Bajram LAMAJ*/ Përgjegjshmëria dhe transparenca në administrimin publik të qeverisjes vendore

519
Një sfidë e madhe me të cilën përballet KLSH në kuadrin e reformimit të tij, si një institucion modern dhe bashkëkohor e që i përgjigjet hapave që janë ndërmarrë nga të gjithë strukturat e shtetit shqiptar për integrimin uuropian dhe përafrimin e legjislacionit dhe promovimin e kuptimit më të mirë të rolit dhe detyrat që ka ky institucion në shoqëri, pra për publikun dhe administratën. Miratimi i ligjit të ri nga Kuvendi e ka vënë këtë institucion përballë sfidave të mëdha, ku kryesore është që puna, veprimtaria dhe produktet që nxjerr, të cilat duhet të jenë transparente, pra të dukshme në arenën publike, duke komunikuar hapur me median dhe palët e interesuara si nga shoqëria civile dhe nga administrata. Puna e filluar mbi tre vjet ka dhënë frytet e veta, ku sot të gjithë mund të marrin informacionin e duhur në KLSH, nëpërmjet websitet, workshop-eve, publikimeve, botimeve që janë mbi 30 libra të botuara metodiko – shkencor dhe revista shkencore periodike, etj. 
Llogaridhënia dhe transparenca
Llogaridhënia dhe transparenca janë dy elementë të rëndësishme të qeverisjes së mirë, e para është me impaktin që ka përgjegjshmëria e drejtuesve vendorë për menaxhimin e administrimin publik në shërbim të komunitetit, por dhe llogaridhënia para publikut dhe institucioneve kompetente. Transparenca për një drejtues vendor është një forcë e fuqishme, që kur aplikohet vazhdimisht, si me votuesit dhe me palët e interesuara, mund të ndihmojë në shmangien e veprimeve korruptive dhe përmirësimin e qeverisjes vendore, duke nxitur kështu llogaridhënien para publikut që i ka zgjedhur. Me kompetencat e reja të KLSH, neni 10 “Kompetencat”, është cituar se: “ka për kompetencë auditimin e pasqyrave financiare vjetore për njësitë e qeverisjes së përgjithshme dhe dhënien e opinionit për to…”. Për Departamentin e Auditimit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Kontrollit të Territorit, Administrimit të Aseteve të Qëndrueshme, kanë dalë detyra të reja për përmbushjen e misionit tonë si auditues të jashtëm. Menjëherë u ngrit grup pune për të vlerësuar situatën e deritanishme për shkallën e zbatimit të rekomandimeve të dërguara pas përfundimeve të auditimeve dhe nga ana jonë jonë u konstatua se kemi një rritje të shkallës së përgjegjshmërisë nga drejtuesit vendor, por duhet të themi se me pritshmëritë që kemi jemi akoma larg. Në këtë kuadër nga ana jonë u morën iniciativa këshilluese, për ata drejtues që i vlerësuam si “të pabindur” dhe rezultati ishte shumë i kënaqshëm. Kjo na detyroi që të rivlerësojmë situatën e administrimit publik e financiar në njësitë e qeverisjes vendore, të shqyrtojmë shkaqet dhe pse jo të nxjerrim përgjegjësitë e tyre, duke futur modelin e ri të këshillimit, por gjithmonë pa shkelur parimin e pavarësisë institucionale dhe duke pasur kujdesin e duhur, për të mos u bërë pjesë e veprimeve administrative, pasi kjo do cënonte rëndë pavarësinë e KLSH. 
Ankesat për kryebashkiakët dhe kryekomunarët
Klima parazgjedhore lokale, ka sjellë në fokusin tonë dhe për shkak të rritjes së besueshmërisë së publikut ndaj KLSH, një numër të madh ankesash për veprimtari të paligjshme të drejtuesve vendorë, veçanërisht ankesat janë për dy drejtime: për drejtues komuna e bashki që do shkrihen me reformën administrative dhe për ata drejtues vendorë në bashkitë ekzistuese që nuk janë rikandiduar. Kjo ka sjell shqetësim për ne si KLSH, pasi ne kemi burime njerëzore të kufizuara dhe nuk mundemi të përballojmë çdo ankesë apo kërkesë për auditim, këtu kërkojmë dhe mirëkuptimin e qytetarëve dhe palëve të interesuara. Njëkohësisht për shkeljet në shpërdorim fonde buxhetore si në prokurime, zbatim të kontratave, etj., duhet një angazhim edhe më i madh i Ministrisë Financave nëpërmjet Inspektimit Financiar dhe Auditimit të Brendshëm, pasi ne si KLSH nuk mund të verifikojmë çdo financim buxhetor. Kjo dhe për faktin se KLSH ka një plan vjetor auditimi dhe dalim jashtë objektivave tona e kthehemi në inspektorë financiar, ndërkohë që auditimi i jashtëm ka dhe objektivat dhe misionin e vet kushtetues. Në menaxhimin financiar dhe administrimin publik, çdo drejtues vendor duhet të adoptojë për raportimin financiar parimin e të drejtave e detyrimeve të konstatuara, pasi kjo i shërben mirëqeverisjes, transparencës dhe rrit përgjegjshmërinë para publikut e ligjit. Çdo drejtues vendor (menaxher) për këtë vit, ka në dispozicion fonde të limituara e të kufizuara, është shumë e nevojshme që këto fonde të përdoren në mënyrë të saktë dhe efiçente, duke dhënë një performancë me siguri besimi tek publiku se këto fonde po përdoren në dobi të komunitetit si në sasi por dhe në cilësi. Rastet e keqpërdorimit të tyre ne kemi konstatuar këtë fillim viti, pasi fushata parazgjedhore përveç “pupilizmit” ka zgjuar dhe oreksin e njerëzve që duan të përfitojnë nëpërmjet abuzimit e mashtrimit financiar. 
Shkeljet me fondet publike
Kemi raste në komuna që do shkrihen që investimi nuk kryhet as 50% e vlerës dhe jo vetëm janë përvetësuar fondet, por është cënuar interesi publik i banorëve, po kështu kemi konstatuar shkelje dhe me përdorimin e Fondit për Zhvillimin e Rajoneve në qytete, ku dhe për bashkitë ekzistuese ne si KLSH, do të kërkojmë vënien para përgjegjësisë të drejtuesve, si ata që kanë rikandiduar dhe ata që nuk rikandidojnë, ndaj marrja e masave parandaluese dhe sensibilizimi publik për denoncimin e këtyre veprimeve korruptive, do na ndihmonte shumë ne si auditues të jashtëm. Po kështu, ne konstatojmë shkelje të rënda ligjore në drejtim të administrimit publik, kryesisht prona dhe transaksione të tyre, qira, koncensione, etj., megjithëse ne kemi bashkëpunuar me Shoqatën e Kryetarëve të Bashkive të Shqipërisë, duke marrë pjesë në workshop që kryejnë, ku ne dërgojmë specialistët tanë më të mirë dhe këshillojmë ata që të marrin masa për parandalimin e këtyre veprimeve abuzive dhe u kërkojmë rritjen e përgjegjshmërisë së tyre para publikut e ligjit. Por, kjo situatë duhet të shqetësojë e angazhojë dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe instancat e tjera ligjzbatuese që mbulojnë aktivitetin e këtyre njësive të qeverisjes vendore, pasi është shumë e nevojshme në situata parazgjedhore të ketë kontroll të vazhdueshëm administartiv mbi rregullshmërinë e përdorimit të fondeve publike në dispozicion të qeverisjes vendore. 
Shqetësimi i qytetarëve
Çdo qytetar mund të shtrojë pyetjen “Po ju si KLSH çfarë bëni?”, sigurisht shqetësimi për pritshmëri më të lartë i publikut është i drejtë, por ne si institucion kryejmë auditime të limituara në numër, për shkak të burimeve njerëzore dhe logjistikës së dobët, aspak siç i takon dhe nevojitet një institucioni Suprem të Auditimit. Për të dhënë një përgjigje sa më institucionale dhe të kuptueshme, po citoj pjesë nga Deklarata e Limës(Kushtetuta e Institucioneve Supreme të Auditimit) e hartuar nga INTOSAI: “Auditimi nuk përfaqëson një fund në vetvete, por një pjesë thelbësore të sistemit rregullator, qëllimi i të cilit është të shfaqë devijimet nga standardet e pranuara dhe shkeljet e parimeve të ligjshmërisë, eficencës, efektivitetit dhe ekonomisë së menaxhimit financiar, herët mjaftueshëm për të bërë të mundur marrjen e masave korrigjuese në raste individuale, duke i detyruar ato të mbajnë dhe pranojnë përgjegjësi, të marrim kompensim, ose të ndërmarrim hapa për të parandaluar ose të paktën, t’ ja bëjnë më të vështirë kryerjen e këtyre shkeljeve”. Në të gjithë konteksin e trajtuar më lart, del se në këtë situatë faktori njeri (menaxher ose drejtues vendor) është dominant, si në marrjen e masave parandaluese dhe ndëshkuese, por në aspektin tjetër, është po njeriu që i kryen këto shkelje e mashtrime financiare. Në referatin e mbajtur në Konferencën e Tretë Shkencore të KLSH, prof. Skënder Osmani i Universitetit të Tiranës, ka thënë: Njeriu është objekti dhe faktori numër 1 i riskut….”. Pikërisht, nisur nga kjo ne si KLSH vlerësojmë shumë rriskun që po paraqitet dhe që në disa raste e konstatojmë tek drejtuesit vendorë, të cilët po humbasin përgjegjshmërinë, si rrjedhojë dhe llogaridhënien si një siguri për një qeverisje transparente. Siç shikohet kemi lidhje të drejtpërdrejtë të këtyre dy elementeve përgjegjshmërisë dhe transparencës, por jemi të ndërgjegjshëm se është njeriu që ka një detyrë (rasti konkret drejtues vendorë) që e shpërdorojnë pushtetin e lirisë për të vepruar duke e kthyer atë, jo në të mirë të publikut(komunitetit që e ka zgjedhur) por në të mira vetjake e cënuar rëndë besimin e tyre. Veprimet e ndërmarra nga KLSH, si me auditime, dërgim rekomandimesh por dhe nëpërmjet këshillimit synojnë që të reduktohet risku në Njësitë e qeverisjes Vendore në prag fushate të zgjedhjeve vendore. Një faktor negativ në këtë drejtim është dhe zbatimi i reformës administrative, ku shumë kryekomunarë dhe kryebashkiakë mendojnë se nuk do të auditohen. Kjo është gabim, llogaridhënia si para publikut por veçanërisht para ligjit është e pashmangshme, pasi ne në njësitë e reja administrative do të auditojmë çdo njësi vendore të pa audituar, pasi në këto njësi risku i mashtrimit dhe abuzimit është më i lartë. 
Reduktimi i riskut në qeverisjen vendore
Reduktimi i riskut në qeverisjen vendore, duhet ta përqendrojmë në këto drejtime: Kufizimin: këtu duhet të marrim masa në ngushtimin e veprimit të risqeve abuzive, si në ndryshimin pozitiv të sistemit të menaxhimit, por dhe në identifikimin dhe analizën e tyre, menjanimin apo eleminimin e faktorëve që e prodhojnë atë, janë njëherësh potenciale zhvillimi dhe çojnë në rritjen e sigurisë së besimit tek publiku për menaxherët (të zgjedhurit) e tyre. Faktor negativ, që ndikon është dhe performanca e keqe që japin këta drejtues para publikut, pavarsisht i cilit krah politik janë, dëmtojnë rëndë paraqitjen e tyre para elektoratit, pasi njerëzit do i ballafaqojnë ata me papërgjeshmërinë dhe mungesën e llogaridhënies nëpërmjet transparencës të “kryetarëve “ në ikje, që i përkasin krahut të tyre politik. Është shumë e nevojshme që institucionet përgjegjëse të marrin masa dhe të përgatitin aktet nënligjore dhe Udhëzimet përkatëse për mënyrën se si do të bashkohen me njësinë mëmë, larg sloganeve politike e pupulizmit të ndonjë OJQ afër Qeverisë, që mendon se i di të gjitha dhe çdo gjë për të është e lehtë, se në vlerësimin tim si specialist janë larg realitetit, pasi gjendja flet ndryshe. 80 për qind e NJQV nuk kanë marrë inventarin përfundimtar të pronave e pasurive nga Ministria e Brendshme, (nuk bëhet fjalë për regjistrim në ZVRPP) ka njësi vendore që me mbajtjen e kontabilitetit dhe inventarizimin e llogarive debitore e kreditore u mungon dokumentacioni ligjor, që në çdo përballje në gjykatë, çështjet janë të humbura. Konstatohen se shumë drejtues po kryejnë procedura prokurimi me afate disavjeçare, pa pasur fonde në dispozicion (nesër subjektet kërkojnë fitim të munguar në gjykatë), kemi partneritete publike dhe koncensione që lidhen vetëm me qëllime përfitimi, çfarë do bëhet, po për rritjen e detyrimeve të NJQV të detyrimeve kreditore për shërbime deri fiktive, apo po hapim një gropë tjetër në marrëdhëniet me subjektet private. Këto janë disa nga pikëpyetjet e ngritura, që kërkojnë zgjidhje, por jo populistike, por profesionale dhe ligjore, pasi nesër është vonë kur të cënohet zbatimi i reformës dhe ne do rendim të gjithë të gjejmë fajtorin. Qeverisja vendore e mirë është një proces, ku burimet publike dhe problemet menaxhohen në mënyrë efektive, të përgjegjshme, transparente dhe efikase dhe gjithëpërfshirëse në komunitetin e tij dhe ndjek parimet e sundimit të ligjit. 
*Drejtor i Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Kontrollit të Territorit, Administrimit të Aseteve të Qëndrueshme
Sigal