Bajram Lamaj/ Auditimi i jashtëm dhe llogaridhënia e zyrtarëve

754
Në aktivitetin e përditshëm publik, flitet për profesione të ndryshme dhe për kornizën e tyre, pra për anët pozitive dhe negative dhe faktorët që ndikojnë në performancën e tyre, para publikut dhe njësisë publike, që i ka besuar një pozicion zyrtar apo publik. Në fjalorin e fjalëve të reja, është dhe fjala “Auditues shtetëror”, ku sipas ligjit154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e KLSH”, është nëpunës i KLSH që kryen aktivitete të auditimit (të jashtëm) të sektorit publik. Një auditues shtetëror ka për detyrë të kryejë auditime në sektorin publik, në përmbushje të misionit të institucionit që e ka punësuar (KLSH), i cili nëpërmjet auditimeve, sipas fushave të caktuara, synon përdorimin me efektivitet, efiçencë dhe ekonomicitet të fondeve publike, pronës publike dhe asaj shtetërore, zhvillimin e një sistemi të përshtatshëm të menaxhimit financiar, kryerjen si duhet të aktiviteteve administrative, si dhe informimin e autoriteteve publike dhe publikut, nëpërmjet publikimit të raporteve të tij, duke qenë kështu një indikator i rëndësishëm për llogaridhënien publike të zyrtarëve në institucionet publike.
E drejta e auditimit shtetëror
Çdo njeri duhet ta kuptojë funksionin e një audituesi shtetëror, ashtu siç është dhe në veçanti se deri ku shkon e drejta e tij në auditimin e një njësie publike, duke mos cënuar të drejtat e subjektit apo personit të audituar, duke kërkuar llogari nga menaxherët shpenzues të parasë publike dhe për dhënien e kontributit për përmirësime në fushën e Menaxhimit të Financave Publike në vendin tonë dhe një qeverisje të mirë. KLSH nëpërmjet audituesve shtetëror auditon çdo gjë në lidhje me Buxhetin e Shtetit deri tek entitetet më të vogla (sipas mundësisë së burimeve njerëzore që ka në dispozicion), si dhe disa nga fondet e donatorëve. Prandaj, puna e përditshme në zyrë, u ofron atyre një pikëpamje më të gjerë e të detajuar mbi aktivitetet në sektorin publik. Procesi i dhënies së një opinioni auditimi (kërkesë e ligjit të ri të KLSH) mbi pasqyrat financiare dhe aktivitetin ekonomik e financiar, përfshin gjithashtu formimin e një pikëpamje mbi anët e forta e të dobëta të qeverisjes kombëtare e vendore dhe sistemeve menaxheriale të njësive publike. Përveç punës për ofrimin e sigurisë për pasqyrat financiare, buxhetit të shtetit dhe të ardhurave e çdo çështje tjetër, që ka të bëjë me përdorimin e burimeve të njësive publike, ligji i ri na mundëson kryerjen e auditimit të performancës, përmes të cilit ne ekzaminojmë ekonomicitetin, efektivitetin dhe efikasitetin. Nga puna e audituesve shtetërorë, kërkohet një rezultat, ku njësitë publike të jenë të afta që, nga brenda, t’i demostrojnë Qeverisë dhe publikut, se pyetjeve të mëposhtme mund t’u jepen përgjigje pozitive: A janë duke i shpenzuar ata paratë publike me kujdes e në pajtim me ligjshmërinë dhe pritshmëritë? A janë duke e menaxhuar si duhet, procesin për shpenzimin e tij? A janë duke bërë ata gjënë e duhur? Rrjedhimisht, po i artikuloj parimet bazë, të cilat janë të domosdoshme për audituesin shtetëror (të jashtëm) dhe për mbikëqyrjen e mënyrës se si përdoren fondet publike. 
Llogaridhënia 
Njësitë publike duhet të japin llogari për performancën e tyre dhe të jenë në gjendje të japin pasqyra të plota dhe të sakta për mënyrën, si i kanë shpenzuar fondet publike, përfshirë fondet që u janë dhënë të tjerëve për qëllime të veçanta (këto futen projektet e përbashkët me OJQ, shoqata humanitare, aktivitetet kultorore e sportive, fetare etj). Ato duhet të kenë gjithashtu marrëveshje të përshtatshme qeverisëse dhe menaxheriale, për të mbikëqyrur e monitoruar marrëveshjet për financim. 
Transparenca 
Njësitë publike duhet të jenë transparente në administrimin e fondeve, si për të mbështetur llogaridhënien, ashtu edhe për të promovuar qartësi dhe të kuptuarin e përbashkët të roleve dhe detyrimeve përkatëse, mes njësive publike dhe çdo pale të jashtme, që hyn në marrëveshje financimi. Kjo duhet të mbështetet në marrëveshje të duhura për raportim. Audituesit duhet të auditojnë dhe vlera për para, pra njësitë publike duhet ti përdorin burimet në mënyrë efektive dhe ekonomike dhe pa humbje, me kujdesin e duhur për kostot dhe fitimet totale të një marrëveshje dhe kontributit të saj, në rezultatet që njësia publike mundohet të arrijë (kjo është më e ndjeshme në kontratat për partneritet publik, koncesionet dhe kontratat në sektorë strategjik, etj.). 
Ligjshmëria dhe rregullshmëria 
Një objekt auditimi shumë i rëndësishëm i fushës që mbulon një auditues shtetëror është dhe ligjshmëria dhe rregullshmëria, ku njësitë publike duhet të veprojnë në kuadër të ligjit dhe të përmbushin detyrimet e tyre ligjore dhe kanë të drejtën ligjore për të vepruar drejt dhe në mënyrë të arsyeshme ndaj publikut të gjerë. Ato duhet të jenë, dhe të tregojnë që janë, të paanshëm në vendimmarrjen e tyre. KLSH në aktivitetin e tij, ka bashkëpunuar me Kuvendin dhe organizma të tjerë, për t’i zhvilluar më tej këto parime, si një bazë për reformat aktuale në ndërtimin e qeverisjes së mirë kombëtare dhe sistemeve më të mira për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin. Edhe pse procesi i llogaridhënies publike në vendin tonë nuk është në pritshmëritë e duhura, është detyrë e çdo institucioni përgjegjës të punohet, që të shmanget sa më shumë kultura e papërgjegjshmërisë dhe pandëshkueshmërisë së menaxherëve, duke ndërmarrë masa për të kërkuar llogari e përballur ato me ligjin dhe përgjegjësinë publike. Është kërkesë imediate, që për çdo rast të keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të fondeve publike, duhet të ndërmerren veprime të palëkundshme dhe të bëhet transparencë publike. Në reformimin në vazhdimësi të KLSH, përveç rritjes së nivelit profesional të audituesve shtetërorë, ku çdo auditues trajnohet 22-25 ditë në vit, si në institucionin e KLSH dhe në organizmat europianë e simotra të auditimit të jashtëm. 
Integriteti i audituesve
Kujdes i veçantë i tregohet dhe integritetit të audituesve, përmes kontrollit të brendshëm, etikës dhe cilësisë, këto në përputhje me standartet ndërkombëtare të auditimit (EUROSAI dhe INTOSAI).Të gjithë jemi dëshmitarë se rezultatet e KLSH kanë ardhur në rritje dhe është institucioni i vetëm i pavaruar, që është vlerësuar në Raport-Progresin e BE të dy viteve të fundit. Kjo sigurisht ka ardhur nga puna e mirë e audituesve shtetëror dhe jo nga ndonjë “frymë”, siç mendohet nga njerëz me mendje të shkurtër dhe në mediat sociale tentohet të hidhet baltë, por vështirësitë e audituesve shtetëror në përmbushjen e detyrës janë të mëdha, pasi në çdo ditë përballen me njërëz që shkelin ligjin, presione e mungesa të lëvizjes në subjekte, pasi në çdo veprim duhet të jenë të kujdesshëm për shmangien e konfliktit të interesit dhe tundimin për mos përfitime nga subjektet e audituara. Këtu nuk marrim përsipër veprimet e ndonjë audituesi shtetëror, që kërkon të përfitojë në funksion të detyrës audituese, por pikërisht këtu është fokusuar puna e KLSH me ngritjen e strukturave kontrolluese dhe kryerjen e kontrolleve të dyta (nxehta), pa cënuar integritetin e njësisë publike, por mbikqyrur punën e audituesve shtetëror, kjo është një risi dhe çdokush mund të denoncojë në KLSH, për këto veprime dhe vlerësimi do jetë maksimal e ndëshkim për ata që abuzojnë me detyrën. 
Ballafaqimi me auditimet
Po kështu në punën e tyre audituesit shtetëror kanë përgjegjësi në materialet që pergatitin, pasi para nxjerrjes së Raportit Përfundimtar, është kryer ballafaqim ndërmjet grupit auditimit dhe subjektit, duke u dhënë prioritet argumenteve dhe provave që paraqesin subjektet, sigurisht për ata që kanë bazë ligjore dhe janë të besueshme. Vetëm në Departamentin e Auditimit e Buxhetit të Pushtetit Vendor, Kontrollit të Territorit dhe Administrimit të Aseteve të Qëndrueshme, janë organizuar 65 ballafaqime për një vit dhe mund të themi me siguri, se nuk kemi patur kontestime, por kemi gjetur emërues të përbashkët në diskutime dhe ato pretendime që qendronin, janë reflektuar në vendimmarrje. Në situatën aktuale të kontributit tonë në luftën kundër korrupsionit, ne do të fokusohemi më shumë në përcjelljen e mënyrës, se si adresohen rekomandimet tona dhe do të vazhdojmë të punojmë ngushtë në partneritet me drejtuesit e të gjitha njësive publike, për të nxitur përmirësime, pa cënuar pavarësinë institucionale. 
Auditimi i jashtëm dhe llogaridhënia publike
Auditimi i jashtëm dhe llogaridhënia publike, pret që ata të cilët janë të ngarkuar me menaxhimin e parasë publike, të japin llogari për përdorimin e këtyre parave. Përgjegjësia kryesore për sigurimin, se paratë publike trajtohen me integritet dhe shpenzohen me maturi u takon, organeve qeverisëse, menaxherëve dhe zyrtarëve. Auditimi i jashtëm shton vlerë, jo vetëm duke analizuar dhe raportuar atë që ka ndodhur pas ngjarjes, por edhe duke shikuar në të ardhmen, përmes identifikimit të mangësive që duhen përmirësuar, si dhe duke përhapur praktika të mira e adresuar drejt rekomandimet e nxjerra nga problematikat e trajtuara. Auditimi i jashtëm i sektorit publik, në këtë mënyrë ndihmon në promovimin e menaxhimit dhe vendim-marrjes më të mirë, si rrjedhojë përdorim më të efektshëm të burimeve të tatimpaguesve dhe luan një rol të rëndësishëm në rregullimet e qeverisjes qëndrore dhe të njësive publike.
Auditimi i jashtëm në sektorin publik, hallkë e rëndësishme e zinxhirit të llogaridhënies 
Llogaridhënia duhet të forcohet, në drejtim të menaxherëve të zgjedhur, të cilët alokojnë burimet, dhe nga jashtë në drejtim të konsumatorëve dhe përfituesve, tatimpaguesve dhe komunitetit më të gjerë në përgjithësi. Transparenca dhe qasja publike në informacion, është pjesë përbërëse e kësaj llogaridhënie, e cila sot është më e nevojshmë se kurrë, pasi kërkohet rritja e përgjegjshmërisë publike e personave të cilët u është besuar administrimi dhe përdorimi i parasë publike. Auditimi i jashtëm në sektorin publik në vendin tonë ofrohet nga KLSH, si Institucioni Suprem i Auditimit (ALSAI). Roli i saj është të ndihmojë Kuvendin, që të shqyrtojë efektivitetin, efikasitetin dhe llogaridhënien e njësive publike, të cilat janë përgjegjëse para tij. KLSH e ka mbështetur procesin e llogaridhënies përmes: 
Auditimi Financiar
Auditimit Financiar, i cili jep vlerësim të pavarur, opinion me siguri të arsyeshme, nëse gjendja e raportuar financiare e një subjekti të audituar, është paraqitur në mënyrë të drejtë dhe në përputhje me kuadrin ligjor të raportimit financiar. 
Auditimi i përputhshmërisë 
Auditimi i përputhshmërisë, i cili jep një vlerësim objektiv, profesional e të pavarur, mbi shkallën e ndjekjes nga subjekti i audituar të rregullave, ligjeve dhe rregulloreve, politikave, kodeve të vendosura apo termave dhe kushteve, mbi të cilat është rënë dakord. 
Auditim i rregullshmërisë 
Auditim i rregullshmërisë, i cili përfshin verifikimin e përgjegjësisë financiare, i cili përfshin ekzaminimin dhe vlerësimin e të dhënave financiare, të subjekteve përgjegjëse, duke përfshirë edhe vlerësimin e përputhshmërisë me ligjet dhe rregulloret, kontrollit të brendshëm financiar publik dhe të funksionimit të auditimit të brendshëm, auditimin e integritetit dhe përputhshmërisë së vendimeve administrative të marra nga subjekti i audituar. 
Auditimi i performancës
Auditimi i performancës i cila ka të bëjë me auditimin e ekonomicitetit, efiçencës dhe efektivitetit dhe Auditim i IT-së, i cili ka të bëjë me ekzaminim të zbatimit të sistemeve IT, pa komprometuar sigurinë, privatësinë, koston dhe elemente të tjera kritikë të veprimtarisë së subjektit të audituar.
Rritja e llogaridhënies është gjithnjë e më e rëndësishme, duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballet integrimi i vendit tonë në BE. Drejtuesit e njësive publike nëpërmjet auditimit të jashtëm dhe rekomandimet që u dërgohen në njësitë publike, duhet të demonstrojnë në mënyrë të qartë, që ata i kuptojnë kërkesat në rritje të qeverisjes dhe iniciativat e lidhura me llogaridhënien të cilat duhet të zbatohen. Vetë puna e audituesve shtetërore (të jashtëm) është orientuar për rritjen e kontributit për një qeverisje kombëtare, madje konferenca e tretë shkencore e KLSH në Tetor 2014, ishte për rritjen e rolit të KLSH për një qeverisje të mirë kombëtare dhe po punohet në këtë drejtim jo vetëm me auditime, por dhe me këshillime. Megjithatë janë zhvillimet e brendshme brenda secilit institucion publik, ato të cilat do ti japin drejtim ndryshimit dhe zyrtarët përgjegjës duhet të vejnë theksin në menaxhimin dhe zbatimin e rekomandimeve të KLSH në mënyrë aktive pasi ato ndikojnë drejpërsëdrejti në përmirësimin e menaxhimit, zhvillimin e mëtejshëm të auditimit të brendshëm për t’i ofruar drejtuesve siguri efektive dhe plotësimin dhe efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, duke vepruar me kohë ndaj zbrazëtirave të identifikuara nëpërmjet vetëvlerësimit. Duke pasur parasysh kufizimet buxhetore dhe rritjen e pritshmërive të publikut dhe institucioneve ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit dhe heqjen e pandëshkueshmërisë nga institucionet e sektorit publik, të cilat kanë përpara sfida të rëndësishme menaxheriale. Kjo kërkon më shumë fokusim në menaxhimin e rrezikut dhe sistemet e duhura që zbusin rreziqet. Ngjashëm me të është e nevojshme që theksi të vihet në arritjen e vlerës më të mirë për para, në përdorimin e burimeve të mangëta. Përgjegjësitë e llogaridhënies për adresimin e këtyre kërkesave, duhet të përcaktohen në mënyrë të qartë. Nëse kërkesat për ndryshim, nuk adresohen në mënyrë aktive, atëherë edhe përfitimi nga identifikimi i tyre do të jetë i kufizuar. 
Fryma e re bashkëpunuese
Është shumë e nevojshme krijimi i një frymë të re bashkëpunimi e mirëkuptimi, ndryshimi i qasjes së Qeverisë me KLSH, pasi çdo qasje këshilluese e KLSH do të japë efektet e tyre për një qeverisje të mirë, dhe do të krijojë një sfond të besueshëm të një auditimi efikas, si dhe do të detyrojë njësitë publike ndërmarrjen e veprimeve korrigjuese dhe rritjen e përgjegjësisë për llogaridhënie publike. Vetëm puna e përbashkët e KLSH dhe institucioneve të tjera, në drejtim të transparencës dhe llogaridhënies publike, duke rritur cilësinë e auditimeve do të përmbushë detyrimin që ka një institucion Suprem Auditimi, në një vend demokratik, pasi në demokraci, publiku ka të drejtën të dijë nëse paraja publike shpenzohet apo jo në mënyrë të ndershme, efikase dhe efektive. Por, më shumë se një e drejtë, është një detyrim i demokracisë, që çdo qytetar të kërkojë llogari administrative dhe politike, për mënyrën se si trajtohen paratë e taksapaguesve nëpërmjet zhvillimit të llogaridhënies publike. 
(Drejtor i Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Kontrollit të Territorit,Administrimit të Aseteve të Qëndrueshme në KLSH. Opinionet në këtës hkrim janë individuale dhe nuk ndikohen nga pozicioni zyrtar në KLSH).
Sigal