Bardhyl Berberi/ Në Selanik ku grekët dhe emigrantët shqiptarë, po flasin me vete

117
Kemi kaluar doganën e Kapshticës në drejtim të Selanikut. Peizazhi përreth është i butë, rrëzë kodrave të ulta një peizazh tipik ballkanik. Por ajo që të tërheq më tepër në këtë udhëtim janë paraklisat dhe shumë kishëza të ndërtuara buzë rrugës. Na shfaqet para syve qyteti i vogël i Follorinës me shtëpi të ulta dhe të gurta modeli elbasançe. Tej në jug shfaqet qyteti i Grebenesë. Vetiu më erdhën në mëndje vargjet e një kënge të hershme:
Qiraxhi i Grebenesë, qiraxhi …/ Qënke qen i pabesë, qiraxhi …
Si dikur këtu fillojnë plagët e hidhura të kurbetit. Ashtu si dikur gjyshrit tanë vinin punonin në kurbet në Greqi për të siguruar bukën e gojës edhe sot vazhdon e njëjta dramë, por me përmasa shumë më të mëdha. Vetëm këtu në Greqinë e Veriut ka mbi 350 mijë emigrantë që i përmbledh konsullata e Selanikut. Në makinën time në Kapshticë kam marrë një djalë nga Mokra, Aleksi (Arifi). Emrin e ka ndërruar këtu në Greqi, thotë ai. Fillimisht ai ka kaluar nga mali për në Greqi. Kemi hequr e vojtur, thotë ai, pasi kur kaluam malin e Pisoderit, atje kishte dëborë. Edhe sot ndonëse kanë kalur mbi 15 vjet nuk e kuptoj se si mbritëm gjallë në Greqi jo vetëm që çamë dëborën me gjoks por na kërcënonin tufat e ujqëve nëpër pyll…Më poshtë Aleksi më tregon: Ja shikoje atë qafën e malit atje, i thonë “shtegu i refugjatit” pasi aty është një rrugë e njohur për të kalur. Këtu i thonë “ara e gjakut”, pasi një pronar grek theri me thikësi bagëti një emigrant nga Velçani i Mokrës, Aleksandër quhej ai. Pronarit grek ku punonte emigranti i kishin vjedhur kasetofonin e makinës dhe ai dyshonte se ia kishte vjedhur shqiptari…
Gjatë gjithë rrugës për në Selanik na shoqërojnë kisha e manastire të pafund… Kodra të sistemuara me portokalle, limona dhe ullinj. Padashur ndjen një trishtim të thellë kur sheh peizazhin tonë të braktisur me toka të papunuara të mbuluar nga shkurret dhe drizat. Duket sikur kudo këtu në çdo parcelë, taracë apo pemishte të sistemuar bukur është shkruar fjala “Punë” dhe padyshim është dhe djersa e shumë emigrantëve tanë që rropaten nga mëngjesi deri në darkë për të siguruar të ardhura për familjet e tyre. 
Jemi futur në autostradën e re dhe kemi lënë pas Kozanin, Verian e bukur dhe pasi kemi kalur dhjetra tunele njëri pas tjetrit në buzë mbrëmje i jemi drejtuar Selanikut. Për gjatë gjithë rrugës shohim karvan me makina emigrantësh të cilët po kthehen. Vdekjen e dinim, por që të katandiste Greqia në këtë mënyrë, na thotë ai, nuk e mendonim. Të gjithë shqiptarët do të ikin, kur i zoti i shtëpisë nuk ka bukë për vete nuk ka si të qëndrojë miku. Kështu themi ne nga Mokra.
Tej, thellë në horizont fillon e ngrihet një brezare e madhe dritash e cila sa më tepër i afroheshim qytetit nis e coptohet në sinjale, tabela, reklama .…
Selaniku është qyteti i dytë i Greqisë me gati 2 milionë banorë sëbashku me periferinë me një shtrirje të gjerë. Vetëm shqiptarë, na thonë, ka patur mbi 350 mijë që janë të inkuadruar në Greqinë e Veriut. Vjen mëngjesi, një kohë grixho, me ajër me lagështirë. Herë pas here binte shi. Tek stacioni i trenit përballë stacionit të autobuzave ishte një shesh i madh që dëgjohej vetëm shqip. Kjo është “Omonia” e Selanikut, më thotë një shqiptar, këtu presim që të na marrin për punë. Dhe nuk janë pak, mijra veta janë të gatshëm për të punuar çfardolloj pune. Kur orët kalojnë dhe nuk vjen ndonjë pronar grek për t`i marrë ata sikletosen së tepërmi nuk duan që dita t`iu iki bosh…
Aty sheh emigrantë të gjitha moshave. Kemi kaluar bulevardin Egnatia dhe kemi zbritur poshtë në drejtim të detit aty ku ndodhet edhe konsullata jonë në të njëjtën ndërtesë me konsullatën amerikane. Ndërtesa është zhvendosur kohët e fundit. Naum Tupa, një emigrant shqiptar që prej 10 vjetësh jetonte sëbashku me familjen në Selanik, na thotë se duhet të ecësh dhe të takosh emigrantët shqiptarë nëpër fabrika, kantiere, hekurkëthyesin, gurgëdhëndësin, bariun majë malit nëpër stane, fëmijët tanë nëpër shkolla… Është vërtet një fakt i pamohueshëm, se shqiptarët janë integruar me shumë dinjitet këtu në Greqi, madje edhe grekët tashmë kanë shprehje të tyren kur iu drejtohen puntorqve grekë “Të punoni si shqiptarët”. Por gjërat u rrukullisën për keq kaq shejt sa që kemi ngelur të shokuar…
Selaniku të befason në çdo stinë që ta shohësh. I shtrirë midis tre rrugëve më kryesore të cilat përfundojnë në det me ndërtime të reja, parqe të pafund të ngjitura lart në vertikale me rrugë të pastra. Selaniku shpaloset mbi det si një flamur dhe mbi këmbët e tij ka detin e kaltër si një djep gjigand me diellin në sy. Selaniku është një histori e gjallë e prekshme, lëvizëse. Pazari shekullor dhe i famshëm i Selanikut qindra e qindra vjeçar ishte duke u restauruar. Sheshi Aristoteli me një madhështi tej normales, kisha gjigande e Shën Dhimitrit (Agjo Dimitriu). Na shoqëron një emigrant që ka mbi 10 vjet që punon në Greqi, Agron Saliasi nga Korça, një burrë i fortë dhe me shikim të mprehtë…Ja e shikon atë fabrikën e çimentos, atje e kam ndërtuar unë sëbshku me disa shqiptarë të tjerë, montonim kapriatat në katin e 17 të saj. Jeta e njeriut, thotë ai, është dashuri është dhimbje, dashuri për fëmijët për vëllezërit motrat për prindrit për shokët e shoqet e fëmijërisë, ja sot ne po kthehemi me familjen në Korçë. Greqia mbaroi krejt, nuk kemi se çfarë të bëjmë më … Ela Kola është mësuese dhe i është përkushtuar krijimit të kurseve të mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Selanik. Ajo sëbshku me mësuesë të tjerë në mënyrë vullnetare iu zhvillojnë mësim fëmijve shqiptarë në gjuhën amtare. Po numuri i tyre ka rënë ndjeshëm, çdo ditë na largohen fëmijë sëbashku me familjet e tyre për në Shqipëri. Nga 65 fëmijë që ju zhvillonim mësim kanë ikur më shumë se gjysma e tyre… 
Udhëtojmë buzë detit. Kriza greke ka përmasa drastike. Buzë shëtitores, pranë torës së madhe shikon njerëz të përhumbur me fytyra inatçore që fjalosen me vete. Ishte fare e lehtë t’iu lexoje ankthin, një ankth që nuk dihet se çfarë do të sjellë e nesërmja. Gra të moshuara në kafene që tymosin cigare papushim dhe shajnë, në ballë iu dallohen damarët si të mbushur me zhivë… I gjen ngado në Selanik, njerëzit e dëshpëruar në restorant, në hotel, në kafene. Radhë e gjatë para bakomatëve që çdo grek tërheq vetëm 60 euro në ditë nga kapitali i tij i depozituar. 
Tej në horizont sipër siluetës së Torrës së Madhe varej pezull disku i i djellit. Lagështira e ajrit peshon mbi krahët e pulëbardhave të shumta që fluturojnë ultas mbi sipërfaqen e kaltër të detit dhe klithmat e tyre ngjajnë me një kor vajtojcash të cilat janë në një unison të plotë me të gjithë atë atmosferë të zymtë. Shëtitorja buzë detit është vërtet e mrekullueshme. Ndërtime të mrekullueshme me një arkitekturë bashëkohore ku alternohet modernia me të vjetrën. Befas përballesh me një monument gjigand të Aleksandrit të Maqedonisë. Një monument madhështor. Aleksandri i hipur mbi kalë me një pamje triumfatori. Grekët mburren me Aleksandrin. Pikërisht në këmbët e këtij monumenti gjigant pashë disa lypsa nga qyteti im midis tyre një muzikant të njohur që interpretonte me saks një pjesë orkestrale. I erdhi turp. Ekzekutonte një pjesë orkestrale e interpretuar me saks. Si i zënë në faj i skuqur thotë se të ardhurat që merr nga KEMP-i nuk i dalin për të mbajtur familjen prandaj ka gjetur këtë formë për mbijetesë. Kalimtarët e rastit i hedhin ndonjë monedha eurosh duke dëgjuar pjesët që ai interpreton. 
…Mbasdite u largova nga Selaniku duke marrë me vete atë trishtim të lexueshëm tek çdo fytyrë e fqinjëve tanë, por ankthi lexohej edhe tek emigrantët shqipatër që kanë depozituar në bangat greke djersën dhe mundin e shumë viteve pune të rëndë që kanë kryer…Nuk na zë gjumi natën, tha Naumi, kjo është e tmerrshme, asnjëri nuk e di se çfarë do të ndodhë pasi çfarë sjell minuta nuk sjell shekulli, po presim referendumin. Duke lënë diellin në perëndim si një lëmsh të zjarrtë i cili përflak gjithçka, kupolat e kishave të shumta në Selanik, direkët e anijeve në port, Torën e Madhe, monumentin e Aleksandrit të Madh, duke e mbushur peizazhin përreth me reflekse të kuqe. Peizazhi përreth ngjante me një gravurë të rrahur në bakër. Rrugës në kthim dhe në doganën e Kapshticës shikon shumë emigrantë që kthehen…