Bardhyl Berberi/ Modelet e demokracisë shqiptare

95
Ekzistojnë të paktën disa modele të demokracisë që zbatohen në praktikë në Shqipëri. Ato janë modeli i demokracisë “shit dhe blej vota”, modeli i “kërcënim-shantazhimit”, si dhe modeli i demokracisë duke ndërruar Kushtetutën sa herë që t’u dojë qejfi këtyre palo politikanëve tanë. Ky ndryshim që do t`i bëhet Kushtetutës, qoftë i fundit, pasi ajo është bërë si “defteri i hallvaxhiut”. Këto dukuri nuk i njeh shkenca politike, por ato ekzistojnë dhe zbatohen në praktikën politike të shtetit shqiptar. Model i parë i demokracisë është modeli i demokracisë “shit dhe blej”. Çfarë shitet dhe blihet pra në këtë model, shiten dhe blihen votat, shiten dhe blihen deputetët e njërit krah politik për të plotësuar votat në parlament për të miratuar një president apo për të miratuar reformën. Kështu që në rolin e shitësve janë vënë qytetarët e vendit dhe deputetë të opozitës. Vota nuk jepet gratis apo pa kompensim, por parapëlqejnë që për të të marrin një sasi parash. Siç janë blerë në të kaluarën disa deputetë. Por mund të blesh votën me një thes me miell, një plazmë televizori apo një lavatriçe, por ka një takëm të varfërish në ekstrem që ju janë shlyer listat e borxheve në dyqane apo farmaci. Ky është një çmim tepër i ultë, si vlerë këmbimi i votës së tyre.

 Sepse politikanët fitojnë shumë më tepër nga ajo që japin për t’i blerë votat, pra fitojnë legjitimitet të cilin në të gjitha rastet e keqpërdorin për të përfituar në çdo aspekt pse jo edhe të bëjnë pasuri marramendëse shumë milionëshe. Partitë politike në mënyrë të fshehtë dalin në terren dhe bëjnë oferta për blerjen e votave, ndërsa qytetarët votues potencial i shesin votat e tyre. Sigurisht se partitë dalin për të hulumtuar me qëllim për të siguruar vota kështu që aty ku kanë mundësi që të blejnë vota ato do t’i blejnë, ndërsa kontratën për këtë veprim do ta bëjnë me ndonjë njeri me ndikim apo me ndonjë njeri problematik të cilët ia kanë frikën të gjithë njerëzit në një lagje apo fshat. Partitë këtyre u premtojnë se do t`u punësojnë të afërmit apo se do t’u kryejnë ndonjë punë më të madhe. Kështu kajmakun do ta marrin njerëzit matrapazë, ndërsa të varfrit do të shtyjnë ca muaj pasi kanë shlyer borxhet në dyqanet e ushqimeve. Model tjetër i demokracisë është ai i “kërcënim – shantazhimit”. Partitë politike edhe pse në opinion mundohen të lënë përshtypje se e respektojnë vullnetin e qytetarëve, fshehurazi apo edhe haptas, i kërcënojnë dhe i shantazhojnë qytetarët votues duke ju bërë presion me vendin e punës. Me këtë model partitë politike i kushtëzojnë individët e punësuar në institucionet dhe organet shtetërore dhe publike me qëllim që të votojnë për ta sepse përndryshe ekziston rreziku për të mbetur pa punë. 

Ditët e fundit, partia në pushtet bëri të njohur një fakt se në shtator do të punësojë 7500 persona në administratë që kushtëzohen me vitin e fundit të pushtetit për t’i pasur si kontingjente për në zgjedhjet e ardhshme! Këta të punësuar njëherësh kushtëzohen se edhe do të përparojnë në karrierë nëse kontribuojnë që të fitojnë subjektet politike në pushtet. Duhet thënë troç se për demokracinë janë të dëmshme e të papranueshme shit-blerjet e votave, kërcënimi e shantazhimi si dhe kushtëzimi i votuesve në zgjedhje. Pasi ekzistojnë disa kritere shumë të rëndësishme, të cilat e legjitimojnë një demokraci të vërtetë dhe të shëndoshë në çdo vend të botës. Kriteret e demokracisë janë këto: Subjektet politike patjetër duhet ta respektojnë lirinë e zgjedhjes, vullnetin e shprehur të qytetarëve në zgjedhje, por edhe ta respektojnë dhe pranojnë dhe njohin zgjedhjen e bërë nga ana e qytetarëve, gjatë procesit zgjedhor, pa i bërë pis zgjedhjet siç ka ndodhur rëndom. Pasi kur i zgjedhim pastër përfaqësuesit jemi të detyruar që t’i respektojmë… Këto janë modele të demokracisë shqiptare, të cilat ende janë shumë larg demokracisë së vërtetë,drejt të cilës duam që të shkojmë dhe të aspirojmë…!