Bardhyl Berberi/ Përsëri ngërç në politikën shqiptare

546
Përsëri ngërç. Shtatë nenet e reformës kaluan në komision pa votat e opozitës. PS dhe LSI, e cila ka luajtur rol vendimtar në miratimin e reformës, sidomos lideri i saj Ilir Meta, i cili vazhdon të qëndrojë konsekuent dhe besnik i asaj që ka premtuar se reforma do të miratohet me çdo kusht…Përsëri ngërç në politikën shqiptare…Por natyrshëm lind pyetja se kur do të zgjidhet kriza politike në Shqipëri? Ajo do të zgjidhet atëherë kur nga politika të largohen shkaktarët e saj. Nuk do t’i përmend me emra, por me siguri këta janë individë shumë të rëndësishëm që zënë pozicione të larta politike në ambientin politik të Shqipërisë. Kriza nuk i ka goditur politikanët sepse këta më së miri gjinden kur ka kriza, ndërsa kjo e fundit po godet më së shumti qytetarët e vendit. Kur nuk ka krizë në politikë, atëherë ka njëfarë rendi, digjen parcela me drogë, luftohet më shumë krimi etj. Politikanëve nuk u intereson që të ketë rend e qetësi, sepse rendi u pamundëson krizat dhe paralizon faktorët që janë të interesuar për të shkaktuar kriza. Kur jemi tek zgjidhja e krizave gjithmonë këto zgjidhje duhet të bëhen nga faktorë që nuk janë shkaktarë të këtyre krizave.

Reforma në drejtësi u zvarrit në pafundësi duke u bërë një tërkuzë e gjatë, që ngjante me pëlhurën e Penelopës që thuret ditën dhe prishet natën. Reforma kaloi, por janë dhe shtatë nenet e saj që duket se opozita nuk do të lëshojë pe. Diplomacia amerikane dhe ajo europiane tashmë e kanë të qartë dhe kanë vënë pikën mbi “I” dhe i njeh shkaktarët që nuk duan të miratojnë reformën…Prandaj ajo po zgjat kaq gjatë dhe do të vazhdojë të zgjasë në pafundësi, nëse nuk gjenden faktorët dhe mjetet e nevojshme për ta zgjidhur atë. Qytetarët të stresuar dhe të mërzitur po presin që dikush të ndërmarrë masa dhe hapa seriozë që ta nxjerr vendin nga kriza politike për miratimin e reformës në drejtësi. Ata mendojnë se këtë mund ta bëjnë vetëm përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar te të cilët shumica dërmuese e qytetarëve akoma kanë besim shumë të madh. Por kur jemi te kriza në politikën shqiptare, bashkësia ndërkombëtare edhe përkrah angazhimit të deritashëm nuk u tregua jo edhe aq efikas për t’i detyruar liderët politikë që të gjejnë zgjidhje që më datën 31 gusht dhe që reforma të miratohet e gjitha së bashku me shtatë amendamentet e tjera e vendi mos ngelet në ankand. Ky motivimi apo detyrimi nga disa politikanë të mykur duket i papranueshëm për parimet e marrëdhënieve politike ndërkombëtare sepse do të duket si përzierje në punët e brendshme! 

Gjithsesi ka një logjikë të ftohtë, kur ka një stonaturë të gjatë për daljen e vendit nga kriza, duhet të aplikohet metoda të tjera më efikase në këtë drejtim se sa u treguan diplomatët amerikane por kjo vlen vetëm për përpjekjet e tyre që u bënë në periudhën e mëparshme të krizës këtu. Diplomacia amerikane gjithmonë është treguar më efikase në marrjen e hapave që përmbajnë masa për zgjidhjen e ndonjë problemi apo krize ndërkombëtare. Diplomatët amerikanë, në të shumtën e rasteve kur zbarkojnë diku, dinë t’i përzgjedhin metodat dhe mënyrat për ta imponuar vullnetin e tyre diplomatik që është një prej mjeteve kryesore të arritjes së suksesit në marrëdhëniet politike ndërkombëtare. Diplomacia amerikane është më e ashpër, por më fleksibile, gjë që në të shumtën e rasteve sjell efikasitet shumë më të madh. Ajo ka asin nën mëngë, pasi nëpërmjet shërbimeve të saj speciale i ka të dokumentuara zullumet e çdo politikani dhe nuk është çudi që pas 31 gushtit nëse 7 amendamentet e ngelura të reformës nuk do të miratohet atëherë do të dalin “lakuriq” të gjithë ata që i kanë bërë duart “pis” në qeverinë e djeshme dhe në atë të sotmen, të cilët po bëjnë ç’është e mundur ta sabotojnë këtë reformë jetike. Faktori ndërkombëtar e ka treguar se di të përdori mirë edhe kulaçin dhe kërbaçin në politikën shqiptare… Një gjë duhet kuptuar qartë se diplomacisë amerikane, asnjëherë nuk i ka ngelur sharra në gozhdë. Ajo me mjetet dhe metodat e saj efikase gjithmonë ka dalë fitimtare dhe padyshim ajo do të triumfojë edhe në Shqipëri … Pritet që dhe nga të djathtët që deri tani i kanë bërë bisht reformës ka deputetë të ndershëm që nuk janë bërë pis me trafiqe e korrupsion, që e duan reformën dhe do ta votojnë atë…
Sigal