Bajram Lamaj*/ Menaxhimi i rrezikut të mashtrimit dhe roli i audituesve (auditimit) të jashtëm publik

626

Për të mbështetur modelin e mirëqeverisjes dhe të llogaridhënies kërkohet që auditimi i jashtëm publik që kryhet nga KLSH, të japë siguri që transaksionet financiare dhe aktivitet ekonomike janë llogaritur në mënyrë të përshtatshme, si dhe duhet të ndihmojë njësitë publike që ne auditojmë, për të parandaluar mashtrimin. Kjo do të arrihet duke vlerësuar përshtatshmërinë dhe efektivitetin e sistemit të kontrollit të brendshëm, duke e krahasuar me masën dhe mundësinë e ekspozimit të mashtrimit financiar brenda njësisë (entitetit). Menaxhimi i rrezikut të mashtrimit dhe auditimet e pajtueshmërisë luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e parandalimit të mashtrimit. Në të vërtetë, menaxhimi është përgjegjës për krijimin e sistemeve të plota dhe në përputhje me rezultatet e operacioneve të frytshme  financiare dhe ekonomike e për rrjedhojë  dhe parandalimin e mashtrimit  nëpërmjet masave që merren në zbatimin e këtyre sistemeve. Vlerësimi i rrezikut të mashtrimit do të nënkuptojë identifikimin, vlerësimin dhe zbutjen e rreziqeve të mashtrimit brenda të gjitha aktiviteteve, ky vlerësim forcon aftësinë e njësisë publike për të parandaluar dhe zbuluar mashtrimin financiar dhe sjellje të tjera të dëmshme në veprimtarinë ekonomiko financiare. Mashtrimi financiar është një problem shumë real dhe i kushtueshëm për shoqërinë tonë në ditët e sotme. Ai shkakton jo vetëm humbje të parave, por edhe pasoja të tjera sociale, pasi publiku është i ndjeshëm kur i cenohet besimi. Mungesa e vendosjes të sistemeve të auditimit, raportimit, dhe menaxhimit të thesarit në Bankën e Shqipërisë, nxori në pah që rreziku i mashtrimit është evident kudo ku kryhen transaksione financiare apo administrohen vlera monetare. Nuk duam të marrim për sipër analizën e kësaj ngjarje, pasi janë organet kompetenteqë po e hetojnë dhe do e gjykojnë, por në krahasimin e bërë kemi një përputhje të plotë të kuptimit të përgjithshëm se çfarë sot ne kuptojmë me mashtrimin. Mashtrimi përfshin veprimet që ndërmerr një person  ose grup personash për të përfituar një avantazh të padrejtë pasuror ose jopasuror, në mënyrë të pandershme, në dëm të tjetrit ose njësisë publike, duke përdorur dinakërinë, gënjeshtrën, dredhinë, fshehjen, përfaqësimin e rremë, shtrembërimin e fakteve apo thyerjen e besimit. Në vendin tonë, ky veprim përbën vepër penale dhe është parashikuar ne nenet 143-149 të Kodit Penal sipas llojeve të ndryshme të mashtrimit. Vlerësimi i rrezikut të mashtrimit, është kërkesë imediate, pasi nëse mashtrimet marrin përmasa të mëdha dhe kanë shtrirje të gjerë, ato mund të ndikojnë  edhe në stabilitetin ekonomik e politik të një vendi. Përvojat tona në këtë drejtim, për hir të së vërtetës janë negative, përmendim këtu skemat piramidale, vjedhjet që publikohen e që kanë ndodhur kohët e fundit në bankat e nivelit të dytë, tregojnë qartë që kur nuk menaxhohet rreziku i mashtrimit, risku i  ndodhjes së tij është shumë i mundshëm dhe pasojat janë të mëdha e cenojnë besimin e publikut tek këto banka ose dhe kur ndodhin në njësitë publike. Shfaqja e mashtrimit financiar në aktivitetet e ndryshme të njësive publike, paraqitet në disa mënyra dhe kushte që e favorizojnë janë:

a. prirjet ose llogaritjet(sjellja, karakteri apo vlerat etike që lejojnë individët për të justifikuar arsyet e tyre për kryerjen e mashtrimit,

b. nivelet e ulëta të pagave në përgjithësi në sektorin publik në krahasim me sektorin privat, mund të çojnë punonjësit të besojnë se ata mund të justifikojnë keqpërdorimin e fondeve,

c. Mundësia që krijohet nga keqmenaxhimi i njësisë publike dhe mungesa e personelit të kualifikuar, shfaqja e nepotizmit dhe mos zbatimi i procedurave konkurruese të rekrutimit të personelit dhe mos funksionimi i kontrollit të brendshëm, krijon mundësi për mashtrim,

d. Nxitja ose presioni, këto të perceptuara nga drejtuesit apo punonjësit, duke u dhënë atyre një arsye për të kryer mashtrimin.

Mashtrimi dhe korrupsioni janë anë të ndryshme të së njëjtës “medalje”, ku shpesh herë mashtrimi është një mjet për të realizuar korrupsionin ose elemente të ndryshme të korrupsionit, siç janë ryshfeti, abuzimi, vjedhja me anë  falsifikimit etj, bëhen shkak për realizimin e mashtrimeve me anë të shtrembërimit të vendimmarrjeve në interes të subjekteve të ndryshme. Mashtrimi dhe korrupsioni  i brendshëm, si koncepti vendosur në sektorin publik, përfshijnë veprimtaritë e kryera nga punonjësit e këtij sektori për realizimin e mashtrimit/korrupsionit, në bashkëpunim me individ brenda ose jashtë njësisë publike ose individualisht. Kjo shprehet në përfitime nga zyrtarët, duke marrë shuma të hollash nga njësia publike (p.sh. vjedhja e parave të gatshme/aseteve, falsifikimi i të dhënave për pagat, përfitime nga mashtrimet në procedurat e prokurimit, koncesioneve dhe pagesave të granteve etj).

Përveç rolit të qeverisjes në menaxhimin e rrezikut të mashtrimit, parandalimit të tij me ngritjen e sistemeve të qëndrueshme dhe zbatimin e parimeve që kërkohen për efektivitetin apo mirëqeverisjes, këto nuk janë të nevojshme për palët e interesuara për kryerje aktivitetesh me qëllim mashtrimi. Mirëqeverisja e bazohet në tre principet e saj: përgjegjësinë dhe transparencën, sundimi i ligjit dhe barazia dhe performanca (efiçenca dhe efektiviteti). Detyrimi për menaxhimin e rrezikut të mashtrimit, së pari është detyrë e menaxherëve publikë, të cilët janë përgjegjës për problemet e rëndësishme publike dhe përdorimin e parave  publike. Duhet të mbajnë përgjegjësi, për të siguruar që burimet publike mbrohen dhe llogariten siç duhet, përdoren në përputhje me ligjin dhe standardet dhe që përdoren në mënyrë efektive, efikase dhe me ekonomicitet.

Roli i audituesve të jashtëm publik.

Përveç detyrimit të menaxherëve të njësive publike për parandalimin e mashtrimit, nëpërmjet ngritjes së sistemeve mbrojtëse dhe masave penguese, vlerësimin e riskut të mashtrimit. Aftësia për të kryer mire punën audituese, nga audituesit e jashtëm publik, është e domosdoshme  që ti sigurohet legjislativit informacioni i duhur dhe i mjaftueshëm, për ti mundësuar atij (legjislativit) mbajtjen e ekzekutivit të përgjegjshëm për ruajtjen dhe përdorimin e burimeve të veta. Audituesit e jashtëm publik  në auditimin e rasteve që kanë element të mashtrimit, kërkohet që të jenë katalizator për ndryshim, që jo vetëm  të evidentojnë mashtrimin dhe përgjegjësimin e personave konkrete, por duke këshilluar e rekomanduar marrjen e masave për parandalimin e këtij fenomeni, por dhe rekomandimet për të përmirësuar strukturën dhe veprimtarinë e institucioneve në përmbushje të objektivave të vendosura. Auditimi i jashtëm  publik që kryhet nga KLSH-ja, në fushën e pajtueshmërisë e rregullshmërisë së transaksioneve financiare, ku mashtrimi kryhet më lehtë, është një vlerë e shtuar  në përmirësimin e qeverisjes dhe administrimit e përdorimit të fondeve dhe aseteve publike. KLSH nëpërmjet auditimeve që  kryen, ka vënë objektiv që të fokusohet dhe të nxisë zbatimin e praktikave më të mira mbi administrimin e rrezikut, efikasitetin  e proceseve të punës, si dhe rritjen e efektivitetit ekonomik në përmbushje me objektivat strategjikë të institucioneve publike për një mirëqeverisje kombëtare.

Ashtu siç është trajtuar në Deklaratën e Përgjithshme të Limës (INTOSAI) që ; “…koncepti dhe krijimi i auditimit, trashëgohet në administratën financiare publike, pasi vetë menaxhimi i fondeve publike  përfaqëson një besim”. Auditimi nuk është një fund në vetvete, por një pjesë e domosdoshme e një sistemi rregullator të shoqërisë, qëllimi i të cilit është për të zbuluar devijimet kundrejt standardeve të pranuara dhe shkeljeve të parimeve të ligjshmërisë, rregullshmërisë e përputhshmërisë. Nga auditimi dhe konstatimet e rasteve të mashtrimit që kanë ndodhur, apo mos funksionimi i sistemeve ekzistuese të kontrollit  të brendshëm që shtojnë riskun e rrezikut të një mashtrimi me pasoja për njësinë publike, kërkohet që  menaxheret (llogaridhënësit) e njësisë publike të pranojnë përgjegjësinë e të rekomandohet që të ndërmarrin hapa për të parandaluar, ose të paktën tu vështirësohen shkelësve  veprimet e paligjshme e që cenojnë interesat e njësisë publike.

Fushat kryesore të shfaqjes së mashtrimit dhe që janë në vëmendje të audituesve të jashtëm publik janë në transaksionet financiare, privatizimet, koncesionet, prokurimet, krijimi i ndërmarrjeve me partneritet publik privat, si për shërbime por dhe në fushën e vjeljes së taksave vendore e kombëtare, delegimi i aktiviteteve qeveritare, operacionet e mëdha financiare në fushën e mbrojtjes dhe rendit, ndryshime të menjëhershme të akteve ligjore apo nënligjore, kur ka ndryshime politike, krijimi i burimeve të financimit të pa argumentuar me domosdoshmërinë dhe nevojën dhe programe pa burime të mjaftueshme të alokuara dhe ato të financimit të cilat kanë gjasa që mos të finalizohen, kështu i shmangen auditimit dhe përgjegjësisë, duke shtuar maksimalisht rrezikun e mashtrimit. Natyra e mjedisit të sektorit publik, krijon mundësinë e raportime mashtruese financiare që mund të lindin nga ambienti i mbyllur me lidhje te forta politike (këto tek ne janë të theksuara në shumë sektorë publik), struktura hierarkike dhe burokratike e njësisë publike e kultura që vjen si rezultat i besnikërisë dhe bindjes së krijuar nga zinxhirët e fortë mirë komandues. Transfertat e fondeve që bëhen midis njësive publike e që vështirësojnë ndjekjen, gjurmimin e parasë, e cilaka tendencë fshehjen e natyrës aktuale të fondeve në dispozicion të njësisë publike. Kur zyrtarët e lartë keqpërdorin autoritetin në përdorimin e parasë dhe administrimin e aseteve dhe krijimi i mundësive të punësimit privat nëpërmjet veprimeve korruptive e mashtruese me tenderat, pra krijimi i sigurisë së punësimit në privat dhe së fundmi nga tolerance e gabimeve në informacionin financiar. Disa nga faktorët e riskut që lidhen me anomalitë që shkaktohen nga raportimi financiar mashtrues, mundet të jenë gjithashtu të pranishme kur anomalitë dalin nga shpërdorimi i ndodhur i aktiveve të njësisë publike.

Së fundi, të flasim për prokurimin publik i cili është zakonisht i nënshtruar ndaj ligjeve dhe rregulloreve të shumta e që ndryshohen më shpesh. Ligje të tilla dhe aktet e tjera nënligjore që dalin, shpesh përfshijnë procedurat e detajuara të prokurimit, i dizajnuar për të siguruar që të gjitha palët e interesuara, në çdo aspektmarrin ftesa të njëjta dhe të kenë mundësi të barabarta për të marrë pjesë në një tender. Vetë ligji i prokurimit publik kërkon reformim dhe ndryshim. Fjala vjen në procedurat e prokurimit me negocim pa shpallje lë hapësirë për korrupsion në lidhje me përcaktimin e produkteve apo mallrave që janë në kushtet e ekskluzivitetit, të një operatori ekonomik etj.

Këto procedura janë gjithashtu të dizajnuara për të siguruar që procedurat e seleksionimit përmbushin kërkesat e një trajtimi transparent dhe të drejtë të të gjitha ofertave, vlerësimi i riskut të lartë të mashtrimit dhe korrupsionit, nga audituesit e jashtëm publik kërkohet që gjatë auditimit kërkon një testim më të detajuar e profesional.

 Pra ashtu si qeverisja (menaxheret publikë) me sistemet që ngre në funksion të menaxhimit të rrezikut  të mashtrimit dhe auditimet që kryhen nga audituesit e jashtëm publik (KLSH) bëhen në funksion të parandalimit të mashtrimit. Me këto veprime që marrin menaxherët mbështetur në rekomandimet e KLSH, duhet të synojnë të kryejnë kufizimin e mashtrimit, si dhe për të bërë të mundur ekspozimin e tij kur ndodh e marrjen e masave ndëshkuese.

Synimi i menaxherëve publik duhet të jetë parandalimi i mashtrimit me kosto të ulët, se nëse ndodh,kostoja e rikuperimit të dëmeve do të jetë shumë më e lartë dhe me pasoja për besimin e publikut tek menaxherët e caktuar të Qeverisë dhe prish dukshëm performancën e një qeverisje të mirë.

 Ne po fillojmë të ecim në rrugën e menaxhimit, por ende mbetet akoma për të bërë, në lidhje me njohjen, aplikimin e ligjit për menaxhimin financiar dhe kontrollin, ku për hir të vërtetës pak njihet dhe jo më të pretendosh për zbatimin e tij. Vetë fakti që mjaft shoqëri anonime (Ujësjellësi Berat, për 2 vjet nuk kishte dërguar në Drejtorinë e Harmonizimit, Menaxhimit Financiar dhe Kontrollit, deklaratën dhe raportin vjetor për cilësinë e sistemit të kontrollit të brendshëm pranë Ministrisë Financave, çka tregon se edhe Ministria e Financave duhet të ndërhyjë që edhe shoqëritë tregtare të zbatojnë ligjin e menaxhimit,duke vendosur sanksionet e parashikuar nga ligji kur nuk depozitohet deklarata  dhe raporti vjetor për cilësinë e sistemit të kontrollit të brendshëm )

Drejtor i Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Kontrollit të Territorit dhe Administrimit të Aseteve të Qëndrueshme në KLSH.