Bardhyl Berberi/ Kush kërkon të trazojë Ballkanin?

649
Tashmë është një fakt i pamohueshëm se Ballkani po prodhon më tepër kriza dhe histori se sa mund t`i mbajë kurrizi. Jemi dëshmitarë të një rrjeti të dendur të ngjarjeve të shumta. Nga njëra anë gjashtë shtetet e ngelura jashtë BE nga Ballkani Perëndimor nuk po arrijnë të pastrojnë hesapet e vjetra politike, ekonomike, sociale që kanë kulmuar me trazirat e përgjakshme që kanë ndodhur pas rënies së komunizmit. Por le të ndalemi më konkretisht: Vuçiçi e siguroi edhe një mandat tjetër katër vjeçar në rrugëtimin e Serbisë drejt Bashkimit Europian apo është koha e shpërbërjeve të reja brenda saj? Mbas një maratone të gjatë, Gjykata e Hagës çuditërisht liroi Sheshelin nga akuza për krime lufte në Kroaci, Bosnje dhe Serbi!” Pse? A po tenton dikush që përmes Ballkanit të trazohet Europa?

 Me t’u kthyer në Serbi Shesheli i hyri vrulltas veprimtarisë politike në krye të radikalëve serbë duke sulmuar me gjuhë të ashpër kundërshtarin e tij politik kryeministrin Vuçiç, për shitje të interesave nacionaliste të Serbisë në Perëndim. Shesheli nga goja e tij e shthurur prej një nacionalisti të tërbuar ka drejtuar shigjeta ogurzeza kundër Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së saj, duke ricikluar tezën e Car Llazarit për Kosovën, si zemra e Serbisë dhe Jerusalem i Ballkanit. Në aksin e politikës së jashtme të Sheshelit është riorientimi gjeopolitik i Serbisë drejt aleates strategjike tradicionale, me pikëpamje pro-ruse, anti-NATO dhe që kërkojnë mos integrimin e Serbisë në BE-në. Për Sheshelin Rusia i duhet Serbisë dhe jo BE dhe Perëndimi! Shesheli ndërkohë u jep rrugë të gjithë ankesave të serbëve për bombardimet e NATO-s në vitin 1999 gjatë luftës së Kosovës. Ai tërë mllef deklaron: Bashkimi Europian dhe NATO na bombarduan duke na marrë Kroacinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Republikën e Bosnjës, çfarë të mirë mund të presim prej tyre! Shesheli është një nga konstruktorët e destruktivitetit në skenën politike serbe duke potencuar më lartë disa shtete ballkanike si një mbrojtës i zjarrtë i ideologjisë “Serbia e Madhe”, që ka nxitur gjakderdhje në vitet 1990, të gjetur sot Europën e trazuar nga kriza social-ekonomike e saj për destabilizim të brendshëm! 

Në Serbi dhe në të gjitha shtetet jugore të ish-Jugosllavisë jo rastësisht papunësia arrin mbi 50 për qind dhe kjo gjithsesi është e projektuar në një kohë afatgjatë nga NATO, që më lehtë të lëkunden si të tillë. Në mjedisin politik serb, doktrina e Sheshelit synon të mobilizojë nacionalistët ekstremistë, radikalë, nostalgjikë, pro-rusë dhe anti-perëndimorë në Serbinë e sotme. A është Shesheli figura “kukëll” që do ta çojë vendin në falimentim politik duke luajtur rolin e zjarrvënësit drejt shpërbërjeve të reja në Ballkan? Dhe në këtë përpjekje ultranacionalistët radikalë serbë kanë pasur rritje si pasojë direkte e lirimit të Sheshelit nga Gjykata e Hagës “pa asnjë akuzë” që më pas lirshëm të angazhohet në krye të Partisë Radikale në fushatën elektorale të ditëve të fundit. Tendenca e ringjalljes së ultranacionalizmit serb të Sheshelit në Serbi a është ogurzeze apo edhe një skenar i fabrikuar si më herët gjatë viteve ’90 me shpërbërje të ish-Jugosllavisë nga shërbimet sekrete perëndimore dhe SHBA-së, e që sot tentohet nga KGB-ja. Pa asnjë dyshim Shesheli është një Zhirinovsk serb në Ballkan. Me ringjalljen e ultranacionalizmit serb duhet të shënohet një hap prapa në zhvillimet e brendshme në Serbi, një dobësim të aktorëve e faktorëve sadopak liberale e demokrate në shoqërinë dhe politikën Serbe, duke e tërhequr në një rritje të prirjes gjeopolitike pro-ruse të saj si dhe një kërcënim të shtuar për mbarë Ballkanin. 

Takimi i më parë Obama-Putin dhe së fundi mes Obamës dhe Mbretërisë Angleze ndoshta fshehë pas vete përgjigjet të katrahurave globale në një aleancë që po godet BE-në për ta ridizajnuar sipas “trendit anglez” e që homologia Merkel ashpër atë e refuzon. Kjo goditje aleancore mbi BE-në për momentin i konvergjon edhe Putinit ngaqë Rusia disa vite radhazi ndëshkohet me sanksione të padurueshme ekonomike që dukshëm dobësoi rireshtimin e saj në skenën globale. Megjithatë ringjalljet ultra-nacionaliste në Ballkan nuk kanë shkaktuar ndonjë alarm të madh tek BE tani për tani, pasi Sheshel, Gruevski dhe Ivanov shtrijnë duart drejt pushteteve të tyre drejt vëllait të madh Rusisë, derisa Vuçiç dhe Zaev luajnë rolin e revolucionarëve pro-perëndimor, të gjithë kanë marrë nga një rol në këtë teatër të përbashkët kukëllash ballkanase, vetëm shqiptarët rrinë dhe presin këtë skenë si të hutuar pa krijuar strategjitë e tyre diplomatike që nesër të mos kapen gafil.
Sigal