Bardhyl Berberi: Për çfarë t’ju falim!?

550
Sigal

Bardhyl BERBERI

Dëgjojmë këto kohët e fundit që kreu i opozitës kërkon
falje, po ashtu edhe kryeministri aktual z Rama kërkon falje, se mund të kishim
bërë më shumë për popullin, pasi e ndjen që gjendja nuk është e kënaqshme.
Natyrshëm lind pyetja por përse t’ju falim …Të thuash, më fal është një
shprehje mirësjelljeje që duhet të shoqërohet me mos përsëritje të veprimit të
njëjtë. Por nuk vlen të vetëm të konstatosh të metat dhe gabimet që ke bërë në
të kaluarën, por të punosh me vetëmohim për të shëruar ato plagë dhe jo të hapësh
plagë të reja… Të gjithë kanë të drejtë në mënyrën e vet, si politikë bërës, që
të marrin mbi supe realizimin e një platforme të caktuar politike kur marrin
një mandate por njëherazi dhe të japin llogari për ato premtime që kanë kaluar
si fishekzjarrë janë thënë dhe janë zhdukur menjëherë në errësirën e qiellit.
Askujt nuk i merret e drejta për të dhënë një mendim, mirëpo politika si arti i
së mundshmes, është edhe sakrificë, guxim dhe veprim konkret për t’i thënë ndal
një të keqeje dhe për të vazhduar një rrugë të mbarë pas së cilës merren
meritat apo mëkatet. Është e drejtë dhe guxim të kërkosh të bëhesh edhe deputet
për t’u dalë në ballë kërkesave të atyre që përfaqëson por sigurisht që kjo nuk
bëhet duke dhënë bërë premtime të bukura dhe boshe sapo ulesh në parlament e më
pas nuk del në mejdan të mbrosh dhe t`u përgjigjesh kërkesave të sovranit dhe
halleve të shumta që ka populli. Dikush politik bërjen e paraqet si shëmtinë më
të madhe që ekziston sepse përmes kësaj përpiqet të mbaj larg të ndershmit, të
moralshmit, mësuesin, profesorin, mjekun, shkrimtarin dhe të tjerë …se
politikën aktuale në Shqipëri po e bëjnë dështakët ata me diploma të dyshimta
me nivel të ulët nën atë të një intelektuali mesatar prandaj ne punët na shkojnë
çorap …por ama jo të gjithë bien në këtë grackë pavarësisht etiketimeve që mund
tu vishen, ata marrin përsipër dhe premtimet i kthejnë në vepra. Mirëpo kjo
rrugë kalon përmes ca rregullave, që të zgjedhësh ata që duhen për në parlament
kjo përzgjedhje fillon në lagje, në fshat e ne qytetin ku jeton kandidati për
deputet , duke ju nënshtruar një radioskopie të hollësishme nga ata që e njohin
në lagjen ku ka jetuar dhe më pas vijnë kontributet e gjithsecilit. Një
përzgjedhje strukturore nga ku edhe merret e drejta për të përfaqësuar
fillimisht strukturat me pas edhe popullin nëse ai vendos të të legjitimojë me
vote. Por kjo asesi nuk bëhet si deri tani me emrin që të vendosë kryetari i
partisë në listë. Kryparlamentari Meta dhe në emër të forcës politike që
drejton pikërisht këtë kërkon me këmbëngulje dhe meriton që të mbështetet nga
të gjithë që të kandidatët të zgjidhen nga strukturat e bazës dhe më pas të
votohen me lista të hapura që populli të dijë se për kë do të votojë. Por ka
drejtues partish që i mjegullon këto ide progresive duke na servirur situatë të
turbullt politike, dikush injoron, të tjerë apelojnë, megjithatë dikush e bën
veshin shurdh dhe vazhdon avazin e vjetër duke na sjellë produktin e
parlamentit që ne kemi sot aktualisht të mbushur me deputetë me nivel nën atë
mesatar dhe me një të kaluar kriminale që çdo ditë që kalon zbulohen skandale
që vërtetë popullit i vjen turp për disa prej tyre, të kollarisur dhe të kullandrisur
e për më tepër thonë se jemi përfaqësues të popullit. Të dashur politikanë ju
nuk kuptoni vetëm një gjë në këtë jetë, që nuk mund ta ndryshoni dot as me para
korrupsioni; atë se kush jeni dhe atë se çfarë dini të bëni? Por edhe pse ju
kërkoni vazhdimisht “falje” ne na vishen sytë nga zhgënjimet dhe nuk e dimë se çfarë
mallkimi na ka zënë që na ka rënë për hise kjo klasë politike…Na keni hedhur
pluhur dhe baltë doni të na sillni plehrat…dhe kazinotë që lulëzojnë çdo ditë ku
është ai premtimi juaj që ditën e parë të ardhjes në pushtet që anuluat ligjin
e plerave dhe mbylljen e kazinove… Vetëm sa na hodhët hi syve siç thotë populli…E
sa kohë do të vazhdoni të mjegulloni, të shpikin të pa shpikurën, të krijojnë
modele të paqena por jam i bindur që të gjitha këto do të përfundojnë si
përpjekje dështuese dhe dëshpëruese, pasi koha nuk do të punojë më për ju , por
për një perspektivën drejt një të ardhmen Europiane por pa ju që kërkoni vazhdimisht
falje sa për të kaluar lumin por ky lloj lumi kësaj radhe nuk do të kalohet me
varka prej letre. Gjykata kushtetuese sot e miratoi ligjin e Vetingut, tani
besoj se do ta bëni gjumin me valium këtë fund viti për ju që i keni bërë duart
pis me korrupsion dhe krime … Vetingu një takëmi prej jush do t’ua helmojë
pushimet e fund vitit në Barcelonë apo Paris, Venecia apo Pragë, në Republikën Domenikane
apo në Karaibe ku ju keni bërë prenotimet.