Azem PARLLAKU/ Kimia ushtarake duhet mirëmenaxhuar!

710
Sigal

Kredibiliteti i Laboratorit Qendror të Forcave të Armatosura njihet dhe vlerësohet nga Drejtoria e Akreditimit, Drejtoria e Standardeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Prokuroria e Përgjithshme, Instituti i Shëndetit Publik, Instituti i Kërkimeve Veterinare dhe Ushqimit, Agjencitë Rajonale të Mjedisit, Fakulteti i Shkencave Natyrore, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti Politeknik, ECBC (USA), Laboratori Spiez (Zvicër), Laboratori Thun (Zvicër). E me gjithë këtë gamë bashkëveprimi është e nevojshme përkujdesja për t’a mirëmenaxhuar këtë aset të Forcave të Armatosura. Me një të kaluar, e cila ka zanafillën aty në vitin 1954, Laboratori Qendror i Forcave të Armatosura është strukturë e akredituar që prej vitit 2007, fakt ky që çon tek rritja e besueshmërisë së aktivitetit testues, kapaciteteve njerëzore profesionale dhe procedurave standarde që aplikohen këtu. Teksa lëmë pas “Kafen e Rremës”, diku jo shumë larg përbri rrugës kombëtare që lidh kryeqytetin me rrethinat e tij, dislokohet Laboratori Qendror i Forcave të Armatosura. Ndërsa kërkojmë më tepër për këtë institucion, arkivat na shpien në vitin 1954, kur nisi të funksionojë Laboratori i Intendencës, atëherë në vartësi të Drejtorisë të Prapavijës. Më vonë në vitin 1964, “një inxhinier kimist dhe një teknik i mesëm laborant” ishin personeli i Laboratorit të Kimisë, ky në vartësi të Drejtorisë të Kimisë. Kurse Drejtoria e Armatim-Municionit, në vitin 1974 edhe ajo do të kishte në vartësi Laboratorin e Municioneve. Në vitin 1996 të tre laboratorët e mësipërm u organizuan në një të vetëm, si Laboratori Qendror i Forcave të Armatosura në vartësi të Drejtorisë së Logjistikës. Riorganizimi i vitit 2003 këtë laborator e pozicionoi si pjesë të strukturës së Komandës së Mbështetjes Logjistike. Në vitin 2007 ishte Brigada e Logjistikës, ajo që në strukturën e saj e kishte të kompletuar Laboratorin Qendror të Forcave të Armatosura. Me riorganizimin e Forcave të Armatosura vitin e kaluar, Laboratori Qendror i është bashkangjitur strukturës organizative të Regjimentit të Mbështetjes së SHPFA. Ndoshta jo shumë i artikuluar, fakti tregon që ky institucion i ka shërbyer më së miri kërkesës së Forcave të Armatosura, për specifikën e detyrave të cilat ai ka kryer e vijon të kryejë. Stilema “testime laboratorike” mbeti, e kështu do vijojë të jetë e patjetërsueshme për të gjithë detyrat prominente të Laboratorit Qendror të Forcave të Armatosura . Objekti i punës të këtij laboratori është, sigurimi dhe mbështetja e përgjithshme laboratorike dhe shërbime analitike për furnizimet materiale sipas klasave të furnizimit, ku përfshihen pajisjet NBC e pajisje të tjera të vëna në përdorim të Forcave të Armatosura. Përtej këtij objekti Laboratori Qendror si strukturë operacionale e  me detyra specifike, ka privilegjin e bashkëpunimit me institucione shkencore brenda dhe jashtë vendit  si askush tjetër prej strukturës së Forcave të Armatosura. Nisur nga ratifikimi dhe implementimi i stanageve e ligjeve mjedisore ky laborator disponon pajisje, personel të specializuar, e procedura testuese për të përmbushur një mision unik në Republikën e Shqipërisë. Implementimi i këtyre stanageve i jep Forcave të Armatosura ndërveprueshmëri për cilësinë e materialeve që testohen në Laboratorin Qendror. Ai ka pasur dhe ka bashkëpunime me projekte të Komunitetit Europian në fushën e testimeve laboratorike, ku është veçuar për konformitetin e rezultateve të raportuara. Nga ky laborator janë kryer e kryhen testime laboratorike për mostra të ndryshme si, ujë, karburant, produkte ushqimore, etj. Rezultati i këtyre analizave, ka qenë mjaft i saktë e i njësuar me laboratorë kimik të rajonit dhe Europës. Bashkëpunimi me laboratorët e ushtrisë Zvicerane në fushën e analizave të substancave toksike, si dhe në fushën e testimeve të baruteve dhe lëndëve plasëse, e evidentojnë dukshëm aktivitetin e këtij institucioni. Kontributet në mbështetjen e punës kërkimore shkencore për individë të Forcave të Armatosura, si dhe stafeve kërkimore shkencore jashtë Forcave të Armatosura i rrisin ende më shumë kreditet për këtë laborator. Nga stafi këtu janë kryer disa kërkime shkencore individuale në shërbim të Forcave të Armatosura, e është bërë mbrojtje masteri nga ana e gjashtë personave. Mbështetja për individët jashtë strukturës së Forcave të Armatosura për kryerjen e studimeve të Doktoraturës, ka vijuar të mbetet gjithnjë e më shpesh e kërkuar. Bashkëpunimi në studime të ndryshme, si monitorimi dhe analizimi i PCB-ve në vajin e transformatorëve që disponohen nga njësitë e Forcave të Armatosura dhe në shumë raste edhe nga njësitë vendore, janë dëshmi e bashkëpunimit brenda vendit. Studimet e përbashkëta me laboratorët e ushtrisë Zvicerane, ku i fundit është ai me Laboratorin e Thunit, mbi vlerësimin e rrezikut të ndotjes së mjedisit në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës, janë fryte të bashkëpunimit jo nacional. Kredibiliteti i Laboratorit Qendror të Forcave të Armatosura njihet dhe vlerësohet nga Drejtoria e Akreditimit, Drejtoria e Standardeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Prokuroria e Përgjithshme, Instituti i Shëndetit Publik, Instituti i Kërkimeve Veterinare dhe Ushqimit, Agjencitë Rajonale të Mjedisit, Fakulteti i Shkencave Natyrore, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti Politeknik, ECBC (USA), Laboratori Spiez (Zvicër), Laboratori Thun (Zvicër). Laboratori Qendror i Forcave të Armatosura është strukturë e akredituar që prej vitit 2007, fakt ky që çon tek rritja e besueshmërisë së aktivitetit testues, kapaciteteve njerëzore profesionale dhe procedurave standarde që aplikohen në këtë laborator. Në disa fusha për analiza të tilla si Lëndët Helmuese Luftarake, Mjetet e Mbrojtjes Kundrakimike, lëndët degazuese, municionet dhe lëndët plasëse, ky laborator është unik në Republikën e Shqipërisë.

Standardet kërkojnë dhe përkujdesje

Koha është minimale sa herë është e nevojshme për të kryer detyrat specifike të testimeve laboratorike dhe me një cilësi e shërbim që nuk mund të ofrohet nga institucione jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, e bëjnë operacional Laboratorin Qendror. Vizioni këtu është testimi laboratorik i artikujve që gjejnë përdorim dhe mendohet të jenë pjesë e kompletimit për Forcat e Armatosura, duke pasur prioritet që këto artikuj të jenë cilësisht konform standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Përmbushja e detyrimeve për Objektivat e Forcës në fushën CBRN, në fushën e monitorimit dhe mbrojtjes së mjedisit, mbeten të përditësuara në aktivitetin e këtij laboratori. Kontributet e veçanta në mbështetjen e operacioneve të tilla si, asgjësimi i kimikateve të rrezikshme ndër vite, demontimi i municioneve të tepërta, asgjësimi i stoqeve dhe materialeve që nuk mund të jenë në përdorim, angazhimet e vazhdueshme në mbështetje të Emergjencave Civile, e bëjnë Laboratorin Qendror një kontribuues të vlefshëm për sigurinë. Specialistët e Laboratorit  vihen  në dispozicion, për çdo detyrë që ka të bëjë me testimin e artikujve që gjejnë përdorim në Forcat e Armatosura, duke dhënë rekomandime e konsiderata të besueshme profesionalisht. Po t’i referohemi eksperiencës, rezulton se kur një shërbim testues është kërkuar të kryhet nga institucione të tjera, në disa raste ajo dhe është ofruar, por koha e marrjes së përgjigjes ka qenë shumë e gjatë, si dhe kostoja për shërbimin e kryer ka rezultuar relativisht e lartë. Ndërsa Forcat e Armatosura, tashmë e kanë luksin e të pasurit në strukturë Laboratorin Qendror, ndërsa eksperienca e lartpërmendur thjesht mund të vlejë si referencë. Aktualisht Laboratori Qendror i kryen thuajse të gjitha testimet për artikujt që gjejnë përdorim në Forcat e Armatosura në një kohë minimale dhe me më pak kosto, duke angazhuar gjithë kapacitetet  kur detyra është e vendosur me afat  apo kërkohet një mendim specifik. Konsolidimi i sistemit të cilësisë dhe shtimi i gamës së parametrave analizues, është ambicie e vazhdueshme këtu në Laboratorin Qendror. Duke qenë i akredituar, roli dhe pesha e laboratorit, si dhe shërbimet që ai ofron, janë të mëdha, teksa cilësia dhe standardet duhen përmbushur më së miri. Akreditimi për herë të dytë i Laboratorit, pas atij të kryer në 22 prill 2007 sipas kërkesave dhe standardit ISO 17025 dhe procedurave të Ministrisë së Ekonomisë, është përgjegjësi më e madhe jo vetëm për personelin këtu, por për të gjithë Forcat e Armatosura. Mbajtja nën kontroll nëpërmjet analizave kimike, fiziko-kimike e fiziko-mekanike të municioneve, mjeteve të mbrojtjes kundërkimike, ushqimeve, karburant-lubrifikantëve, veshmbathjes, si dhe bashkëpunimi me organet qendrore dhe vendore në raste të incidenteve kimike, mbeten prioritare për këtë strukturë jo vetëm mbështetëse por dhe kërkimore-shkencore. Në laboratorin e municioneve shërbehet sipas provës së Vielit, ashtu sikurse aplikimi i metodës klasike mbetet thelbësore në përcaktimin e lëndës stabilizuese të baruteve. Analizat fiziko-mekanike për përcaktimin e gjendjes cilësore të municioneve është barometër në procesin e mbajtjes nën kontroll të tyre, duke shërbyer si garanci e patjetërsueshme në parandalimin e ngjarjeve të jashtëzakonshme, që mund të vijnë si rezultat i ritmeve të dekompozimit, apo pakujdesisë nga faktori njeri. Mbi këtë fakt tendenca qartësisht është orientuar në kontrollin e gjendjes së qëndrueshmërisë kimike të baruteve, si kusht e domosdoshmëri. Një mori provash ndër më kryesoret si; prova e stabilitetit nëpërmjet përcaktimit të përqindjes së lëndës stabilizuese HPTLC, prova e stabilitetit me metodën e vakuumit VST, prova e stabilitetit me metodën e Vjelit, etj, janë pista të qarta për ku është orientuar aktiviteti në këtë laborator. Rivlerësimi i hermetizmit të ambalazheve ruajtëse të municioneve, rivlerësimi i aftësisë marrëse “ndjeshmërisë” e transmetimi i impulsit fillestar në kapsollat ndezëse, koha e transmetimit të impulsit termik në ngadalësuesit, impulset detonuese në kapsollë, qëndrueshmëria e gëzhojës, elementët piroteknike, efektshmëria shpërthyese e ndriçuese, kontrolli i mekanizmave sigurues, janë togfjalësha të rrjedhshëm në Laboratorin Qendror të Forcave të armatosura. Kapacitetet testuese të Laboratorit në një vit i kapërcejnë dymijë mostra të municioneve, njëmijë mostrave të ushqimeve, veshmbathjes, karburant-lubrifikantëve, e analizave mikrobiologjike, si dhe njëmijepesëqind parametrave të kimikateve të ndryshme të ujit. Si strukturë operacionale për kryerjen e detyrave specifike për Forcat e Armatosura, ky Laborator i shërben implementimit të standardeve dhe objektivave të fushës së mbrojtjes. Me specifikën e detyrave që kryen Laboratori Qendror, do të vijojë të mbetet një element i rëndësishëm mbështetës i sigurisë, po kaq dhe i angazhuar në mënyrë permanente në situata bashkëpunuese dhe ato emergjente. Pavarësisht artikulimit sa më lart, është e udhës të mendojmë për një përkujdesje të veçantë për këtë aset unik të fushës së mbrojtjes. Sigurisht, që kjo përkujdesje do të promovonte ende më dukshëm kontributet e Forcave të Armatosura në interes të sigurisë. Aktualisht në vendin tonë qoftë organizmat qeveritare, ashtu dhe ato joqeveritare, e kanë fokusuar ndjeshëm vëmendjen në çështjet mjedisore. Ndërveprueshmëria me institucionet bashkëpunuese të përmendura më lart, do të sillte impakte pozitive për Forcat e Armatosura si zotëruese e këtij aseti të fushës së kimisë. Kështu është i nevojshëm të rishikohet kompletimi me sisteme dhe pajisje të kohës për këtë laborator, ndërkaq dhe kualifikimi i mëtejshëm i personelit kimist, gjë e cila do të mundësonte fleksibilitet dhe cilësi në çdo kohë dhe situatë.