Av. Idajet Beqiri/Ja pse “nacionalizmi” i Berishës është antishqiptarizëm

607
Sigal

Në datën 12 shtator 1991 Partia e Unitetit Kombëtar të Shqipërisë dhe Partia e Unitetit Kombëtar të Kosovës ndërmorën një nismë të rëndësishme politiko-kombëtare, hartimin e një Platforme për Bashkimin Kombëtar dhe miratimin e saj në një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili do të zhvillohej në Tiranë në 28 Nëntor 1991. Ideja ishte që truri intelektual i kombit, andej dhe këndej kufirit, si dhe në diasporë, pasi të hartonin në detaje ekzistencën e çështjes së pazgjidhur kombëtare shqiptare, historinë e saj, strategjinë dhe taktikat e veprimit haps pas hapi, deri në përmbushjen e misionit të bashkimit të shqiptarëve dhe trojeve të tyre në Ballkan, në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar, me kryeqytet Tiranën, përmes një përfaqësimi të nivelit të lartë akademik, intelektual, politik dhe kombëtar, ta miratonim këtë platformë në Kuvend si dhe të krijonim strukturat udhëheqëse vepruese, deri në përmbushjen e këtij misioni historik.

Për të garantuar suksesin e kësaj nisme, ftuam, bashkëbiseduam dhe ju afruam të bëheshin bashkautor dhe bashkëiniciator të hartimit të kësaj Platforme, njerëzit më me autoritet intelektual, politik dhe kombëtar të kohës në të gjitha hapësirat shqiptare, nga trojet tona etnike në Ballkan, deri në Diasporën shqiptare, e cila ndodhej në të gjitha kontinentet, si Prof. Martin Camaj në Gjermani, Akademik Rexhep Qosja, Prof. Arshi Pipa, At’ Artur Liolini dhe Prof. Isuf Luzaj në SHBA, Prof. At Antonio Belushi dhe Nermin Vlora në Itali, Prof. Anton Çeta, Prof. Aristidh Kola në Greqi, Magjister Ukshin Hoti, politologun Mahmut Bakalli, Prof. Hajrullah Gorani (Kryetar i Sindikatave në Kosovë), Adem Demaçi. Prof. Fehmi Agani, Prof. Agim Vinca, ish-Kryetarin e Partisë Parlamentare të Kosovës, Veton Surroj, Prof. Eqerem Hoxha (Çam) në Australi, Prof. Teki Tartari, Prof. Rexhep Mejdani, Prof. Moikom Zeqo, Prof. Nasho Jorgaqi etj.. etj.. (Ju kërkoj falje nismëtarëve të tjerë, por për arsye se lista është tepër e gjatë, nuk mundem t’i përmend të gjithë).
Pikërisht kur të gjitha gjërat i kishim bërë gati, kur kishim caktuar edhe delegatët nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, kur të largëtit e kontinenteve të tjera kishin rezervuar edhe biletat e avionit për të udhëtuar në Tiranë, kur kishim hedhur me shkrim dhe në faqet e shtypit projekt-Platformën Kombëtare që do të diskutohej në Kuvendin e 28 nëntorit 1991, kur kishim caktuar edhe emrat e personaliteteve të larta kombëtare dhe intelektuale që do ta udhëhiqnin Kuvendin dhe gjithë këtë proces të rëndësishëm, kreu i opozitës së atëhershme, Sali Berisha, e sabotoi. Me një mllef të patreguar e nëmi aq shumë këtë akt të rëndësishëm kombëtar, sa më mirë nuk do ta bënte as ish-Presidenti i Serbisë i atëhershëm Sllobodan Millosheviçi! Berisha e sabotoi aktin madhor të miratimit të Platformës Kombëtare të Bashkimit dhe ngritjen e strukturave që do e udhëhiqnin këtë proces, sepse sipas konceptimit tonë të atëhershëm, ai vuri në rendin e parë paranojën e tij për të ardhur domosdoshmërisht në pushtet. Këtë akt madhor kombëtar ai e konsideroi si pengesën kryesore, sepse ndryshohej katërcipërisht strategjia e tij e veprimit për të ardhur në pushtet.
Me ardhjen e Berishës në pushtet në 22 mars 1992 ideja e bashkimit kombëtar, forcat politike, intelektuale dhe atdhetare prej të gjitha hapësirave shqiptare, që punonin fort dhe mirë në këtë drejtim, u persekutuan, u burgosën, u zhdukën, u keqtrajtuan në mënyrën më mizore, u ndoqën nga pas dhe nuk lejoheshin të merrnin fryme prej SHIK-ut të Gazidedes, i cili u bë me plotë kuptimin e fjalës, shumë më keq se UDB-ja e Serbisë në Tiranë. Armiku kryesor i pengimit të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare në vitet 1992-1997, kur të gjithë popujt e tjerë në ish-Jugosllavi e më tej ishin zgjuar, ishte vetëm një njeri, ish- Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha. Kam parasysh faktin që kur Serbia ishte në embargo, edhe pse vriste dhe gjenocidonte boshnjakët si dhe shqiptarët e Kosovës, Berisha i furnizonte agresorët serbë me karburante dhe ushqime, duke i bërë sfidë embargos së vendosur nga komuniteti ndërkombëtar. Kam parasysh faktin që po ky Berishë, jo vetëm që e burgosi, e keqtrajtoi dhe u përpoq ta izolonte tërësisht fillesën e përgatitjes ushtarake të atyre që do të bëheshin pas pak vitesh ushtarë dhe komandant të UÇK-së, por kur kjo ushtri doli në dritë si e vetmja shpresë për pavarësimin e Kosovës, e “nëmi” me mallkime këtë formacion, duke e konsideruar atë si “pjellë të Beogradit”!
Kam parasysh edhe të gjitha “bëmat” e tij të keqqeverisjes dhe të keqmenaxhimit të institucioneve, të cilat e kanë dobësuar dhe e kanë diskredituar aq shumë, aq rëndë dhe aq thellë shtetin shqiptar, sa jemi bërë “delja më e zezë e Botës”, me varfëri të tejskajshme, me institucione të paafta, të kalbura dhe jo serioze, me korrupsion marramëndës, me lulëzimin e një kriminaliteti, i cili po e shuan këtë popull, më keq se çka përjetuar në Luftën e Dytë Botërore etj. Kam parasysh gjithashtu komeditë groteske dhe përrallat e fundit “nacionaliste” të Berishës, të cilat në thelbin e tyre, në kohën që bëhen, dhe në kontekstin se përse bëhen, janë një antishqiptarizëm i hapur dhe i pamëshirshëm. “Nacionalizmi” i vonuar i Berishës, ashtu si 22 vjet me radhë, ka si motiv dy gjëra, nga njëra anë qëndrojnë interesat e tij për të qëndruar përherë në pushtet. Dhe këtë “nacionalizëm” e përdor si “veshje” për sytë e faktorit ndërkombëtar, kur t’u vjedh shqiptarëve mandatin e tretë në 23 qershor 2013.
Qëllimi i dytë ku synon arrijë Berisha, ka lidhje me sabotimin e radhës që ai kërkon t’i bëjë zgjidhjes së çështjes kombëtare. Tashmë që problemi ynë kombëtare ka përparuar kaq shumë, sa afro 2/3 e përbërësit të saj janë zgjidhur, në këtë moment kur Shqipëria ka siguruar aleatë tepër të fuqishëm ndërkombëtar, sikurse janë SHBA etj., të cilët e kanë hapur katërkanatëshe derën e bashkimit kombëtar të shqiptarëve dhe të trojeve të tyre etnike, në një shtet të vetëm kombëtar, kërkon të pengojë me çdo mjet.
Teza famëkeqe e Berishës për “dhënien e shtetësisë shqiptare gjithë bashkëkombësve tanë në trojet etnike”, apo teza e tij e “bashkimit si komb në BE”, krijojnë një pështjellim kaq të rëndë brenda nesh, por mbi të gjitha midis nesh dhe faktorit ndërkombëtar, sa i saboton arritjet e deri tanishme si dhe e largon këtë proces së paku edhe 20 vjet të tjera.
Në vend që t’u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve atdhetarë që kanë braktisur ose që kanë shitur pasuritë e tyre të paluajtshme në trojet etnike shqiptare, të cilat ndodhen jashtë dy shteteve tona shqiptare në Ballkan, që të rikthehen nga mërgimi dhe t’i bëjnë kudo trojet tona të flasin kudo shqip, si më parë, teza e Berishës, e cila vërtetë është elektorale dhe nuk do të zbatohet kurrë, përsëri u “ngre mendjen” shqiptarëve të braktisin trojet etnike.
Ka plotë shqiptarë, të cilët nuk e durojnë dot diskriminimin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut që u bëhen në Serbi, në Malin e Zi dhe në Maqedoni. Në se ata i gënjen më gjoja “dhënien e shtetësisë shqiptare”, do të linin shtetësinë aty ku janë në trojet e tyre, dhe do të dyndeshin në Shqipëri, në “Bathoret e reja” a në Bregdet, duke e bërë kombin e bashkuar shqiptar vetëm në këto 28 mijë km2 të shtetit shqiptar, nga 84 mijë km2 që kemi qenë! Politika të tilla na kanë larguar nga përtej “Mollës së Kuqe” më thellë Nishit, ku ishim dhe na kanë humbur tashmë Pazarin e Ri, Senicën, Rozhajën, Plavën, Gucinë, Tuzin, Ulqinin, Podgoricën, Tivarin, Vraninën dhe treva të tjera shqiptare në Malin e Zi, humbëm Medvegjën e Bujanocin, humbëm Manastirin tonë të shenjtë dhe të shtrenjtë, Ohrin, Shën Naumin, Kërçovën, Prilepin, një pjesë të mirë të Shkupit etj në Maqedoni, për të mos folur për trojet tona nën Greqi.
Duke bërë “ekstremistin” kreu i qeverisë, ata që mbajnë padrejtësisht të okupuara trojet tona etnike gjejnë “armë” legale për të na sulmuar para faktorit ndërkombëtar, duka na konsideruar ne, shqiptarëve “shovinistë”, dhe duke e fshehur kështu shovinizmin e tyre. Nga ana tjetër, “nacionalisti” i vonuar Berisha, i bënë aleatët tanë të fuqishëm ndërkombëtar, përkrahës dhe nxitës të ribashkimit tonë, të frenohen dhe të tërhiqen, duke e vonuar këtë proces dialektik të realizimit të aspiratës sonë kombëtare. Berisha nga etja për një mandat të tretë, me “nacionalizmin” e tij kërkon t’u imponohet BE, si njeriu që ka në dorë «Barutin e Ballkanit»! Me këtë « kartë » ai kërkon të ndihmohet prej Evropës, e cila prej gjoja «frikës» nga destabiliteti që mund të krijojë ky njeri me “idetë e tij nacionaliste”, të «lëshojnë pe», t’i hapi rrugën integrimit të pamerituar të Shqipërisë në BE, me qëllim që këtë “arritje” ta përdori Berisha si «kapital» politik, për të justifikuar para botës vjedhjen e radhës të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013.
Berisha kërkon gjithashtu të paralizojë veprimet aktive të forcave politiko-kombëtare dhe intelektuale të cilat janë të përcaktuara dhe që kanë vepruar dhe vazhdojnë të veprojnë për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Ai kërkon t’i vërë në gjumë shqiptarët me atë se gjoja tash e mbrapa, me bashkimin kombëtar, do merret Qeveria!
Koncepti i Berishës se «shqiptarët do bashkohen në Evropën e Bashkuar si komb», është në thelbin e vet kundërshqiptar. Ky «nacionalizëm» i Berishës do të thotë që të gjitha vendet e rajonit, ku shqiptarët janë banorë etnik në trojet e tyre, jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë, të hyjnë në BE duke i patur ata brenda territorit të vet edhe trojet tona etnike, edhe shqiptarët. Pra sipas kësaj teze Berisha është i interesuar të futet në BE Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi, me gjithë trevat shqiptare brenda këtyre shteteve, të hyjë edhe Kosova e Shqipëria, e kështu, ne shqiptarët, jemi të gjithë të bashkuar në BE!
Në se nesër BE prishet, siç u prishën Perandoritë Romake, Bizantine, Otomane, Austro-Hungareze, shqiptarët dhe trojet e tyre etnike do ta fusin përsëri kokën e tyre në 6 shtete të ndryshme! Padrejtësia historike që u është bërë shqiptarëve në Kongresin e Berlinit, në 1878 dhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në 1913, nuk mund të zgjidhet me një konceptim të tillë për zgjidhjes e çështjes kombëtare. Shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri, në Malin e Zi, në Maqedoni dhe në Preshevë, Bujanoc e Medvegj, me të gjitha strukturat e tyre politike, shtetërore, intelektuale, diplomatike, kanë punuar, punojnë dhe do të punojnë me përkushtim që të fuqizojnë e përparojnë shtetet që kanë, ekonomitë dhe financat, duhet të gjejnë mekanizmat veprues për të ripopulluar trevat tona të zbrazura nga shqiptarët, dhe çdo ditë, hap pas hapi, të bashkohen në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar, me të gjitha trojet etnike dhe popullin që jeton në to brenda këtij shteti.
E pikërisht, pasi të jetë realizuar ky objektiv madhor, pasi shqiptarët të jenë bashkuar me vetveten në një shtet të vetëm kombëtar në Ballkan, pas kësaj të luftojmë të arrijmë objektivin e dytë madhor historik, integrimin e këtij shteti të vetëm kombëtar shqiptar, në BE, me të gjitha trojet etnike dhe shqiptarët brenda tij. Çdo koncept tjetër për bashkimin kombëtar shqiptar, kujtdo mund t’i shërbej, por interesave kombëtare shqiptare nuk u shërben.