shumë se gjysma e lajmeve kanë lidhje me politikën apo me aktivitetet e subjekteve politike. Çuditërisht edhe në shkolla duke filluar prej atyre fillore, të mesmet e deri te fakultetet nxënës e studentë të flasin për tema politike. Krijohet përshtypja se jemi duke jetuar në kohën e mesjetës. Në atë kohë ideologji që dominonte ishte feja, ndërsa fjalën kryesore e kishin institucionet religjioze, ku njëherësh e luanin edhe rolin e institucioneve shtetërore nëse mund të quhen të tilla ato. Edhe sot është krijuar një realitet i ngjashëm njerëzit krejt të zakonshëm me një profesion të thjesht mekanik apo elektricist, të gjithë merren me politikë. 

Natyrshëm lind pyetja pse shqiptarët merren kaq shumë me politikë? Mendoj se për këtë kanë ndikuar tre faktorë. Njëri është se politika e ka monopolizuar gjithë shoqërinë dhe njerëzit si në kohën e mesjetës domosdoshmërisht janë të detyruar të merren me politikë dhe e dyta njerëzit këtu kur flasin për politikën krijojnë përshtypjen dhe u duket vetja se janë më të mençur dhe më inteligjentë. Dhe së treti varfëria na ka detyruar si popull që ta shikojmë shpëtimin tek politika. Edhe pse ata asgjë nuk bëjnë sepse ata vetëm se flasin për politikë dhe rreth politikës por një është të flasësh për politikën e krejtësisht tjetër të bësh politikë. Prandaj të gjithë mund të flasin për politikë dhe rreth politikës por vetëm se një numër i kufizuar i njerëzve mund të bëjë politikë. Në praktikë, në shoqëri të ndryshme ekzistojnë disa nivele të aktivizimi politik të njerëzve dhe grupacioneve shoqërore. Sipas një studimi të huaj për Shqipërinë nga sondazhet dilte 60 për qind e njerëzve janë të aktivizuar në politikë dhe 40 për qind e tyre nuk janë, atëherë kjo është një dëshmi se kemi ambient të shëndoshë politik si dhe mundësi që institucionet tona janë tejet të politizuara. 

Kjo shoqërohet pas rotacionit politik me ndryshime të administratës dhe vendosja atje e militantëve duke vendosur njerëzit me tesera partie dhe jo ata me tituj shkencorë. Militantët marrin karriget dhe me një nivel të ulët me diploma nga kioska private, të cilët marrin komandën duke i bërë punët çorap. Kjo gjendje mundëson instalimin e një qeverisjeje me plot të çara që vijnë nga kjo paaftësi dhe plot probleme që sjellin korrupsionin për faktin se kemi një shumicë të arsyeshme të njerëzve që kanë marrë poste që nuk i meritojnë. Këtë gjendje e kemi prezente çdo ditë ku kemi një shumicë absolute të njerëzve të politizuar, njerëz të paaftë politikisht dhe me moral të dyshimtë. Në këtë rast ky është tregues se konflikti në shoqëri është shumë i ashpër me këtë ushtri të paaftësh dhe të korruptuarish, që mund të sjelli shkatërrimin e sistemit politik. Populli shikon se në parlament, në kuvendin që duhet të jenë burrat e mençur që të japin mendje për hallet e popullit ndodh e kundërta. Aty një pjesë e tyre janë jo vetëm të përfshirë në afera nga më të ndryshmet, por kanë një nivel tepër të ulët dhe nuk ju dëgjojmë zërin asnjëherë… ata tërë kohën luajnë me celularë dhe as që duan t’ia dinë se çfarë thuhet atje. Duket sikur janë në një sallë shfaqjesh që argëtohen nga kërcunjtë që lëshojnë ata të përhershmit që më shumë kacafyten, sesa zhvillojnë dialog… Prandaj nuk duhet të merren të gjithë me politikë, por vetëm ata individë që kanë inteligjencë e mençuri, si dhe dije, sepse sot politika duhet të jetë një aktivitet intelektual. Jo një aktivitet rrumpallë që mund ta luajë kushdo…
Sigal