Av. Idajet Beqiri/16 vjeçarët kanë një mori arsyesh për t’i thënë një “JO” shashkës së fundit të Berishës

514
Sigal

Urtësia jonë popullore ka një shprehje brilante kundër atyre njerëzve, të cilët bëhen “kryespecialistë” për çdo gjë dhe për gjithçka, edhe pse nuk kanë haber nga lidhet gomari për fusha të caktuara ku duhen njohuri të posaçme! Kjo shprehje, me gjithë se i drejtohet njërit prej veseve më të këqijave, më të mëdha dhe më dëmprurëse për shoqërinë tonë, duket si ‘e lezetshme’ dhe jo si mallkim. ‘Të pëlqeftë mëndja jote’. Kështu, me një ‘butësi’ të paimagjinueshme, u thotë populli të gjithë shtetarëve të papërgjegjshëm, të cilëve ‘u ka marrë koka erë’. Berishës meqenëse i është mbushur mëndja se ‘prodhon politikë’, herë pas here, i nxitur edhe nga shumë servil që e lajkosin dhe i bëjnë ‘hosanara’, hedh ‘shashka’ dëmsjellëse në terrenin tonë shqiptar, tashmë të ndotur aq keq prej tij, sa nuk ka më ‘pesticide’ që mund t’i bëjnë derman. Shqiptarët kanë plotë 22 vjet që ‘e urojnë’ Berishën me shprehjen ‘të pëlqeftë mëndja jote’. Dhe Berisha, duke e vlerësuar me ‘pozitivitet’ këtë ‘urim’, është hedhur nga mbroçkulla, në mbroçkull, duke u bërë shtetari më qesharak që i ka ardhur në këto 100 vjet si shtet Shqipërisë. Aq shumë ‘mbroçkulla’ të papërgjegjshme ka hedhur ky person ‘në tregun shqiptar’, sa ne fatkeqët që bashkëjetuam të imponuar nën sundimin e tij, por mbi të gjitha brezat që do të vinë më pas, do t’i kujtojnë dhe do t’i tregojnë ato si barsoleta komiko-tragjike të kohës kur kombi dhe populli ynë jetoi ‘Flamën’ më të madhe dëmsjellëse. Kam parasysh këtu një mori të pafundme ‘mbroçkullash’, duke filluar me ‘Skandalin e arit të Xhon Megou’, me deklarimet e përsëritura në mbrojtje të firmave piramidale se ‘paratë e shqiptarëve në këto firma janë të pastra’, me ato të ‘rebelimit komunist’, kur ju rrëzuan në mënyrë tragjikomike shteti dhe institucionet e tij në ngjarjet e marsit 1997, me deklarimet e tij skandaloze me rastin e vrasjes së Azem Hajdarit në shtator 1998, për të shmangur përgjegjësinë e vet direkte si dhe për të justifikuar grusht-shtetin që bëri me tanke e autoblinda, të cilat më në fund i instaloi në Selinë e PD-së! E për të vazhduar më tej me ‘mbroçkullat’ e tjera të ‘padrinove’ të krimit, të ‘armiqve të jashtëm’ që shkaktuan tragjedinë e Gërdecit, të ‘çadrave armë’, të ‘stilolapsave thika me helm’, e të ‘gurëve të bulevardit bomba’ që u përdorën për t’i marrë zyrën këtij kryeministri më 21 janar 2011, nga ku qeveria vrau 4 protestues për të shpëtuar Berishën nga ‘puçi’, e për të mos i numëruar një e nga një, për të përfunduar te deklarimet e tij skandaloze si ‘nacionalist’ i akshamit! Mbroçkulla e fundit është ‘nisma’ e tij për të ulur kufirin minimal të moshës së votueseve të vendit tonë, nga 18 vjeç që e kemi në Kushtetutë, në moshën 16 vjeçe! Këtë gjë Berisha e bënë se ‘ju hap barku’ për afro 100 mijë gjashtëmbëdhjetë vjeçar që ka vendi, të cilëve ju ‘mohohet’ e drejta për të votuar. ‘Indicjen’ për t’u bërë ‘zëri’ i këtyre gjashtëmbëdhjetë vjeçarëve, kryeministri ynë n’a e paska marrë ‘nga miqtë e tij të vegjël të Facebook-ut’! Për fatin e keq, disa politikanë dhe forca politike, disa masmedia, ndonjë sociolog e psikolog, në vend që t’i thonë hapur dhe prerë arsyet shkencore, psikologjike, sociale dhe ligjore që e bëjnë të pamundur realizimin e kësaj ‘shashke’ të radhës, në vend që të argumentojnë dëmet e pallogaritshme që do t’i shkaktonim shtetit ligjor, gjithë shoqërisë, por posaçërisht vet 16 vjeçarëve, në se do të bëhej realitet ky propozim dashakeq i Berishës, ose kapen pas gjërave pa rëndësi, ose bëjnë servilosjen e radhës. Dhe gjejnë ‘sebepe’ me ‘Kushtetuta nuk e lejon’, me ‘rregullat e lojës nuk ndryshojnë 4 muaj para ditës së zgjedhjeve’, me ‘listat e zgjedhësve’ apo ‘meqenëse propozimi erdhi nga Berisha, domosdo është i keqe’! E drejta e votës, mosha për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, është një e drejtë themelore njeriu e rregulluar me konventa ndërkombëtare si dhe me ligje themeltare të shtetit, sikurse është kushtetuta. E drejta e votës është e drejta më e lartë e qytetarit, gëzimi dhe përdorimi i së cilës, pasësjellë domosdoshmërish të drejta dhe detyrime të tjera, të cilat nuk mund t’i veçosh, duke i prerë me thikë. Në se u jep 16 vjeçarëve të drejtën e votës, do pranosh se ata e kanë mbushur moshën e duhur për t’u konsideruar persona madhor, persona me zotësi të plotë juridike dhe për të vepruar. Pa qenë në moshën madhore, nuk mund t’a gëzosh, t’a disponosh dhe t’a përdorësh të drejtën e votës. Nëse të drejtën e votës e lidh vetëm me moshën e pjekurisë të fëmijëve, sikurse bënë kryeministri ynë, atëherë kjo moshë pjekurie ka si prag të saj moshën 14 vjeç dhe vazhdon deri në moshën 18 vjeç. Të ndash moshën madhore të një personi, me moshën e pjekurisë së tij, do të thotë të ndash zotësinë e plotë juridike dhe për të vepruar, nga  pavarësia e kufizuar që kanë të miturit 16 vjeçar. Do të thotë më në fund që t’i përdorësh ata ‘si mish për top’, duke u marrë100 mijë vota, dhe pastaj ‘hurin nga pas’! Kjo për shkak se mbushja e moshës madhore nuk ka vetëm privilegje, por ka edhe përgjegjësi. Në se një 16 vjeçari do t’i japësh të drejtën më të lartë, sikundër është e drejta e votës, atëherë je i detyruar të përshtatësh gjithë legjislacionin, duke filluar nga e drejta kushtetuese, e pastaj te drejtën penale, civile, familjare, trashëgimore, administrative, ndërkombëtare, duke vendosur si moshë madhore, që pasësjellë zotësi të plotë për të vepruar, domethënë të drejta dhe detyrime, moshën 16 vjeç, nga 18 vjeç që e kemi sot. Kjo do të thotë që 16 vjeçarit t’i japësh të drejta të plota trashëgimie, të bëjë testamente ligjore, të bëjë të gjitha llojet e kontratave, duke filluar nga ajo e shitblerjes, e dhurimit, e sipërmarrjes, e deri te kontrata e kredimarrjes me bankat. Kjo do të thotë që 16 vjeçari, në se kryen një vepër penale, të mos konsiderohet si i mitur, sikurse e kemi sot në legjislacionin tonë kushtetues dhe penal, duke marrë gjysmën e dënimit për veprën penale që ka kryer, por  të trajtohet siç trajtohen sot 18 vjeçarët e lart, që konsiderohen madhor, dhe që u jepet pa hezitim dënimi i plotë sipas Kodit Penal, deri edhe burgimi i përjetshëm, i cili është i ndaluar me ligj të jepet për të miturit. Kjo do të thotë që 16 vjeçarët të shkojnë ushtar, të lidhin martesë ligjore, të bëjnë adoptim të fëmijëve etj, etj! Ky do të ishte një veprim i rënd, e madje ‘non sens’ me frymën përparimtare evropiane dhe ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve. Konventa Ndërkombëtare Për të Drejtat e Fëmijëve u ka vënë theksin ekzistimit të diferencave të pamasa në zhvillim ndërmjet fëmijëve dhe të rriturve. 16 vjeçarët nuk janë akoma psikologjikisht të pajisur me të njëjtin sens gjykimi, këndvështrimi dhe kuptimi të pasojave që rrjedhin nga veprimet e tyre, sikurse janë të rriturit. Ata janë më pak të aftë se të rriturit për të kontrolluar impulset e tyre dhe për të nxjerrë të njëjtat procese arsyetimi në lidhje me veprimet e tyre. Hyrja në botën e të rriturve lidhet me fitimin e një pavarësie dhe autonomie më të madhe, për të vendosur për çështje të rëndësishme, për të realizuar vet të drejta dhe detyrime. Ndaj një kryeministër i përgjegjshëm, para se të bëjë një propozim të tillë, duhet të respektojë konceptin e interesit më të lartë të 16 vjeçarëve. Ky interes më i lartë nuk kërkon që t’u bëjmë «qejfin» 16 vjeçarëve, duke u dhënë të drejtën që të votojnë për Saliun. Dhe pastaj, kur të kryejnë një vepër penale, nga gjysmën e dënimit që duhet t’u japim, t’i ‘kalbim’ në burgje, deri duke i kryer vitet e burgut kokërr më kokërr siç është parashikuar në Kodin Penal, pavarësisht se pjekuria e moshës së tyre nuk arrin t’i konceptojë, t’i analizojë dhe t’i vëri në zbatim njëlloj me një njeri madhor, sikurse konsiderohen 18 vjeçarët. Një pavarësi më e madhe për 16 vjeçarët nënkupton dhe përgjegjësi më të mëdha. Ky 16 vjeçar, të cilit Berisha kërkon t’i jap të drejtën e votës, domethënë që kërkon  t’i jap zotësi të plotë për të vepruar, nuk mundet më të justifikohet nesër në marrëdhëniet me të tjerët se “prindërit e tij nuk dinin gjë”, apo se ai nuk ka mundësi të ekzekutojë një kontratë, për shkak se ajo vendos detyrime të rënda financiare. Ai ka të drejtën të lidh një kontratë, si person në moshë madhore, por bëhet edhe debitor, (ose merr përsipër një detyrim për të shlyer) dhe nga pikëpamja juridike, nuk ka më rëndësi, nëse personi ka fituar më parë, pëlqimin ose jo të prindërve. Në nenet 18 dhe 27 të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, njihet dhe shpjegohen përgjegjësitë e prindërve në kujdesin për të miturit, sikurse janë 16 vjeçarët. Nga ana tjetër në këtë Konventë, si dhe me këmbëngulje të vazhdueshme të organizmave prestigjioze ndërkombëtare, inkurajohen vazhdimisht shtetet për ta rritur limitin e moshës minimale për përgjegjësi të tilla deri në 21 vjeç. 16 vjeçarët kanë të drejtën e privatësisë. Dëgjimi i dëshmisë së tyre në konflikt me ligjin bëhet me dyer të mbyllura dhe identiteti i tyre duhet të ruhet. Emri i 16 vjeçarëve duhet të mos jetë në regjistrin e të dhënave penale deri në momentin që ai nuk ka mbushur moshën 18 vjeç etj., etj. Janë të gjitha këto arsyet që 16 vjeçarët duhet t’i thonë ‘JO’ të madhe këtij ‘propozimi’ dëmsjellës dhe dashakeqës të Berishës. Këta gjashtëmbëdhjetë vjeçar duhet të bëhen syçelët, sepse ky kryeministër që sundon sot vendin, për interesat e tij korruptive, antishqiptare dhe despotike, mund t’ua bëjë këtyre fëmijëve tanë më të zezë nga ç’e kanë bukurinë e moshës, ardhmërinë e tyre.