Bardhyl Berberi/ “Kamxhiku” i Ben Blushit

619
Edhe këtë të enjte Ben Blushi shpalosi idetë e tij duke shigjetuar ashpër qeverinë aktuale. Atë e quajnë shokët e tij bukëshkalë, e quajnë kalë troje brenda të majtës. Ai udhëton nga Dibra në Shkodër dhe anembanë Shqipërisë, diskuton për çmime me leverdi për fermerët në fshatra, premton kushte më të mira pune për punëtorët, hapjen e vendeve të reja të punës kërkon zona të lira duke marrë shembullin e Maqedonisë, shoqërohet me studentë me fermerë duke argumentuar për ideologjinë e “të majtës së re europiane”. Atij i kanë ngritur shokët edhe gracka si ajo e Elbasanit ku e kryqëzuan si Krishtin militantët e PS së Elbasanit.

 Të gjithë mendojnë se pas sulmit që i bëjnë të tijët do të largohet nga partia socialiste. Ai nxjerr njërën këmbë bën sikur del dhe ju rikthehet më fuqishëm me intervista dhe diskutime në parlament me kamxhik dhe çfarë kamxhiku. Është hall i madh kur të kthehet e të sulmon njeriu jot se ai e di ku janë rrobat e palara të shtëpisë së vet dhe t`i nxjerr në gardh t’i shohin të gjithë … Kjo është e gjitha pjesë e një imazhi të ri i Ben Blushit, i cili i doli përballë kryetarit aktual për të konkuruar në kongres, por ky i fundit e hodhi si në sportin e mundjes në tapet me një referenduam të paparë dhe të padëgjuar ndonjëherë. Ky është publicisti, shkrimtari dhe një ndër liderët e së majtës së moderuar, i cili me kantilencë dhe fakte sulmon të tijët, që po përpiqet të krijojë një opozitë brenda partisë së tij dhe po kërkon besueshmërinë nga disa deputetë që kanë dalë ballazi pro tij dhe disa të tjerë që qëndrojnë si eminenca gri dhe presin çastin që të dalin pro Blushit. Sidomos ca senatorë të vjetër që nuk morën asnjë post ministror dhe në qeveri u vendosën persona pa një CV bindëse. 

Ben Blushi ka dalë më herët kundër të majtës me Arben Malajn dhe Kaç Islamin, me ide të reja për të “kapur momentit historik” dhe për të ndryshuar programin duke lëvizur më shumë në të majtë me programe më sociale… Dhe për të realizuar gjërat më mire, por ata u larguan nga PS, madje Kaç Islami shkoi tek Berisha, Blushi bëri një kthesë dhe u rikthye në familjen e tij, por ai zjarr pakënaqësie që i vlonte në gjoks qëndronte i fshehur për momentin në formën e prushit dhe erdhi dita dhe i doli si një vullkan, pakënaqësia ndaj kryeministrit aktual dhe një pjesë të gardës së re që mbështesin Ramën. Llava e vullkanit u hap dhe dukej shehsit në parlament sheshit se opozita aktuale ishte më e dobët se ato që ngrinte Ben Blushi. “Për më shumë se një vit u përpoqa t’i bind ata drejt një programi të ri, më të ndjeshëm socialë kundër varfërisë. Por askush nuk e dëgjoi. Ai ka qenë një “kamxhik” i grupit parlamentar të partisë, duke shpjeguar mosmarrëveshjet dhe pakënaqësitë e tij brenda PS së. Ben Blushi ka dalë hapur kundër masave shtrënguese të qeverisë në taksa dhe koncensioneve së tanishme duke e quajtur kryeministrin Rama të paaftë të drejtojë qeverinë. “Skepticizmi i Blushit u shfaq hapur me një platformë në kongresin e PS ku ai “operoi qeverisjen me bisturinë e një kirurgu” duke e pushtuar sallën në një heshtje të plotë meditative. Secili në atë sale, gjatë fjalës së Blushit, ra në mendime, mbeti i gozhduar pasi faktet thotë populli të venë me shpatulla pas murit. Dhe kulminacionin Blushi e arriti dje kur tha se ende është duke qeverisur Sali Berisha në qeverinë tonë të majtë, pasi ne po qeverisim si Berisha. Ky është fenomeni Blushi brenda të majtës që po bën një opozitë të vertetë që dhe opozita aktuale e ka zili.
Sigal