Bardhyl Berberi/ Një fshat pa shkolle por me vila pushtetarësh dhe biznesmenësh

668
Në një ditë të bukur prag vere me një qiell të pastër si sy fëmije jemi nisur për në fshatin turistik të Dardhës .Kemi lënë pas Korçën dhe Boboshticën dhe makina eci nëpër gjoksin e maleve të lartë që i kalon mbi 1344m mbi nivelin e detit .Dielli që ka dalë sipër majave të larta , herë shfaqet dhe herë fshihet nëpër qafat e maleve dhe duket sikur luan me ne sy mbyllur. Para na shfaqet një luginë e bukur e rrethuar me male alpine .Ata janë të mbuluar me kurorat e gjelbra të pishave. Shiu që ka rënë para dy ditësh ka lënë gjurmët e tij nëpër majat e maleve duke i dhënë peizazhit një pamje magjike duke harlisur se tepërmi gjelbërimin .Një rrugë plot zig-zake që gjarpëron nëpër gjokse malesh. Nga qyteti i Korçës ,pas rreth 20 km rruge të vështirë malore nëpër mbretërinë e pyllit na shfaqet Dardha e vendosur në shpatin e malit .Shumë shtëpi të vjetra janë të mbuluara me rrasa guri gri dhe nga larg ngjajnë me shkëmbinj të latuar nga erërat . Por midis tyre shfaqen shumë shtëpi të restauruara që kanë pamjen e vilave .Kur i pyet Dardharët të thonë se janë shtëpitë e njerëzve të kamur që kanë blerë shtëpi në Dardhë….Po pse në Dardhë ky interesim. Vetiu njeriu në majë të këtyre maleve të mbuluara me dëborë e çon mendjen tek pranvera e ndezur me blerim ,tek stina e verës plot freski që vijnë nga puhizat e maleve të lartë tek vjeshta me petale prej ylberi. Ngado syri të sheh ndërtesa solide prej guri të gdhendur kalldrëme të shtruar mjeshtërisht kroje të shumta dhe një numër i madh kishash midis tyre shquhet kisha e vjetër e Shën Gjergjit..Kemi ndaluar pranë një hoteli luksoz në këmbët e malit. Në hollin e lokalit takojmë pronarin e hotelit Tomi Ballin i cili është nga Dardha dhe së bashku me vëllain e tij Rubenin ka kryer këtë investim serioz. Tomi, si djalë nga Dardha e njeh shumë mirë historinë e Dardhës .
Historia e emrit të Dardhës
Fshati Dardhë është një fshat që është themeluar e rritur prej të “ardhurve”.Në Dardhë janë strehuar ata persona që kanë qenë të përndjekur që nga qeveria osmane e cila i detyronte që të ndërronin fenë. Këta persona që vinin gjenin strehë tek një stan nën një dardhë. Kur i pyesnin të afërmit ku jeni ata përgjigjeshin se jemi tek stani nën Dardhë më pas lindi tog fjalshi “në dardhë” deri tek emri sotëm Dardhë. Në dokumentet e hershme del se fshati Dardhë ka pasur 1454 frymë me 400 shtëpi. Natyrshëm thotë Tomi të lind pyetja si u popullua kaq shumë ky vend kur toka i mungon, dhe përgjigja është vetëm një vetëm për të qenë të lirë. Por pa tokë dhe të ardhura të pakta Dardharët kanë qenë të detyruar që të emigrojnë .Pasioni I tyre kanë qënë sharrat dhe sëpatat e druvarit. Tomi thotë se akoma atje në Olimp të Greqisë ende punon sharra e Dardharëve. Mërgimi I largët ishte një dramë e gjatë ,plot dhimbje përveç Rusisë, Anadollit Greqisë Dardharët kanë emigruar edhe në Amerikë. Rrallë kush ka ngelur pa pasur një pjesëtar të familjes në Amerikë. Aty dardharët morën pjesë nëpër shoqëritë patriotike. Në vitet e pushtetit komunist Dardha pësoi një rënie. Në vitet `60 në Dardhë ngrihet një shtëpi pushimi e cila pati një degë të turizmit korçar .
Dardha sot
Dardha sot ka ngelur një fshat pa fëmijë. Aty mund të numërohen vetëm 50 banorë që kryesisht merren me turizëm. Por kohët e fundit shumë Dardharë që jetojnë në Tiranë dhe në Korçë i janë rikthyer Dardhës. Janë kthyer dhe po ri ngrenë shtëpitë e tyre të braktisura prej shumë vitesh. Blerja e trojeve dhe ngritja e një kompleksi vilash nga shumë deputetë e pushtetarë apo biznesmenë i kanë sjellë Dardhës një pamje tjetër. Hotelet luksoze të ngritura kohët e fundit dhe vilat e Ben Blushit ,Teodor Laços apo biznesmenëve Gon Papuli e dhjetëra biznesmenëve të tjerë nga Tirana e Durrësi që i kanë dhënë Dardhës një pamje tjetër. Banorëve të rinj dardharët iu kanë afruar miqësinë dhe mikpritjen e tyre. Tre hotele luksoze sidomos hotel “Dardha” ku bëhen gatime tradicionale lakrori i famshëm dardhar, mishi i pjekur e shumë specialitete të tjera bio. Pa dyshim që Dardha është bërë një destinacion i preferuar për shumë vizitorë nga e gjithë Shqipëria .Asfaltimi i rrugës sigurimi i ujit të pijshëm pyjet e ruajtura anembanë saj kanë krijuar një pamje vërtet të mrekullueshme në çdo stinë. Ditët e weekend-it duke filluar nga pasditja e së premtes Dardha “sulmohet” nga qindra makina nga të gjitha qytetet e Shqipërisë sidomos nga Tirana për të kaluar weekend-in. Një grup studentësh nga Tirana na thanë për gazetën “Telegraf” se ishte hera e parë që vinin në Dardhë por janë mrekulluar këtu nga gjithçka që panë dhe shijuan. Por Dardha është e përshtatshme edhe për sportin e skive. Aty thotë Tom Balli pronari i hotelit është miratuar nga qeveria që të ngrihet pista e skive 1,5km e gjatë dhe 70m e gjerë. E pra e ardhmja e Dardhës ka vetëm një emër Turizëm…Ja ky është fshati pa fëmijë pa qendër shëndetësore me vila pushtetarësh e deputetësh që vijnë pushojnë mes kësaj mrekullie të natyrës. 
Sigal