Bardhyl Berberi/ A do të ketë tek ne një lidership të vërtetë!

268
E gjithë jeta ju kalon njerëzve duke u munduar të bëjnë diçka me vlerë të leri një gjurmë në jetën e tij. Padyshim një vend të veçantë në shoqërinë tonë zë personaliteti i një lidershipi që udhëheq shoqërinë drejt suksesit apo drejt një katastrofe. Kjo fjalë ka një kuptim kompleks, pasi lider mund të jesh si një dijetar që udhëheq një shkencë të caktuar, lider mund të jetë një shkrimtar që sjell një vepër arti me vlera të jashtëzakonshme për shoqërinë të cilët krijojnë shije progresive që i shërbejnë të ardhmes, lider padyshim është një politikan që vihet në krye të shoqërisë dhe e udhëheq sipas një mandati të caktuar. Dhe mbi këto turma njerëzish padyshim qëndrojnë personalitete të shquar të cilët janë vënë në krye të këtyre turmave për t`i udhëhequr drejt një të ardhme më të mirë. Por fatkeqësisht shpesh zbulojmë se zgjedhjet janë të manipuluara, që partitë politike nuk janë demokratike që në qeveri ka korrupsion, zyrtarët janë arrogant. Duhet vetëm një vështrim tangjent që të konstatosh një thes me gabime që nga ish liderët komunistë deri tek ata të sotmit. Shpesh ndeshim ide të helmatisura që jo vetëm nuk e çojnë shoqërinë drejt progresit por nga ana tjetër sjellin kaos dhe pasiguri. Ndërrimi i sistemit komunist me atë demokratik ishte jetik për vendin i cili përshpejtoj transformimet sociale dhe ju dha kohë disa ish liderëve komunistë të inkuadrohen në parti të majta madje të jenë edhe drejtues. Qëndrimi i këtyre liderëve në politikë uli efikasitetin e një demokracie funksionale me kapacitet të plotë, por dhe liderët e rinj që u vunë në krye të shtetit demokratik kishin mangësi profesionalizmi politik.
Nevoja e mandatit të kufizuar për liderat në Shqipëri
Le ta ilustrojmë këtë ide me dy burra shteti si Haveli në Ceki apo dr Berisha në Shqipëri vinin nga poste jo politike, i pari si dramaturg dhe i dyti si mjek kardiolog ishin si të vetmet zgjidhje të mundshme të përkrahur edhe nga Perëndimi për të zëvendësuar liderët e inkriminuar komunistë. Por shoqëria kishte nevojë për ndryshime të thella dhe jo për ndryshime kozmetike. Gjithmonë është vënë në dukje raporti i liderit me shtetin. Në shoqërinë pluraliste duhet që një lider të ketë një kufi drejtimi me mandate të përcaktuar ashtu si ndodh në SHBA ku një president mund të udhëheqë maksimalisht vetëm dy mandate, por fatkeqësisht kjo nuk ndodh tek ne në Shqipëria ku lideri pasi merr karrigen lidhet fort pas saj dhe e quan veten të përjetshëm nuk e njohin institucionin e dorëheqjes edhe kur vendi është i zhytur në kaos apo në krizë, korrupsion apo pas një skandali shtetëror siç ishte ngjarja e Gërdecit apo vrasja e katër njerëzve të thjeshtë në bulevard vetëm pse kishin dalë të protestonin. Dhe çuditërisht këta shkaktarë qëndrojnë ende në krye të partive të tyre apo si deputetë në parlamentin aktual, ku qëndron morali këtij gjesti? Fatkeqësisht tek ne forca e karriges së liderit rrethohet nga një tufë servilësh pranë këtyre liderëve të cilët i glorifikojnë këta liderë dhe i pompojnë si të pazëvendësueshëm arrihet deri atje sa të vidhen votat dhe me çdo kosto ky lider të qëndrojë në pushtet. Kjo padyshim është modeli më i keq i një ledershipi që na kujton udhëheqësit e kohës së diktaturës. Një lider i zgjedhur përfaqëson atë pjesë që i ka zgjedhur pra një pjesë nga e tëra në vend që të jetë drejtues i të gjithë popullit të tij. Kjo padyshim e shtyn liderin jo të zgjedh atë më të aftin për të çuar institucionin përpara por vendos një militant politik me arsim dhe kulturë të kufizuar Institucionet shtetërore shpesh kthehen në laboratorë eksperimentalë ku trajnohen (provohen) militantët politikë e jo intelektuali më i zoti që ndodhet jashtë këtyre formacioneve politike. Dështakët dhe të paaftët lulëzojnë dhe drejtojnë nën hijen e liderit politik që padyshim nuk sjell progres por diskrediton administratën shtetërore me këta militant. Një lider bashkëkohorë nuk duhet që të politizojë administratën nëpërmjet politizimit të pushtetit, partia në pushtet nënshtron institucionet nëpërmjet ushtrimit arbitrar të pushtetit. Jemi dëshmitarë të paralelizmit të veprimtarisë legjislative, ekzekutive apoadministrative në pritje të një vendimi politik nga forumet partiake. Jo rrallë ndodh që bëhet nga lideri personalizimi me shenjtërimi i drejtuesve që zbeh vlerat e këtyre institucioneve duke krijuar idenë se pa liderin nuk ka institucione dhe se me largimin e liderit shuhet krejt institucioni duke mënjanuar strukturat organizative. Rikthimi iI liderit në një emblemë të vetme të institucionit krijon imazhin e rremë se pas tij nuk ekziston asnjë mundësi reale drejtimi nuk mund të investosh besim dhe nuk do të ketë vazhdimësi! Historia botërore dhe ajo modern dhe bashkëkohore sidomos ajo me demokraci të konsoliduar dhe të suksesshme kanë afruar formula në të cilat roli kryesor e zë sistemi institucional me intelektualë të aftë dhe të zotë. Koha e liderëve të përjetshëm duhet të kalojë sa më parë. Duhet të ketë një shoshë që t`i flaki jashtë. Parfumi mistik i “ heroit “ liderit karizmatik demagogut madhështor i kalorësit të luftërave të shenjta, janë personazhe të epokës së dominimit dhe në Europën e sotme nuk mund të bëjnë dot karrierë. Pa dashur po flasim vetëm për të meta të një lideri të sotëm se aty ku dhemb dhëmbi thotë populli vete gjuha. Sinqerisht e dimë se nuk ka në ketë botë asgjë përfekte. As hënë që mbahet si simbol i bukurisë nuk është perfektë po ta shikosh me teleskop shikon kratre të thella dhe duket e shëmtuar, edhe deti nuk është i përsosur ai shpesh ka dallgë dhe leshterikë, edhe qielli nuk është gjithmonë i bukur si një sy fëmije ai shpesh ka re të zeza dhe lëshon rrufe pra në këtë botë nuk ka asgjë perfektë por gjithçka ka diçka special dhe esenciale që e bën tërheqëse. Jo pa qëllim e solla këtë shembull të thjeshtë nuk mund të ketë një lider të përsosur por një lider duhet të ketë disa piketa të rëndësishme me anën e të cilave duhet të vendosi standarde bashkëkohore dhe asnjëherë nuk duhet ta preki atë vijën e kuqe që prek ligjin dhe institucionet …Paprekshmëria e kushtetutës, ruajtja e territorit të vendit dhe interesat e larta të vendit. Historia ka treguar se ka pasur liderë psikopatë që e kanë mbytur botën me gjak si Hitleri, Pol Poti , Idi Amin, Sergeant Doe etj. Këta liderë kanë shtypur me pushkë vullnetin e popujve të tyre dhe kanë sulmuar me ushtri popuj të tjerë duke sjellë fatkeqësi nga mendjet e tyre të mbrapshte siç është rasti i nazistëve gjermanë të udhëhequr nga Hitleri. Këta lloj liderësh reaksionojnë ndaj ligjit dhe rregullit duke u mbështetur tek pjesa më e pa kultivuar e shoqërisë anarkiste për të mbjellë idetë e mbrapshta duke ushqyer një opinion të përgjithshëm kaotik dhe anarkist më pas justifikojnë mos kryerjen e funksioneve kushtetuese për të ushtruar pushtetin me pamundësinë e menaxhimit të vendit të tyre dhe ky realitet kaotik ushqen qëndrimin e tyre në pushtet si zgjidhja më e mirë në këtë kaos. Por ka dhe shembuj të tjerë me liderë progresivë që në moment kyçe të historisë botërore kanë dhënë zgjidhje. Ndërprerja e luftës së ftohtë prishja e murit të Berlinit dhe bashkimi i dy Gjermanive padyshim që kanë meritën e veçantë si ish lideri rus I asaj kohe Gorbacovi dhe ai amerikan Xhorxh Bush. Frytet e asaj marrëveshje ishin evidente në progresin mbarë botëror. 
Dekriminalizimi, realiteti i pashpresë
Por le të zbresim në terrenin tonë. Flitet për dekriminalizim nga të dyja partitë e mëdha se ka në parlament deputetë të njollosur të përfshirë në afera korruptive, e thënë troç para pak ditësh edhe nga ambasada e SHBA. Edhe pse askush nuk e pranon nga masa e gjerë e intelektualëve dhe populli që përfaqësuesit e popullit (deputetët) të zgjidhen me listë! Kandidat nuk konkurrojë përballë njëri tjetrit por vendos lista, mblidhen dy liderë dhe vendosin absurdin që përfaqësuesit e popullit jo të zgjidhen direkt por populli të votojë për një listë që paraqesin dy liderë partish! Edhe pse opinion i gjerë nuk e pranon këtë skemë ajo funksionon dhe deputetët përfaqësuesit e popullit vendosen me listë dhe çfarë na ndodh me këtë listë “Partitë futin në listat e tyre ata të fortët, të korruptuarit, trafikant droge, femrash dhe qeniesh njerëzore të cilët ju duhen nëpër fushat për të marrë vota dhe për të kryer manipulime. Kjo është një nga portat kryesore që mund të abuzojnë partitë dhe të sjellësh në parlament deputetë trafikantë që bëjnë spektakël para kamerave duke ngritur prangat lart”… Me këtë skemë interpretimi shpesh këta liderë e bëjnë realitetin të pashpresë. Kjo sjell në masën e gjerë të popullit një klimë pesimizmi që të largon nga Europa, të zgjat agoninë dhe mbijeton mentaliteti i dështuar. Në përfundim theksojmë se despotizmi dhe nepotizmi i një lideri, marrëdhëniet korruptive dhe informale me plot anomali në drejtimin e vendit janë fatale. Të drejtosh është art dhe jo kushdo mund të drejtojë dhe të jetë lider, liderët e përjetshëm janë shembulli më i keq që i ka kthyer ata në diktatorë…