Bardhyl Berberi: Kujdes me regjistrimin e popullsisë ajo nuk duhet të jetë histori nacionaliste !

840
Intervistë me profesor Arben Puton pak muaj para se të ndahej nga jeta :
Prej disa vitesh pushonte në qytetin e Pogradecit prof Arben Puto, një nga specialistët e shquar të së drejtës ndërkombëtare. Një plak i mençur që kurrë nuk e tregoi moshën për shkak të energjive që ai kishte. Një nga akademik dhe studiuesit e njohur të historisë së Shqipërisë. Biseda jonë ngeli e incizuar dhe e papërfunduar pasi profesor Arben Puto u nda para disa kohësh nga jeta në moshën 92 vjeçare. Mendova që këtë intervistë ta bëj publike për lexuesin pasi prof i nderuar Puto ka dhënë disa përkufizime që kane interes për lexuesin dhe aq më tepër për regjistrimin e popullsisë. 
-Prof. Puto ka kohë që deputeti BDNJ kërkon regjistrimin e popullsisë kryesisht asaj minoritare, cili është opinioni juaj për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri? 
Së pari, desha të theksoj, se kjo çështje ka një vështrim historik. Problemi kryesor që mbeti “trashëgim” nga Lufta e Dytë Botërore dhe nga Konferenca e Paqes e vitit 1946 ishte “ Vorio Epiri”. Në këtë konferencë si dhe më parë pretendimet greke ishin për Shqipërinë e Jugut, e shprehur ndryshe në “Vorio Epirin” të cilat u rrëzuan, por qeveria greke në shtator 1946-ës, pati bërë një deklaratë në Konferencën e paqes, se ajo nuk do të njihte rrëzimin e kërkesave të saj për Vorio Epirin dhe se kjo kërkesë do të ngelej e pandryshuar, një pikë fikse në qëndrimin e saj ndaj Shqipërisë dhe do të jetë në agjendën e politikës së saj të jashtme…
Ajo nuk do të dalë më haptazi me pretendime territoriale, nuk do të kërkojë aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Tashmë në Athinë e kuptojnë, se nuk del gjë nga këmbëngulja me pretendimet e vjetra, nga ana tjetër është edhe Karta e Atlantikut që nuk parashikon ndryshime territoriale pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Për aq më tepër, që situata nuk është e favorshme në Ballkanin e ndarë midis Lindjes dhe perëndimit. Në këto rrethana qeveria greke nuk heq dorë, por detyrohet të ndryshojë taktikë. Shpreson të gjejë terren, të hapë shtigje në situatën e re shqiptare pas rënies së regjimit komunist dhe hapjes së Shqipërisë ndaj botës së jashtme. Paradoksalisht hapja krijoi një problem pikërisht me Greqinë. Menjëherë Athina u përpoq që ta shfrytëzojë këtë hapje, duke e parë si një okazion për t’ju rikthyer “ Vorio Epirit “ por me terma të reja. Programi i ri i punës së qeverisë greke ka të bëjë me një memorandum që mban emrin e ish kryeministrit Micotaqis që iu paraqit qeverisë shqiptare në korrik të vitit 1993, në fakt ky program synonte zgjerimin e zonës së influencës greke në Jug, pse jo edhe më tej me një paketë masash depërtimi 
Prof Puto mund të na thoni më konkretisht mbi këtë paketë masash të këtij memorandumi?
-Po, kjo paketë masash tashmë dihet pasi është vënë në veprim. Janë disa ndërhyrje të dhimbshme: Si vendosja e varreve të të rënëve grekë gjatë luftës me Italinë (tetor 1940- prill 1941) mbi varret e vjetra të banuar nga vendas që janë hapur dhe prishur, ngritja e përmendoreve përkujtimore greke në zonat që kalojnë edhe kufijtë e territorit që okupuan trupat greke duke ndjekur trupat italiane në tërheqje. Me kalimin e viteve shihet se ky proces ka ardhur duke u thelluar në favor të planit grek. 
Po qëndrimi i palës shqiptare cili ka qenë ndaj këtyre masave të memorandumit? 
-Gjatë këtyre viteve të demokracisë pala shqiptare është gjendur në pozita inferioriteti kundrejt politikës greke. Në fakt asnjë qeveri shqiptare në këto vite te demokracisë cilado qoftë ngjyra e saj, nuk ka treguar, as aftësinë dhe, as vendosmërinë për t`i rezistuar presioneve të parreshtura greke. Tashmë Vangjel Dule kërkon të bëjë një regjistrim të ri të popullsisë. Sigurisht që gjërat kanë ndryshuar, kanë ardhur dhe kanë ikur, breza të rinj vijnë në jetë, ka rritje dhe rënie nga një zonë në tjetrën. Në parim është krejt normale, por është e nevojshme, që në kryerjen e regjistrimit të mos hapen shtigje për një depërtim të ri të interesave greke. Në opinionin publik të vendit është shprehur shqetësim se në kryerjen e këtij regjistrimi me konotacione evidente politike nuk do të tregohet kujdesi i duhur për të shmangur lëshime të reja që mund të deformonin strukturën demografike reale të shoqërisë, pasi synimet greke janë gjithmonë të pranishme, tashmë ato kanë arritur disa rezultate. 
Çfarë mund të bëhet që t`i dilet përpara këtij problemi?
Është shprehur mendimi se në regjistrimin e ri nuk ka përse të përfshihet përkatësia etnike. Le t`i referohemi kushtetutës, e cila nuk i ndan shtetasit sipas kombësisë. Janë të gjithë të barabartë para ligjit pa dallim kombësie, feje, krahine, gjinie dhe ideje. 
Sillen si shembull edhe vendet evropiane perëndimore si Anglia, Gjermania, Franca, Belgjika madje dhe vetë Greqia, të cilat nuk i njohin grupet minoritare dhe janë shprehur me popullsi homogjene, kompakte. Por Shqipëria në regjistrimin e popullsisë nuk mund t`u shmanget njohjes së grupeve minoritare, ndër ta minoritetit grek që vjen në krye. 
Shqipëria është e lidhur me një deklaratë që ka bërë pas Luftës së Parë Botërore pranë Lidhjes së Kombeve. Në konferencën e Paqes të vitit 1919 u tha, se dështuan përpjekjet e delegacionit grek për të marrë “Vorio Epirin”. Shqipëria e Jugut nuk u cungua por Shqipëria garantonte njohjen e minoritetit grek në territorin e saj dhe angazhohej që ta trajtonte sipas një statusi të veçantë si një grup që e dallon nga shumica. Në të vërtetë të gjitha regjistrimet e popullsisë që janë bërë në të kaluarën e kanë përfshirë përkatësinë etnike. Minoritarët e kanë shprehur përkatësinë etnike greke. Sipas të dhënave të një botimi të ri të vitit 2003 (Atlasi Gjeografik I Shqipërisë ) numri i tyre ishte 66000. 
Profesor Puto atëherë a është e drejtë, sipas jush, që të njihet përkatësia etnike në regjistrimin e popullsisë ?
Problemi në këtë rast nuk është njohja e së drejtës së individit për të shprehur përkatësinë etnike, por formulimi dhe ushtrimi i kësaj të drejte. Nuk mund të vendoset përkatësia etnike thjeshtë me një deklaratë individuale pa kurrfarë kriteri. Kjo çështje ka të bëjë me nocionin e minoritetit, që të trajtohet nga e drejta ndërkombëtare si një kategori më vete. Është fakt, se në të drejtat ndërkombëtare nuk ka një përcaktim të nocionit të minoritetit që të trajtohet nga e drejta ndërkombëtare. Ka pasur dhe ka mendime kontradiktore. Pengesë për këtë janë bërë në radhë të parë vendet e përmendura të Evropës që nuk njohin minoritete. Megjithatë pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë e mundur të arrihet në një formulë kompromisi, sipas së cilit nocioni i minoritetit lidhet me dy kritere; kriteri subjektiv dhe kriteri objektiv. Për pasojë shprehja e vullnetit të individit nuk është e mjaftueshme. Në kushte të caktuara individi nuk është i lirë të shprehë përkatësinë etnike reale, ai është i kondicionuar nga rrethanat, përpiqet që t`i shpëtojë varfërisë, të gjejë një punë që nuk e gjen në vendin e tij, të hapë një aktivitet, të ndërtojë një banesë t`u sigurojë shkollën dhe të ardhmen fëmijëve. Janë mijëra e mijëra shqiptarë që vendi i tyre nuk i mban dot dhe ata shkojnë në Greqi. Pikërisht këtu qëndron e keqja, që individi detyrohet që të deklarojë një përkatësi etnike, që realisht nuk e ka. Kjo është një mënyrë që mund të sjellë një rritje artificiale të numrit të minoritetit. Një gjë nuk duhet të harrohet, se Athina ka pretenduar gjithmonë një numër shumë më të madh të popullsisë minoritare. Delegacioni grek në Konferencën e Paqes në vitin 1946 e çonte numrin në 300 deri në 400 mijë. Edhe kaq mjafton për të kuptuar, se kjo nuk është një histori nacionaliste, është një reokupacion i ligjshëm që vetë pala shqiptare me regjistrimin e ri, të mos bëjë asnjë lëshim t`i rezistojë çdo presioni për të shmangur deformimet e strukturës demografike të shoqërisë. 
Natyrshëm lind pyetja a ka zgjidhje?
-Po zgjidhja është koordinimi i kriterit subjektiv me atë objektiv sipas kompromisit të së drejtës ndërkombëtare. Deklarata subjektive është elementi i parë i përcaktimit të etnisë. Por kjo deklaratë do të ballafaqohet me të dhënat konkrete mbi personin, jetën e tij ,prejardhjen, lidhjet me vendin dhe me shoqërinë, gjuhën e folur shkurt me kriterin objektiv. Është folur për vënien para përgjegjësisë për shtrembërimin e përkatësisë etnike. Duket e tepërt, mjafton që në regjistrim të shënohet ajo përkatësi që rezulton efektivisht që nga shprehja e vullnetit deri tek të dhënat objektive. Kujdes pra me regjistrimin,e kuptuar drejt nuk është “histori nacionaliste”. 
Sigal