Bardhyl Berberi/ Gjykatat tek ne, si dyqanet me mall demode

659
Rasti më i fundit në Gjykatën e Vlorës, që tre persona të armatosur lirohen nga gjyqtari, tregon se demokracia dhe zhvillimi i përgjithshëm shoqëror e politik në Shqipëri, janë bërë peng i gjykatave dhe gjyqtarëve. Beteja demokratike e faktorit ndërkombëtar dhe e shoqërisë civile po tregohet e pamjaftueshme për të mposhtur këtë pushtet që vjen nga lidhja e fshehtë e pushtetit politik me sistemin gjyqësor. Kjo lidhje ka ekzistuar në diktaturën komuniste, kur montoheshin procese monstruoze kundër intelektualëve, të cilët pushkatoheshin pa asnjë proces gjyqësor, por është e papranueshme që kjo të ndodhë pas plot 25 vitesh që jetojmë në një sistem demokratik. 
Por edhe pse jemi në demokraci, me sistemin gjyqësor është luajtur një teatër absurd, duke filluar me gjyqtarët e prokurorët e “plepave” në Durrës, me një kurs 6-mujor, dhe “me lugën e këpucëve” u futën në të gjithë shkallët e gjyqësorit, deri në gjykatën Kushtetuese. Dhe natyrisht, kjo do të sillte frytet e tyre në sistem gjyqësor. Interpretimi i fundit me deformacione në disa gjykata është një përpjekje mjerane për të manipuluar institucionalisht frymën e Kushtetutës për nevoja ordinere politike dhe lidhjet e saj me krimin. Ai tregon më së miri se si ajo është bërë karikatura e ndërgjegjes së pushtetit gjyqësor, dhe në këtë mënyrë, ajo po dëshmon se përfaqëson një mizantropi vulgare të pseudo-profesionistëve, që nën togën e gjyqtarit fshehin errësirën e një sistemi të korruptuar. Prandaj, Shqipëria e ka vështirë të bëjë ndonjë reformë të rëndësishme në parametra bashkëkohore, me standarde që kërkon koha. Ka aq shumë presion, saqë çdo ditë në tavolinat e bisedimeve, edhe pse Venecia ka sjellë një material “të bërë lopka”, siç thotë populli, tendenca për t`i zvarritur gjërat duke fabrikuar nga një sebep të vogël, është torturuese për njerëzit e ndershëm që kanë humbur shumë nga ky gjyqësor. Duket sheshit se katalizatori kryesor i frenimit të proceseve demokratike është ky gjyqësor kaq i përfolur, dhe kaq shumë skandale. Madje, zvarritja e qëllimshme që po i bëhet këtij, duket sheshit edhe tek këmbëngulja e kryeparlamentarit Z. Ilir Meta, i cili sot deklaroi fuqishëm se udhëzimet e Venecias ne do t’i votojmë menjëherë.
Po të tjerët ku janë? Pse heshtin? Reforma në drejtësi, me gjithë këto kontestime, duke i vënë lloj-lloj bishtash, po ngjan me një antireformë, që është më e fuqishme se reforma dhe përderisa politika dikton rregulla në gjyqësi, vështirë se do të ndodhin këtë pranverë ndryshimet e mëdha që ne po presim çdo ditë. Reforma në drejtësi po i ngjan pëlhurës së Penelopës, që endet ditën nëpër tavolina bisedimesh, dhe prishet natën nëpër skutat e errësirës. Është një takëm jo i vogël pushtetarësh dje dhe sot që I trembet kësaj reforme, të cilët do të përfundojnë mbrapa hekurave. Ndërmarrjet e guximshme “për një trupë speciale hetimi”, për të korruptuarit në rangjet e larta, për të inkurajuar denoncimin e krimit dhe korrupsionit, duhet patjetër të kenë një mbështetje më të fuqishme në shoqëri. Por edhe kësaj i është vënë një bisht. Njëra palë thotë të varet nga prokuroria, tjetra nga Ministria e Brendshme. Hajde gjeje zgjidhjen! Politika e keqe ka injektuar në sistemin gjyqësor e administrativ të vendit një virus që zor se do t`i gjendet një antibiotik për ta shëruar. Të kap shpesh pesimizmi dhe të duken të kota gjithë përpjekjet e ndërkombëtarëve dhe të ambasadorit Lu, që gjithë ditën rend sa nga një derë tek tjetra e politikanëve, dhe merr vetëm buzëqeshje prej tyre. Por gjërat nuk lëvizin. Ujërat e moçalit të patrazuar dhe të paprekur janë qelizat, që prodhojnë më së tepërmi deformim dhe regres, siç është kultura e mosndëshkimit të krimit institucional. Fundja, ky është realiteti. Edhe sikur t’i heqim sarkazmën këtij konstatimi, sërish do të zbresim te realiteti, i cili është më i vrazhdë, sa shpeshherë na vret shpresën sa herë shikojmë gjykatat e restauruara, që shkëlqejnë nga xhamat, por që brenda këtyre pallateve të drejtësisë mungon ai shkëlqim që duhet të vijë nga salla, ku jepen vendimet e ndershme, përndryshe ato do të ngelen si dyqane demode me mallra stok.
Sigal