Bardhyl Berberi: Korça, Pogradeci dhe kujtimet e nobelistit grek

719
Sigal

Jorgo Seferis ka qenë konsull për dy vjet në  Korçë dhe vite më pas, në vitin 1963, ka
fituar çmimin Nobel

 

Kadare shkon në Greqi në vitin 1987 dhe takon Odise Elitisin,  “Nobelin” e dytë të letërsisë greke

 

Fare pranë qendrës së Korçës së vjetër me rrugicat karakteristike me kalldrëme
ndodhet një shtëpi dy katëshe karakteristike me gurë të gdhendur dhe një
ballkon të nxjerrë. Ajo është shtëpia e Jorgo Seferisit, i cili ka qenë konsull
për dy vjet në  Korçë dhe më pas ka
fituar çmimin Nobel në vitin 1963 (më thotë një ditë në Korçë,  poeti Skënder Rusi).

Të vjen keq që midis  Korçës dhe
Pogradecit kanë  jetuar në të njëjtën
periudhe kohe dy magjistarët e poezisë, Jorgos Seferis në Korçë me detyrën e
konsullit grek dhe buzë liqenit të Ohrit  mjeshtri i lirikave Lasgush Poradeci.

Gjeniu i letrave Ismail Kadare tek “Ftesë në studio” do të shprehet: “Ende sot ndjej një keqardhje që dy poetët e
mëdhenj Ballkanas, ashtu si dy botë paralele të pakapshme për njëri tjetrin, nuk
janë takuar ndonëse kanë jetuar vetëm 40 km larg njëri tjetrit!”

Më poshtë Kadareja thekson:

-Përndritjet e tyre kryqëzoheshin, thyheshin mbi faqet e ujërave të liqenit
të Ohrit shumëfishoheshin në kristalet e ngricës, ngrinin si shigjeta të
shkreta në qiellin plot pikëllim atje ku kufiri midis dy shteteve nuk qe aq i
saktë si në tokë.

 

Letra që Jorgos Seferis i
dërgon nga Korça të dashurës

Gjejmë një letër shumë domethënëse që Jorgos Seferis i dërgon nga Korça të
dashurës së tij në Greqi  ;

“Dimri në Korçë “nuk do të
na pengojë, verën e kemi përpara. .. Më pas ai duke hedhur vështrimin mbi ndërtesën
që ka përpara dhe rrugicën e shtëpisë së tij në Korçë do të shkruajë ;

Në strehët kërcënojnë
stalagmitet e akullit. Puhiza rrëmben grimcat e dëborës dhe një vel i hollë
rrotullohet, ndehet mbi portat e mbyllura, griste sokakëve e derdhet në fund të
rrugës, ku pëlhura nis të mbulojë pllajën e kodrës. Të gjitha faqet e çative me
vështrim nga veriu nisin fjollat e bardha. Mori cipëzash enden e vrapojnë të
veshin pamjen përballë. Vallëzimet mbi çati daravitën trishtimin, buruar nga
malli për të dashurën.

 

Kështu është përshkuar dimri i Korçës. kur Jorgo Seferis ka qenë konsull
nga viti 1936 deri në vitin 1937 në qytetin e Korçës .

Stina e ftohtë e Korçës, shkretëtira e fushave në dhjetor , vajzat me peliçe
që iu pëlqente të imitonin gratë e Parisit ashtu si Korça tundohej nga ëndrra për
t`u quajtur Parisi i vogël. Të gjitha këto do të linin mbresa tek Jorgos
Seferis .

Padyshim,  Korça në formën e zemrës
ku kitara netëve përcillte poshtë ballkoneve të Korçës serenatat e bukura ku
qyteti dremitte dhe zgjohej mbi supin e një mali dhe në zemër mbante kristale ..

 

 

Më poshtë në kujtimet e
Jorgos Seferisit gjejmë kujtime të ndryshme.

E ndalova shoferin në një
majë. Para meje hapej një sipërfaqe plot me ujë. Përballë male shumë të lartë. Zbrita!
I gjithë vendi ishte i mbuluar me dëborë. Vështrova duke kërkuar në atë masë
uji një barkë apo anije të vockël. Do të thosha m’u duk si një det i vdekur. Ishte
liqeni i Ohrit …I bukur me ujëra të kaltra …magjik!

 

Më poshtë në kujtimet e tij Jorgos Seferis thotë ;

Pardje vajta ekskursion deri në Krujë që është në një shpat mali mbi Tiranë,
një fole shqiponjash. Fshat i bukur dhe piktoresk, placdarmi i Gjergj
Kastriotit Skënderbeut. Kushdo e kupton këtu për mrekulli se si copëtonte mijëra
armiq duke zbritur lart nga malet .

 

Kush ishte
nobelisti Jorgos Seferis ?

 

 

Nobelisti  i parë grek Jorgos Seferis
ka lindur më 13 mars 1900 në Izmir të Turqisë. Jorgos ishte djali i madh i
Stelios dhe i Dhespinës. Në moshën 14 vjeçare fillon të thurë vargje. Lufta e Parë
Botërore do të ndikonte në frenimin e tij, madje ai ndërron disa vende për t’i
shpëtuar luftës. Në vitin 1917 përfundon me sukses gjimnazin klasik të Athinës.
Më 4 qershor 1917 e ëma e tij së bashku me tre fëmijët e saj shkon në Paris,
aty ku i ati i Seferisit, i cili ushtronte profesionin e avokatit. Kështu një
pjesë të rinisë Jorgos Seferis e kalon në Paris. Pas diplomimit të tij për letërsi
e drejtësi ai shkon në Londër për studime të thelluara në gjuhën angleze. Në
vitin 1925 Jorgos Seferis kthehet në Athinë dhe angazhohet në politikë. Në
vitin 1931 boton librin e parë dhe në vitin 1936 emërohet konsull i qeverisë
greke në Korçë ku do të qëndrojë deri në vitin 1938. Në vitin 1941 martohet me
të dashurën e tij Maria Zanu. Jorgos Seferis njihet si admirues udhëtimesh, të
cilat siç thoshte vetë ishin burim i frymëzimit për shumë nga veprat e tij. Jorgos
Seferis ka qenë më shumë evropian se grek, por ishte adhurues i madh i letërsisë
së lashtë greke. Siç shkruan vetë (në kujtimet e tij) në krijimtarinë e tij kanë
ndikuar Ezra Pound,T. S Elliot, Robert Vallery. Jorgos Seferis shkruante një
poezi melankolike me nota të dhimbshme. Në përgjithësi në poezinë e tij nuk
kishte nota të gëzueshme, por mesazhi ishte pozitiv dhe kishte në çdo poezi një
shpresë për të ardhmen. Vëllimet më të spikatura janë “Strofë “, “Kthimi i të
dëbuarve”. Seferis shkroi 9 vëllime me poezi.

Në vitin 1963 Jorgos Seferis pati kulminacionin më të madh të jetës së tij.
Reputacioni i tij i madh shkëlqeu me poezinë bashkëkohore duke tejkaluar kufijtë
e Greqisë dhe u hap në mbarë botën .Çmimi “Nobel” i marrë në vitin 1963 vulosi
talentin e tij duke çuar në Greqi ”Nobelin” e parë për letërsi .Vdes në 20
shator 1971 në Athinë. Më  vonë, në vitin
1979, çmimin Nobel në Greqi vjen  nga
Odisea Elitis i cili në biografinë e tij do të shprehej se: “Dy vende kishin
luajtur rol në formimin e tij, Shqipëria kur ai kishte ardhur për të luftuar
gjatë dimrit të vitit 1940  dhe Franca ku
ai kishte studiuar letërsinë bashkëkohore.”

Ja si e kujton Kadareja këtë
moment :

Rrugët e Gjirokastrës në vitin 1940 ishin plot me ushtarë grekë. Të gjithë
vinin nga Tepelena ose bëheshin gati të shkonin atje. Ashtu si fëmijët e tjerë
të qytetit të Gjirokastrës, shikonim nga dritaret uniformat kaki të ushtarëve e
oficerëve grekë. Ka mundësi, thotë Kadareja,  që të kem parë Elitisin me kureshtje dhe tmerr.
Dhe ajo që nuk ndodhi me Jorgos Seferis dhe Lasgush Poradecit që ishin aq pranë
dhe nuk u takuan ndodhi me Kadarenë, i cili shkon në  Greqi në vitin 1987 dhe takon  Odise Elitisin “Nobelin” e dytë grek që e
kishte marrë  pas Jorgos Seferis, në
vitin 1980 .