Bajram  LAMAJ/ Vetëvlerësimi si risi dhe përgjegjësi në Kontrollin e Lartë të Shtetit

858
Sigal

*Drejtor Departamenti Auditimi në KLSH

Për herë të parë në Kontrollin e Lartë të Shtetit, në zbatim të orientimeve të dhëna nga organizatat e institucioneve të auditimit suprem publik EUROSAI dhe INTOSAI, mbi implementimin dhe zbatimin e procesit të vetëvlerësimit INTOSAINT, analiza vjetore 2014 u zhvillua mbi këtë drejtim. Ky proces u fillua me botimin e Manualit të Vetëvlerësimit të Integritetit për Institucionet Supreme të Auditimit, i cili shërben si udhërrëfyes për implementimin e metodologjisë së vlerësimit të integritetit dhe vlerësimin e riskut, etj. Kryerja e analizës së punës për vitin 2014 në frymën dhe metodologjinë e vetëvlerësimit gjeneroi një informacion më të zgjeruar dhe pjesëmarrjen e audituesve në vlerësimin e punës së tyre dhe të departamenteve ku punojnë. Për herë të parë, audituesit e KLSH u bënë faktori kryesor i vlerësimit të punës së tyre dhe performimi që bëmë si institucion në ambientet e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, ishte mbresëlënës e tregoi për një bashkëpunim të shkëlqyer mes këtyre dy institucioneve. Vetë studentët dhe profesorët u bënë pjesë e debatit dhe vlerësimit të rezultateve të punës dhe sfidave që na presin, nëpërmjet pyetjeve dhe diskutimeve, gjatë trajnimit për vetëvlerësimin e integritetit INTOSAINT(Integrity Self Assesment INTOSAI) dhe analizës vjetore që u krye dhe në Departamentin e Auditimit të Buxhetittë Pushtetit Vendor, Kontrollit të Territorit dhe Administrimit të Aseteve të Qëndrueshme. Synimi i KLSH-së, në zbatimin e procesit të vetëvlerësimit të integritetit, tashmë që nga viti 2013 anëtare e Task Forcës së Organizatës Europiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI) “Për Auditimin dhe Etikën”, është që eksperiencën  dhe konceptet e vetëvlerësimit  të integritetit  t’i shpërndajë dhe në institucionet e tjera publike dhe ato të auditimit të brendshëm. Kjo qasje do të rrisë bashkëpunimin në nivel këshillimi dhe me subjekte që kanë qëndrim pozitiv në vlerësimin e integritetit dhe të etikës, duke sjellë risi dhe prurje thelbësore në administratën publike, në përmbushjen e detyrave të shërbimit ndaj qytetarëve.  Ky proces ia vlen të kryhet në bashkëpunim me organizata të shoqërisë civile, të cilat janë pjesë e luftës kundër korrupsionit, duke udhëzuar e ndihmuar në formë këshillimi njësi publike për përshtatjen e INTOSAINT-it  sipas specifikave që kanë njësitë publike të interesuara. KLSH do të punojë që me eksperiencën e fituar, të udhëheqë nisma e misione të vetëvlerësimit të integritetit në njësitë e ndryshme publike, por gjithmonë duke ruajtur pavarësinë e tij kushtetuese.

Tre shtyllat kryesore ku u përqendrua vetëvlerësimi i integritetit ishin:

1. Parandalimi i korrupsionit

2. Implementimi i politikave të integritetit në institucion

3. Rritja e njohurive për integritetin  në stafin e KLSH.

Në këtë kuadër, nga drejtuesit dhe grupi i punës, u përgatitën dhe u paraqitën 32 pyetje me nivele vlerësimi për integritetin dhe problemet që shqetësojnë audituesit e jashtëm publik, duke mbuluar të gjitha problematikat dhe proceset që kemi si Departament, kryesisht në procesin e auditimit, evadimit dhe menaxhimit të departamentit dhe sidomos menaxhimit të riskut në të gjitha fazat e auditimit. Ky proces (mision vetëvlerësimi) që u implementua për herë të parë, rezultoi i kënaqshëm dhe na ndihmoj si Departament, për një vetëvlerësim realist, kritik e bashkëpunues nga poshtë- lart, (auditues-drejtues departamenti e institucioni) të problematikave tona, duke shmangur euforinë e parë me besim realizimin e angazhimeve për vitin 2015. Nga ky proces u nxorën 21 objektiva, të cilat do të  jenë shtyllat udhërrëfyese të departamentit për realizimin e detyrave të vitit 2015. Këto objektiva, dolën nga vetëvlerësimi i kryer me anketimin dhe diskutimin e audituesve të departamentit tonë dhe kontributin e stafit akademik të Universitetit “Ismail Qemali”, i cili mori pjesë në analizë. Ky vetëvlerësim do të pasurojë dijet e audituesve dhe vetë mënyra e analizës së punës për vitin 2014 nëpërmjet zbatimit të metodologjisë së INTOSAINT, me një trajtim të zgjeruar profesional e shkencor dhe zhvillimin e debatit nga poshtë lart, solli një demokratizim të debatit konstruktiv të pjesëmarrësve (auditues, drejtues, studentë, profesorë dhe të ftuar nga shoqëria civile, etj.) në takimin dy ditor (26-27 Janar 2015) të organizuar për përvetësimin e këtij procesi. Ai shtron nevojën për ta implementuar e zbatuar atë dhe në subjekte publike që kontrollojmë, si një auditim pilot. Shembulli i Gjykatës Holandeze të Auditimit në drejtim të auditimit të vetëvlerësimit të integritetit, ka pasur një rezultat tepër të mirë dhe është certifikuar nga EUROSAI dhe INTOSAI, për ta implementuar nëpërmjet trajnimeve në institucione supreme auditimi (SAI) të ndryshme.

 Departamenti i Auditimit të Buxhetittë Pushtetit Vendor, Kontrollit të Territorit dhe Administrimit të Aseteve të Qëndrueshme për vitin 2014, në përmbushje të objektivave të caktuara ka pasur rezultate të larta dhe është bërë shembulli i punës cilësore e rezultative për KLSH.  Rekomandimet e dërguara në 44 subjekte janë vlerësuar e zbatuar në masën 80%, tregues ky që flet për një punë profesionale cilësore të audituesve të këtij Departamenti. Janë harmonizuar e menaxhuar me efektivitet burimet njerëzore dhe vlerat profesionale të të gjithë audituesve dhe stafit drejtues  si me punën audituese, por dhe punën e përhershme trajnuese ku çdo auditues ka kryer 25 ditë trajnim në vit, tregues që flet për një rritje të nivelit profesional dhe përditësim koherent të ndryshimeve ligjore që kanë ndodhur. Për vitin 2014,  Departamenti i Auditimit të Buxhetittë Pushtetit Vendor, Kontrollit të Territorit dhe Administrimit të Aseteve të Qëndrueshme, ka pasur në plan për të kryer 54 auditime dhe ka realizuar 62 auditime, ose 8 subjekte mbi parashikimin. Nga 62 auditimet e evaduara për vitin 2014 kanë rezultuar 1.399.407 mijë lekë shkelje të ligjshmërisë me efekte financiare, ose sa dy vitet  e fundit të mara së bashku. Vetëm  konstatimet  në 3 Drejtori Rajonale të ALUIZNi-t të vlerës prej 685.950.000 lekë përbëjnë rreth 50 % të zbulimeve gjithsej. Departamenti ka rekomanduar 787 masa për vitin 2014, nga të cilat 720 masa disiplinore dhe 67 masa  administrative, kundrejt krahasimit me vitin e kaluar që ishin 580 masa gjithsej, duke propozuar më shumë 207 masa disiplinore. Ka rekomanduar 984 masa organizative nga 783 masa organizative të rekomanduara në vitin 2013, ose 201 masa organizative më shumë. Kemi dërguar kallëzim penal në Prokurori për 16 subjekte dhe 62 persona, në të cilat kemi qenë rezultativ  e dobiprurës për luftimin e fenomenit të pandëshkueshmërisë. Mbi bazën e materialeve tona, Prokuroria ka kryer hetime e dërguar për gjykim në Gjykatë. Mbështetur në materialet tona, mbi 15 persona janë marrë vendime nga gjykatat pas hetimeve për denoncimet e bëra nga departamenti. Për vitin 2014, janë paraqitur në departamentin tonë gjithsej 245 ankesa nga qytetarë e subjekte të ndryshme, nga këto 82 ankesa kanë qenë jashtë kompetencave të KLSH-së dhe janë adresuar institucioneve përkatëse, por kemi ndjekur verifikimin e tyre duke njoftuar qytetarët mbi konkluzionet dhe zgjidhjet e bëra apo mungesë dokumentacioni. Rritja e bashkëpunimit, transparencës, menaxhimit, integritetit profesional dhe nxitjes vlerave pozitive brenda departamentit, do të sjellë realizimin e detyrave me një cilësi të lartë e produkt të mirëpritur nga publiku e palët e interesuara. Ne do të rrisim bashkëpunimin me shoqatat dhe OJQ që kanë interes për produktet tona, për të kryer trajnime e workshop-e të përbashkëta, që na shërbejnë në punën tonë të përditshme, ku publiku pret shumë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në luftën kundër korrupsionit.