Avokat Altin Goxhaj/ Loja e Ramës për të krijuar një skenar konflikti fetar për të bllokuar integrimin në Dhjetor

104

Një skenar  politik po luhet në dëm të integrimit të Shqipërisë në Europë në Dhjetor 2013. Një lojë, ku përfshihen shumë aktorë. Siç pohova 10 ditë më parë, Shqipëria i ka të gjitha shanset të marrë statusin në Dhjetor, por qeveria e Rilindjes nuk është e interesuar, sepse status do të thotë kufizime në fushatën e pushimeve masive partiake nga puna, limitim të reformës të rrëzimit të strukturave publike dhe shkatërrimit të burimeve njerëzore të asistuara nga dhjetëra miliona euro të BE-së, do të thotë mospërqëndrim të të gjithë pushteteve të sigurisë dhe hetimit në një zyrë të vetme në korridorin e zyrës së Kryeministrit të ardhshëm, do të thotë ndalim të shkatërrimit të strukturave të shtetit, por mbi të gjitha standard i respektimit të ligjit dhe jo i interesave të bizneseve të deputetëve socialistë…, por mbi të gjitha, është një fakt publik që merita e marrjes së statusit do të ishte më së shumti e Kryeministrit aktual: të zotit Berisha. Edi Rama dhe qeveria e tij nuk është e interesuar. Por mosmarrja e statusit në Dhjetor mund të konsiderohet edhe si dështimi i parë publik i Rilindjes. Dhe për të zgjidhur këtë kleçkë, po eksperimentohet prej javësh, me fate hallexhinjsh romë, apo konflikte palësh, shtet – komunitete fetare. Asnjë mjet nuk lihet pa shfrytëzuar dhe nuk është çudi, që pas një jave të prodhohet ndonjë skandal diskriminimi të komunitetit LGBT! Kush janë faktet e këtij skenari?! Fakti 1: Kryetari Socialist i Bashkisë Përmet është një ndër beniaminët e Ramës! Mjafton që ju që jeni në Tiranë, të kontaktoni kolumnistin e gazetës “TEMA”, Bledar Manen, ish-punonjës, deri para pak ditësh i kësaj Bashkie, dhe ua shpjegon ai për raportin Rama – Jaçe!

Fakti 2: Priftërinjtë Ortodoks të Përmetit e kanë bërë publike, që ia paskëshin bërë me dije Kryetarit Socialist të Bashkisë Përmet që ata nuk do të pranonin as me dhunë të largoheshin nga kisha dhe do ta mbronin atë deri në fund

Fakti 3: Kryetari Socialist i Përmetit, Gilbert Jaçe nuk kërkoi Policinë e Shtetit dhe gjithkush e di që në asnjë rast policia e shtetit nuk do të përplasej në asnjë rast dhe për asnjë rast me dhunë me priftërinjtë e Përmetit! Dhe për këtë Edi Rama kishte dijeni të plotë..

Fakti 4: Kryetari Socialist i Përmetit Gilbert Jaçe kontraktoi një polici private për të liruar një objekt me dhunë dhe u kujdes personalisht që vendosmëria e policisë private të përzinte me forcë njerëzit e Zotit dhe të përdhosnin objektet e shenjta nga kisha e Zotit dhe ai publikisht i ka falënderuar policët!

Fakti 5: Pikërisht pas 9 vjetësh, nga vendimet e gjyqësorit,  u kujtua Kryetari Socialist i Bashkisë Përmet pikërisht në një moment tranzicioni pushteti?

Fakti 6: Kryetari Socialist i Bashkisë Përmet Gilbert Jaçe kujtohet pas 9 vjetësh për të marrë objektin, pikërisht këtë muaj, në një kohë kur askush s’ka kohë të merret me kulturën në gusht në Përmet?

 Fakti 7: A kishte ndonjë shqiptar që nuk e di që një prift i Përmetit që varet nga hierarkia e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, nuk do të vepronte pa miratimin e Kryepeshkopit të Tiranës Durrësit dhe gjithë Shqipërisë hirësisë së tij Anastas Janullatos, çka dihet publikisht që për çdo pakënaqësi siç është bërë rutinë prej 21 vjetësh do të reagonte edhe shtypi grek dhe klasa politike greke?

 Fakti 8: A pati në Shqipëri ndonjë ndonjë habi, përveç revoltimit publik për reagimin e shtetit dhe politikës greke? Jo. Po Edi Rama dhe Gilbert Jaçe nuk e dinin?!

Fakti 9: A e dinte Edi Rama dhe Gilbert Jaçe që politika greke do ta përdorte imazhin e dhunës ndaj priftërinjve të shkaktuar dhe përdhosjen e simboleve të shenjta nga policë privatë të urdhëruar nga pushteti lokal, për të kërkuar bllokimin e statusit të integrimit europian në vendimmarrjen paraprake të mesit të Tetorit dhe finale të Dhjetorit në institucionet e BE-së? Nëse e dinin, pse e lanë që të bëhej?

Fakti 10: Nëse Edi Rama është i interesuar për statusin e integrimit europian të Shqipërisë, përse e lejoi kryetarin e tij lokal që të prodhonte konfliktin artificial me Kishën dhe Greqinë ,pikërisht në momentin që Shqipërisë i duhet më shumë se kurrë vota pro e çdo vendi anëtar të BE-së?

Fakti 11: Nëse vendimi paraprak (që siç dihet është totalisht përcaktues teknikisht) për statusin e Shqipërisë merret në institucionet e BE-së në mes të Tetorit, veç 30 ditë pas mbarimit të mandatit të Qeverisë Berisha, a nuk është e qartë merita e padiskutueshme e vetë qeverisjes Berisha për këtë arritje?

Fakti 12: Shkarkimi i atyre që ishin dhe punësimi i socialistëve, nëpërmjet teknikës së ristrukturimit të administrates publike, vendosja e zyrës së Byrosë, që do hetojë dhe përgjojë gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët, pranë zyrës së Kryeministrit të 9 Shtatorit, marrja nën kontroll e të gjithë pushteteve bashkë me konfliktin, me të gjithë institucionet të mbetura pa kapur, pa dyshim që do të vështirësohen tej mase, pas vendimit paraprak të Tetorit deri në Dhjetor 2013, pasi çdo vendimmarrja negative e Dhjetorit në BE, në kundërshtim me vendimmarrjen pozitive të tetorit, do të ishte kosto e drejtpërdrejtë dhe dështimi i parë spektakolar për Qeverinë e Edi Ramës.

 Fakti 13: Hirësia e tij z. Janullatos, fakti që nuk i kërkoi në asnjë rast Edi Ramës që t’i kërkonte Gilbert Jaçes, që të mos dhunonte kishën dhe priftërinjtë e tij, tregon se ka qenë koshient për skenarin e Edi Ramës në këtë teatër absurd, dhe, mbi të gjitha, ka mbajtur një qëndrim nxitës të kërkesës për bllokim të statusit të Shqipërisë, pikërisht se kështu i intereson vetë Edi Ramës!