Bajram Lamaj/ 90 vjet KLSH, histori reformash dhe arritjesh

793
Që në krijimin e shtetit në vitin 1913-1914, Qeveria e Vlorës me 13 Maj1913, nxorri “Kanunin e Dëmeve”, e cila ishte një tjetër vlerë kombëtare që vinte nga trashëgimia kombëtare, si normë kanuni në zbatimin e rregullit mbi jetën ekonomike, duke përcaktuar nocionin “Dëmi dhe çmuesi”, pra kishte një nocion të qartë se gjithkush që dëmton ekonominë aq të brishtë, do ta zhdëmtojë
Të shkruash për historinë e një institucioni, si Kontrolli i Lartë i Shtetit i cili në 26 Maj 2015 mbush 90 vjet që nga krijimi, është kontribut shumë i vogël, për t’i bërë të ditur publikut, se dhe ky institucion ka një histori, që la gjurmët e veta në historinë e shtetit shqiptar. Që në fillesat e saj ky institucion, ka patur si mision kontrollin e shpenzimeve të qeverive të ndryshme dhe paraqitjen e vlerësimit, për rregullshmërinë e ligjshmërinë e përdorimit të tyre në Kuvend. Që në krijimin e shtetit në vitin 1913-1914, Qeveria e Vlorës me 13 Maj1913, nxorri “Kanunin e Dëmeve”, e cila ishte një tjetër vlerë kombëtare që vinte nga trashëgimia kombëtare, si normë kanuni në zbatimin e rregullit mbi jetën ekonomike, duke përcaktuar nocionin “Dëmi dhe çmuesi”, pra kishte një nocion të qartë se gjithkush që dëmton ekonominë aq të brishtë, do ta zhdëmtojë. Kjo do të vinte nga një proces i hapur, ku “çmuesit”do të bazoheshin në një plan kontrollues, gjë që përdoret dhe sot në auditimet që kryen KLSH, ata do të llogaritnin dëmin dhe do mernin vendimin për zhdëmtim e gjobë. Kjo metodë e kontrollit të ekonomisë është pasqyruar e “moderuar”, me një gjuhë më lakonike në “Kanonin e Dëmeve” shtypur në Gjirokastër në vitin 1920, pra pas Kongresit të Lushnjës. Por dhe këtu, që në hapat e para kjo veprimtari kontrolluese, hasi në vështirësi dhe kundërshtitë e kohës, pasi Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër, më 29 Korrik 1913, në Pikën 4, të vendimit, vuloste se: Kontrolli i administratës civile dhe i financave të Shqipërisë, i besohet një komisioni ndërkombëtar të përbërë nga delegatë të gjashtë Fuqive dhe një delegatë të Shqipërisë. Kjo nuk u prit mirë, ndërkohë që ishim shtet i pavarur nën garancinë e këtyre fuqive, nga ana tjetër këto fuqi e vinin nën kontroll ndërkombëtar, si një formë protektorati. Por pafuqishmëria e shtetit të ri, bëri që supervizorët të vendosen pranë Qeverisë dhe delegat u caktua Myfit Libohova, nga ky grup do të reviziononin (verikonin) llogaritë e Qeverisë së përkohshme. Sipas dokumenteve financat e Qeverisë u kontrolluan nga Këshilla Kombëtare të Kontrollit, por këto gjithmonë ishin brenda Qeverisë dhe ato nuk ishin të pavarura. Kërkesa dhe nevoja për pavarësi kontrolluese u ngrit shumë herë, ku në 1923 holandezi J.Hunger, këshilltari i Qeverisë, paraqiti një raport “për abuzime alarmuese në gjirin e burokracisë shtetërore” dhe kërkoi që të krijohej një gjykatë auditimi. Kjo ishte indicia e parë që u propozua nga av.dr. Kristo Flloqi dhe u trajtua për herë të parë nën qeverinë e Zogut, një projekt ligj për një zyrë të këtillë kontrolli, ku do përfshiheshin tre forma kontrolli: a.Kontrolli i Administratës prej anës së Parlamentit, b.Kontroll i adminstratës prej administratës më të epërme simbas rendit hijerarqik dhe c.Kontrolli i administratës prej popullit me anë të gjykatës administrative.
Kontrolli financiar në Qeverinë e Nolit
Po kështu dhe në qeverinë e Fan.S.Nolit, kontrolli financiar u bë nga Komisioni Kontrollues i Financave, ku puna e këtij komisioni u shoqërua me një reformim e mbështetje me akte ligjore si: Vendime të Këshillës Ministerale nr.240, datë 17.07.1924, nr.257 datë 07.08.1924, ku këtu morën fuqi ligjore dhe “Komisionet Shqyrtuese të Llogarinave të Bashkies”. Jetëgjatësia shumë e shkurtër e këtij kabineti mundësoi vetëm këto dy reforma në fushën e kontrollit të llogarive. Me marrjen e qeverisë nga Zogu më 24.12.1924, duke përmbysur qeverinë e Nolit me ndihmën e shteteve të huaja, do të fillonte një epokë e re për shtetin shqiptar. Me artikullin nr. 93-97 të Statutit themeltar të RSH, trajtohet roli që do të luajë Këshilli Kontrollues, i cili ishte një “Cour des comptes”, ku Kryetar i parë u caktua Kol Thaçi, një njeri kurajoz e profesionist, ku menjëherë filloi të krijonte një institucion me standarde të larta profesionale, duke marrë përvojë nga gjykata e llogarive franceze. Por kjo mori shkak dhe nga zbulimi i skandalit të parë financiar të dokumentuar në pranverën e vitit 1925, të kryer nga Myfit Libohova, ish minister i Financave dhe zv.minister i Jashtëm, ku Hyqmet Delvina i dha goditje këtij skandali, që kishte lidhje me BKSH dhe koncesionet e dhëna të huajve me një ryshfet 1 milion franga ari. Megjithëse komisioni hetimor e bëri detyrën e tij, ky skandal nuk u ndëshkua deri në fund, për arsye se ishin në pjesë shumë funksionarë të tjerë të lartë të shtetit. Kjo solli nevojën e menjëhershme të krijimit të Këshillit Kontrollues të Financave në Republikën Parlamentare, ku me Dekret-Ligjin e datës 20.05.1925 dhe botuar në Fletoren Zyrtare nr.27, 26.05.1925, pra tani ky institucion do të kryente kontrollin financiar dhe buxhetor të shtetit. Por që në krijimin e tij, këmbëngulja e Hiqmet Delvinës në parlament dhe argumentimi i nevojës së një institucioni kontrollues financiar solli një vendimarrje pozitive. Siç u trajtua në mbledhje nga një deputet, i cili citoj: “Prej të “gjithë shteteve të botës, vetëm shteti shqiptar kish mbetun pa nji Këshill Kontrollues, d.m.th pa nji kontrollim finance, qi kjo…asht nji nga nevojat e rendit të parë për një shtet”. Në debatet që u kryen në seancën e parë pas pushimeve për këtë Dekret Ligj, të gjithë diskutantët trajtonin nevojën e institucionit kontrollues dhe më e rëndësishme, ishte se të gjithë e barazonin këtë këshill me “Cour des comptes”, pra ishte nevoja si për gjithë jetën publike dhe për administratën të kishte kontroll, gjykim e ndëshkim. Me krijimin e tij ky Këshill Kontrollues filloj reformimin e tij, si me krijimin e Statutit, përgatitjen e metodave të kontrollit, dokumentet, njoftim inspektime, programe kontrolluese dhe organizimin e strukturës hierarqike dhe marrjen e personelit, kushtet e kriteret e pranimit dhe më e rëndësishme ishte pavarësia e imuniteti(patundshmëria). Ana më pozitive e këtij këshilli, është qasja me përvojën franceze, ku dhe sot shihet nga profesionistë e fushës së auditimit se pjesa më e madhe e proceduarve, metodave dhe mënyrës së kryerjes së auditimit. Në fillimet e punës ky Këshill Kontrollues aplikoj dy forma të kontrollit:a, Kontrolli Preventiv dhe b, Kontrolli Definitiv. Në kontrollin preventiv, kemi një metodë të veçantë, ku çdo pagesë, detyrohej ligjërish të kalonte 68 orë para kryerjes, pra ishte një system i ngritur “ex-ante control”, ishte mjaft i zgjeruar dhe i fuqishëm në veprimtarinë e këtij institucioni. Nën qeverisjen e Zogut për herë të parë në historinë shtetformuese shqiptare, u ngritën dhe u organizuan në nivelin më të lartë juridiko-kushtetuese, institucionet e kontrollit në Shqipëri. Po kështu reformat në fuqizimin e këtij institucioni kontrollues gjatë kësaj kohe kishin një efikasitet të lartë, pasi u mbështetet fuqishëm dhe në Kushtetutën e parë të Shqipërisë, ku me datë 23.04.1929, u miratua ligji ”Mbi organizimin dhe funksionimin e Këshillit Kontrollues” dhe anulloi dekret ligjin themelues të këtij institucioni. Pra tani ky institucion kishte një ligj organik dhe bëri menjëherë “Rregulloren e parë të Brendshme” e cila u miratua nga Mbreti.
Kontroli gjatë pushtimit fashist
Me pushtimin e Shqipërisë me 7 Prill1939, mbreti i Italisë e Shqipnisë, me një akt e kaloi Këshillin Kontrollues në varësi të Qeverisë fashiste, me të njëjtat funsione, por tashmë nuk kishte pavarësinë që kishte më parë. Rëndësi në periudhën 1939-1944, iu kushtua kontrollit të shpenzimeve, që mos të kalohen kufizimet e vendosura, por këtu për herë të parë u aktivizuan dhe kontrollorët e shoqërive të huaja (zgjedhje nga Asambleja e zakonshme), që u ngritën nga pushtuesit, duke shmangur në një mënyrë kontrollin nga Këshilli Kontrollues(shqiptarë). Në periudhën e regjimit komunist 1945-1990, Këshilli Kontrollues u transformua me ligjin nr. 97, 19.07.1945, ku u vendos varësia nga Ministria e Financave dhe i raportonte Prokurorisë së Përgjithshme, mbi shkeljet e ligjeve e rregulloreve, kjo tregon se ky institucion u vu në varësi të dyfishtë dhe nuk kishte asnjë mundësi për veprimtari kontrolluese e vendimarrje të pavarur. Duke qenë se Kryetari i institucionit, ishte Ministër dhe Komisioni i Kontrollit ishte në përbërje të Qeverisë, pra në varësi të plotë nga ajo, humbiste pavarësia dhe çka është më e ndjeshme, raportimi bëhej me cikël të mbyllur dhe politizohej sipas porosive dhe orientimeve të Partisë në pushtet. Po me ligjin nr. 784, 20.01.1950 “Mbi Komisionin e Kontrollit të Shtetit”, u shfuqizua ligji “Për Kontrollin e Përgjithshëm të Shtetit”. Në këtë ligj u zgjerua fusha e aktivitetit kontrollues të Kontrollit të Shtetit, por megjithëse kishte fuqi vepruese me iniciativë, ai urdhërohej nga Këshilli i Ministrave për revizione të vendimeve dhe urdhërave të Qeverisë. Por frika për ta patur nën kontroll të plotë këtë institucion, me dekret nr, 1480 datë 12.06.1952 kthehet në Ministria e Kontrollit, ku këtu veçohet se iu dha kopetencë të kryente kontroll paraprak ashtu dhe përfundimtar mbi llogaritë, shpenzimet, ruajtjen e administrimin e vlerave material të shtetit, si dhe u ndryshua kryerja e revizioneve shtetërore, tashmë do bëheshin me porosinë e Ministrit të Kontrollit. Varësia e këtij institucioni në vitet e regjimit komunist, shprehej dhe në detyrimin për bashkëpunim me organizatat e partisë, të bashkimeve profesionale, të rinisë dhe me organizatat e tjera shoqërore, duke i tërhequr për kontroll masat e gjera të punëtorëve, nënpunësve dhe kooperativistëve. Në vitin 1966 ky institucion u suprimua, duke u transformuar në Inspektimin e Shtetit, brenda Këshillit të Ministrave, me platformë politike të diktuar nga PPSH. Në periudhën 1970-1986 pati një reformë, si në drejtim të metodës së punës kontrolluese, ku u hoq dorë nga kontroll-revizioni. Këtu shihet se ky institucion u largua nga Ministria e Financave, por doktrinimi politik dhe mungesa e pavarësisë e shoqëruan deri në rënien e këtij regjimi në vitin 1990. Me ligjin 7108, datë 21.02.1987 u krijua Komisioni i Kontrollit të Shtetit”, ku përveç emrit të institucionit nuk u ndryshua asnjë nga parimet ku mbështetej, pra u vazhdua me të njëjtat metoda dhe me varësi politike dhe nga Këshilli i Ministrave. Në këto vite rritja e nivelit arsimor në shkollat e vendit, solli dhe një ngritje të profesionalizmit kontrollues të punonjësve të këtij institucioni, por kufizimi në pavarsi dhe doktrinimin politik ,e mbajti këtë institucion të mbyllur e në shërbim të Partisë në pushtet.
Kontrolli pas proceseve demokratike
Me proceset demokratike dhe për këtë institucion nga Prilli 1991, si për të gjithë institucionet dhe Komisioni i Kontrollit të Shtetit u transformua në KLSH, ku në vitin 1992 për herë të parë, relacionin e projektligjit përmendet Deklarata e Limës. Tani nuk kërkohej vetëm ndryshimi në formë të KKSH-it, por për një rikonceptim të plotë të tij në përmbajtje, ku varësia nga Kuvendi Popullor, nuk ishte thjesht zhvendosje mekanike, por për shkëputjen nga varësia e Qeverisë dhe për herë të parë, do të ishte një institucion kontrolli i pavarur. Kjo pavarësi do kërkonte kosto të vazhdueshme të këtij institucioni, në të gjitha fazat e reformimit të tij, pasi në çdo kohë është parë tendenca e Qeverisë apo mazhorancës, për ta patur KLSH në varësi tashmë financiare, pasi strukturore nuk e lejojnë organizmat ndërkombëtare që asistojnë proceset e ndryshimeve demokratike në Shqipëri. Arritje ishte dhe marrëveshja ku Kryetari i KLSH, duhet të zgjidhej me propozim të opozitës. Po kështu status i personelit dhe afati i qëndrimit në detyrë 7 vjet i Kryetarit të KLSH, ishin anë pozitive ku dhanë ndikimin e tyre ku të tre kryetarët e KLSH dhe Kryetari aktual, kanë punuar në reformimin e këtij institucioni, duke e përshtatur me metodat bashkëkohore të auditimit që kërkonte koha, por dhe kthimin nga një organ represiv në një organ demokratik, modern e bashkëkohor. KLSH u bë një opozitar i të gjitha qeverive, kryesisht në auditimet e procedurave të privatizimit, ku deri në vitin 1998, KLSH kishte të drejta të pakufizuar , deri në bërjen e padive në gjykata, por për përveç anëve positive, ishte dhe ana negative, ku institucioni ishte i mbyllur, shumë punonjës abuzuan, pasi dhe përzgjedhja e tyre nuk ishte bërë me kritere të qarta, por dhe këtu ndikimi i metodës shqiptare “miku” kishte gjetur fushë veprimi, kjo bëri që emri i KLSH në shumë raste të vihej në diskutime publike aspak të këndshme dhe që e dëmtuan institucionin. Pa përmendur emra e pa pikëzuar drejtues, pasi të gjithë kanë kontribuar në ngritjen e këtij institucioni. Por pas vitit 2011, KLSH njohu një ndryshim të madh, veçanërisht performanca e tij, filloj të ndryshojë dukshëm, duke u bërë faktor kryesor në luftën kundër korrupsionit dhe kontribuar për një qeverisje të mirë kombëtare. Vizioni i z. Bujar Leskaj, për një institucion modern e të hapur, si për publikun por dhe për të gjithë subjektet e interesuara për produktet që nxjerr KLSH. Sot KLSH ka vendosur marrëveshje bashkëpunimi me të gjitha SAI-et e vendeve europiane, SHBA, Kinë, etj., duke përfituar trajnime për punonjësit dhe rritur nivelin profesional të tyre. Vetëm me miratimin e ligjit të ri nr.154/2014, date 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, një ligj bashkëkohor dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe praktikat më të mira europiane, ku për herë të parë u vendosën të gjitha llojet e auditimit, ku theksohet auditimi i performancës, si një lloj auditimi që do i shërbejë qeverisjes së mirë kombëtare. Reformimi i institucionit të KLSH nuk mund të arrihet, pa ndihmën e qenësishme të partnerëve të tij kombëtare dhe ndërkombëtarë.Por reformimi i saj vjen në sinkron me reformimin e marrëdhënieve me Kuvendin dhe Qeverinë, Auditimin e Brendshëm, organet e tjera ligjore si Prokuroria, organizatat profesionale, etj., dhe OJQ-ve që përdorin produktin e KLSH-it. Për rezultatin e reformës, veçanërisht me Qeverinë e cila është përgjegjëse kryesore për hartimin dhe ekzekutimin e Buxhetit të Shtetit dhe synimi i reformave të KLSH, është përmbledhur qartë nga z.Jacek Jezierski, kryetar i Zyrës Kombëtare të Auditimit (NIK) të Polonisë, një personalitetet e auditimit europiane botëror, që ka dhënë një ndihmë shumë të çmueshme KLSH në 3 vitet e fundit, i cili ka thënë: “SAI-t nuk janë qeveri që të propozojnë dhe të ekzekutojnë politika, por pasi ato janë propozuar dhe zbatuar dhe pasi janë shpenzuar para publike, ne jemi atje për të informuar se çfarë po ndodh. Auditimet tona janë jetike për funksionimin e shtetit, për efektivitetin e tij për mirëqenien e qytetarëve të tij, si dhe për demokraci dhe transparencë. Ky është roli ynë”. Në këtë 90 vjetor KLSH vjen me rezultate të larta, i vlerësuar në Progres raportin e BE, dhe institucionet e tjera ndërkombëtare që monitorojnë punën e këtij institucioni modern, por me objektiva në rritje për vitet në vazhdim dhe me një plan strategjik, që premton një vijushmëri në rritjen e performancës si institucion modern e bashkëkohor, me vizion europian.
Sigal