Bardhyl Berberi: Kasta e urryer e politikanëve

532
Sigal

Analfabetizmi dhe njerëzit mediokër të partive politike 

Kur filloi pluralizmi politik në Shqipëri njerëzit e mësuar me një parti shtet siç ishte PPSH nuk e konceptonin dot praninë e shumë partive politike në shoqërinë demokratike. Madje një burrë  nga Mokra më tha: Ore miku im ne këto 45 vjet një parti kishim dhe na mori shpirtin, hamë bukë me dhallë, por tani që do të bëhen shumë parti ku do të katandisemi ne, më duket se do të na rrjepin lëkurën…Dhe profecia e tij në një farë mënyrë u vërtetua… Me ardhjen e Demokracisë partitë politike i kemi parë si burim i së mirës së përgjithshme apo si organizata politike të krijuara për realizimin e interesave, kërkesave dhe nevojave jo vetëm të domosdoshme, por edhe më shumë se kaq, për shumicën e anëtarëve të shoqërisë. Kjo ishte fasada e parë e këndvështrimit të partive politike. Por koha tregoi se këto subjekte e kanë humbur dukshëm pozitivitetin që kishin dhe kanë filluar të bëhen burim i së keqes. Partitë politike nga zhgënjimi që ju kanë sjellë njerzëve në këto 26 vjet u janë neveritur në ekstrem. Përmes këtij shkrimi desha të evidentoj veprimet e errëta dhe të papranueshme në kundërshtim me interesat e popullit.  Ato pjesës dërrmuese të popullit i kanë sjellë trishtim. Partitë politike sot janë “vrasëset” më të mëdha të shpresave të njerëzve dhe mohuese të aspiratave të tyre. Sa për ta ilustruar këtë argument këtë muaj ka qenë aplikimi i lotarisë amerikane,  e cila është duke u mbyllur dhe sipas një burimi zyrtar  deri tani kanë aplikuar për lotari amerikanë më shumë se 330 mijë qytetarë shqiptarë që duan të largohen nga  atdheu i tyre i pistë dhe të lajnë pjata në një vend të pastë …

Po le të vazhdojmë me argumente të tjera. Anë e mbanë vendit lulëzon droga, korrupsioni, krimi…  Ka shkelje më flagrante të të drejtave dhe lirive të njeriut. Thamë që në demokraci do të shpëtojmë nga lufta e klasave…Përkundrazi partia që vjen në pushtet i hedh në rrugë nëpunësit e mëparshëm edhe pse mund të jenë të jashtëzakonshëm me tituj akademikë dhe mastera…Nuk vlejnë më titujt shkencorë para një terse partie që marrin mediokrit të inkuadruar nëpër parti politike. Këto subjekte dikur shumë të preferuara e sot shumë të urryera dhe nga një burim shprese shumë të madhe tani më janë shndërruar në institucione të neveritshme për njerëzit e ndershëm dhe  një vend pëllumbash për të bërë para dhe karrierë   për njerëzit e rëndomtë  për të cilat kanë shumë nevojë  partitë politike shqiptare. Edhe termat  janë deformura. Kështu  fjala “ndihmë dhe përkrahje të shtresave në nevojë” nuk ekziston në fjalorët e tyre sepse e kanë fshirë ajo përdoret si slogan vetëm në fushata … Në vend të kësaj fjale tanimë në këto fjalorë qëndrojnë fjalët korrupsion, drogë, koncesion, ndërkohë që për njerëzit e ndershëm, kërcënim, shantazh dhe hedhje në rrugë. Partitë politike po kthehen në vrastare të shpresave të njerëzve. Dhe t`i vrasësh një njeriu shpresën do të thotë ta lesh si një kufomë pa gjak. Pastaj lënia e familjeve të tëra pa buxhet të tyre familjar me qëllim të varfërimit të skajshëm, e tërë kjo bëhet me tendencë që këta të bëhen në mënyrë të skajshme të varura prej partive. 

Analfabetizmi po lulëzon me shifra alarmante

Thuhet zyrtarisht, se nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve se janë 15 mijë analfabetë, por kjo shifër është shumë më e madhe …- Ejani në qytezën e minatorëve në Gurin e Kuq  në Pogradec ku në  fjetoret e dikurshme të minatorëve janë strehuar familje nga zonat rurale  dhe  aty  mund të ketë  vetëm në atë qytezë me gati 100 familje mbi 50 fëmijë analfabetë. Një prind më tha “po ja u them dhe emrin Ismail Shuli ka shtatë fëmijë analfabetë të cilët lypin apo mbledhin kanaçe, ndërsa unë vetë dhe gruaja  ime, jemi me arsim tetëvjeçar”. E pra ky fakt është një zë kukuvajke për të vënë kujën… Dhe njerëzit duhet të presin në pafundësi në varfëri, ndërsa do përjetojnë orgjitë, qejfet e mbrapshta dhe tendencat e errëta të kastave të partive politike. A thua vallë ka ndonjë individ të mençur dhe të ndershëm nëpër parti dhe e sheh këtë realitet dhe praktikë shumë të mbrapsht e të hidhur që zbatohet nga ana e subjekteve politike pjesë të të cilave janë edhe ata?  Njerëzit e rëndomtë nuk janë të rëndësishëm për ta, si duket këta janë vetëm material konsumi që i blejnë një herë në kohë votimesh me një thes miell apo me ndonjë 5000 lekësh për çdo familje. Ata  popullin  e konsiderojnë si tufë delesh, dele të cilat sa herë  që t’i qethësh  do të marrësh  lesh… Të nderuar përfaqësues të partive politike, e keni sfilitur  popullin, i kini vrarë shpresën. Njeriun nuk mund ta vrasësh  vetëm me  armë zjarri, por edhe në mënyra tjera. Nëse atij ia mohon të tashmen dhe ia pamundëson të ardhmen e tij,  krerët e partive janë të zhytur në luks, krimbur në korrupsion, vendi drejtohet në poste kryesore nga njerëz  të paaftë dhe mediokër …