Bardhyl Berberi/ Një krahinë me fshatra që vdesin çdo ditë

640
E tërë krahina e Mokrës me 47 fshatra e ndarë në dy pjesë përbën atë që quhet Mokra e Sipërme dhe Mokra e Poshtme. Mokra është e tëra në gjirin e maleve dhe fshatrat e saj e kalojnë lartësinë mbi 1000 m lartësi mbi nivelin e detit. Udhëtojmë drejt Mokrës së Sipërme. Sapo dalim në qafën e Kalivaçit si në një ekran filmi shfaqen shtëpi të mbuluara me rrasa guri që nga larg ngjajnë si shkëmbinj të latuar nga erërat. Fshatra të vendosura mbi gjokse malesh që ngjanë si fole dallëndyshesh. Mokra është krahina më e lashtë ku është shquar për trimëri dhe mikpritje. Nga e kaluara i kanë ngelur fjalë të rënda si “ Ara e gjakut “, “Luadhet e Sherrit “ apo emrat e njerëzve Sose, Mbaresa apo Qëndrime. Por Mokra dhe fshatrat e saj janë kapur nga epidemia e braktisjes. Fshatra të tëra me dyer të mbyllura me kyç dhe oxhaqe që nuk nxjerrin tym dhe ndonjë plak pranë ndonjë porte që tymos duhan. Ky është peizazhi …Po le të ndalemi në fshatin Zëmcë dikur para vitit 1992 ka pasur 120 shtëpi, ndërsa sot aty ka ngelur vetëm familja e kryeplakut të fshatit Petrit Zeqollari, vetëm ai nuk e ka braktisur fshatin pra nga 120 shtëpi, vetëm nga oxhaku i shtëpisë së kryeplakut nxirret tym…Kohët e fundit përveç kryeplakut ka ardhur të jetojë në Zëmcë një banor nga Fushë Kruja Bujar Hima, i cili ka ardhur për të ngritur një tufë të madhe me dhi. Po kështu në fshatin Llëngë nga 60 shtëpi jeton vetëm një familje ajo e mësueses së fshatit e cila mëson tre fëmijët e saj! Fshati Cezmë, fshat me 120 shtëpi jetojnë vetëm 2 familje në Selcën e Sipërme nga 140 familje jetojnë aktualisht vetëm 7 familje në fshatin Pevelan, nga 100 shtëpi aktualisht vetëm 7 shtëpi kanë banorë, po kështu Zgalla, Jolla pothuajse nuk kanë asnjë banor. Kryetari i komunës së Trebinjës ne ikje Feim Jashallari thotë se ka shumë arsye që këto fshatra po shkojnë drejt shuarjes. Kushtet e rënda ekonomike, papunësia, mungesa e infrastrukturës dhe emigracioni janë disa nga arsyet që sot nëpër viset ku dikur jetonin me mijëra banorë, të mos dëgjohet zë njeriu. Numri më i vogël i banorëve të tyre, kryesisht të rinjtë, ekzistencën po e kërkojnë në qytet, por numri më i madh e braktisën vendin dhe bashkë me familjet shkuan në mërgim. Kohët e fundit shumë prej tyre po kthehen por jo në fshat. Ata po blenë shtëpi në qytet me lekët e siguruar në emigracion dhe po hapin biznese në qytet .Kështu qyteti i Pogradecit nga 18 mijë banorë që ka pasur para vitit 1990, tashmë numëron më tepër se 55 mijë banorë. Ja si shprehet fermeri Bujar Hamzallari: Ka ulje të numrit të bagëtive, por edhe te të mbjellave, vreshtave dhe pemëtarisë. Pjesën më të madhe të sipërfaqes së punueshme e zënë arat dhe kopshtet, 81 për qind. Kjo, sipas fermerëve, tregon se fshatrat janë “në një moshë të vjetër dhe po vdesin”. Bujqësia, shprehen fermerët, ende nuk është konkurrente në treg, infrastruktura në mjediset rurale është e keqe, po mbyllen shkolla, të rinjtë kanë shkuar që moti dhe vazhdimisht po bije numri i bujqve aktiv. Por këtu në Mokrën e Sipërme janë shkatërruar që para dy vjetësh dy rezervuarët e Mujazës, njëri me 5 milion m3 ujë, kurse tjetri me 3,5 milion m3 ujë. Persona të pandërgjegjshëm shkatërruan sifonin e tubacioneve dhe vodhën tubat e çelikut për skrap. Ende asnjë person nuk është vënë para përgjegjësisë ligjore. Prishja e këtyre rezervuarve ka sjelle qe me shume se 20 fshatra te Mokrës t’u mungoje ujitja e tokave! Dhe ndërkohë që fshatrat vazhdimisht po shuhen, tokat po mbeten të papunuar. Në drejtim të gjitha këtyre trendeve negative po shkon edhe numri i atyre që mendojnë të kthehen nga kanë ardhur por edhe ndonjëri që është kthyer ka rregulluar shtëpinë për të ardhur të jetojë kohën e verës …Ky është një takim i vogël i atyre ndërzeve të kamur nga tranzicioni, por janë shumë pak, ajo qe duhet theksuar në Mokër ka fshatra qe vdesin çdo ditë.
Sigal