Auditimet paralele në performancë, si një mundësi për të kuptuar dhe menaxhuar progresin

709
Kontrolli i Lartë i Shtetit këto pesë vitet e fundit i ka kushtuar rëndësi të veçantë bashkëpunimit me institucionet homologe i cili ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Kjo është sintetizuar edhe nëpërmjet auditimeve të përbashkëta të performancës, sepse janë pikërisht këto bashkëpunime që promovojnë praktikat më të mira nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave duke rritur njëkohësisht kapacitetet e auditimit të performancës. Prej gati dy vjetësh, KLSH është pjesë e Projektit PPA II (Parallel Performance Audit – Auditimi Paralel i Performancës). Objektivi i këtij projekti është i dyfishtë. Së pari, ai synon rritjen e qëndrueshmërisë së auditimit të performancës duke përfshirë drejtuesit më të lartë të SAI-ve në këtë projekt dhe së dyti zhvillimin e kapaciteteve të përshtatshme të auditimit të performancës. Në këtë projekt, krahas KLSH-së, kanë marrë pjesë Institucionet Supreme të Auditimit të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje- Hercegovinës. Në këtë projekt u ftuan të gjitha SAI-t e vendeve të BE-së ose vendeve kandidate për në BE, të cilat zotoheshin se do të kryenin auditime performance. Fillimisht, mbështetja e këtij projekti ka qenë në identifikimin e temave të auditimit që çdo SAI do të kryente në vendin e tij. Në të gjitha “Workshop-et” e zhvilluara nga ky projekt janë adresuar çështje që kanë të bëjnë me përdorimin e metodave sasiore dhe cilësore në auditim, kontrollin e cilësisë, leksione teorike, si dhe rolin e drejtuesve të mesëm e të lartë të SAI-ve. Ky projekt është drejtuar nga Swedish National Audit Office (SNAO) – Zyra e Auditimit Kombëtar të Suedisë, me mbështetjen e European Court of Audits (ECA) – Gjykata Europiane e Audituesve. Ata kanë bërë të mundur koordinimin e të gjithë projektit, mbulimin e disa kostove për pjesëmarrësit e SAI-ve dhe garantimin e ekspertizës profesionale me njohuri dhe eksperiencë të gjerë në auditimin e performancës. Idea e drejtuesve të projektit ka qenë që, SAI-t pjesëmarrëse duhet të ndjekin të njëjtën sekuencë të fazave të punës, për kryerjen e auditimit. Projekti ka kaluar në disa faza, të cilat kanë qenë në sinkron dhe përbëjnë të gjithë ciklin e auditimit. Ai përfshinte një takim prezantimi për drejtuesit e lartë dhe pesë takime të tjera për drejtuesit e mesëm ose audituesit. Takimi i prezantimit është zhvilluar në Luksemburg në 25-26 Shkurt të vitit 2016 në të cilin janë diskutuar temat e auditimit që secili shtet do të kryente. Midis përfaqësuesve të KLSH-së dhe drejtuesve të Projektit PPA II u ra dakord që tema e auditimit që KLSH do të zhvillonte në Shqipëri të ishte “Procedurat e Prokurimit Publik”. Ndër të tjera në këtë takim u diskutua mbi rëndësinë dhe impaktin e auditimit të performancës, zbatimin e standardeve të përshtatshme të ISSAI, qasjet për krijimin e një funksioni të qëndrueshëm të auditimit të performancës duke përfshirë garantimin e cilësisë, raportimin e auditimeve të performancës te vendimmarrësit si dhe ndjekjen e rekomandimeve. Rëndësi të veçantë iu dha edhe seksionit të prezantimit të praktikave të mira që SAI-t pjesëmarrëse diskutuan. Pas takimit prezantues të zhvilluar në Luksemburg, u zhvilluan me rradhë njëri pas tjetrit gjashtë “Workshop-e”. “Workshop-i“i parë u zhvillua në 25-27 Prill 2016 në Podgoricë. Qëllimi i tij ishte të asistonte drejtuesit e mesëm të SAI-ve pjesëmarrëse në analizën e riskut si dhe në strategjinë e auditimit që do të realizonin në vazhdim. Në qershor të 2016 u zhvillua në Prishtinë “Workshop-i” nr. 2 i këtij projekti. Në këtë takim, grupeve të auditimit iu kërkua të prezantonin planin e punës për auditimin që po kryenin si dhe pyetjet paraprake që kishin ngritur deri në këtë fazë. Në këtë mënyrë, u bë i mundur përfundimi dhe ndërtimi i piramidës së pyetjeve të auditimit. Në “Workshop-in” nr. 3 të zhvilluar në Stockholm në Nëntor 2016, të gjitha SAI-t pjesëmarrëse prezantuan një raport paraprak të auditimit të tyre me qëllim nxitjen e diskutimeve midis SAI-ve pjesëmarrëse mbi raportet paraprake si dhe pyetjeve që ishin ngritur deri në këtë moment. “Workshop-i” nr. 4 i zhvilluar në Tiranë në Dhjetor 2016 kishte si qëllim rritjen e njohurive në aspekte të veçanta të auditimit, si metodologjia, leximi “miqësor” i raporteve të auditimit dhe sigurimi i cilësisë. Ai përmbante disa elementë trajnimi, sipas nevojave të audituesve pjesëmarrës dhe metodave të përzgjedhura në temat e auditimit. Takimi u përqendrua në përcaktimin e kritereve të auditimit të procedurave të prokurimit publik si qëllim për të arritur rezultate pozitive në përfitimin e çmimeve më të ulta të prokurimit, sasisë e cilësisë më të mirë të mallrave dhe shërbimeve për të njëjtin çmim, drejtësisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë konkurrentët pjesëmarrës në prokurimet publike, etj. KLSH solli eksperiencat e tij ku vuri në dukje shumë raste të shkeljeve të konstatuara nga auditime të ndryshme të kryera në subjekte dhe kohë të ndryshme nga ana e tij. Ky auditim performance ka si qëllim kryesor të shikojë më thellë rreziqet ose problemet që ndikojnë në kryerjen me rregullsi të procedurave të prokurimit publik. Në “Workshop-in” nr. 5 të Shkupit në datat 7-9 Mars 2017, u diskutuan tema mbi zhvillimin dhe përsosjen e auditimit të performancës, e konkretisht: Komunikimi me subjektet e audituara; Dokumentimi i auditimit; Ndërtimi i një strukture të përgjithshme për planet e punës në auditimin e performancës; Skanimi, analiza e riskut dhe problemi; Analiza në planifikimin e auditimit të performancës; Kriteret, pyetjet dhe matrica e projektimit në auditimin e performancës; etj. Së fundmi, në datat 5-9 Qershor 2017 në Beograd u zhvillua “Workshop-i” nr. 6 i cili ishte dhe takimi i fundit për këtë projekt. Tematikat kryesore të këtij “workshopi” ishin mënyra e të shkruarit dhe vizualizimi i të dhënave. Ky takim përkoi edhe me 10-vjetorin e krijimit të SAI-t të Serbisë në të cilin mori pjesë me ftesë të veçantë Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Bujar Leskaj. Auditimi i Performancës i Menaxhimit të Prokurimit Publik i nisur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në kuadër të Projektit PPA II, është fokusuar në Agjencinë e Prokurimit Publik si institucioni monitorues i procedurës së prokurimit publik, Drejtorinë e Përgjithshme të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” Tiranë, Autoritetin Rrugor Shqiptar si dhe Bashkitë me fondet më të mëdha të prokuruara. Qëllimi kryesor i këtij auditimi është përmirësimi i transparencës në përdorimin e procedurës së prokurimit publik “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit kontratës” duke garantuar respektimin e prokurimit në përputhje me ligjin dhe sigurimin e përdorimit optimal të buxhetit në interes të publikut. Prokurimi publik është një aktivitet ekonomik, i cili synon të përdorë paratë e taksapaguesve në mënyrën më efektive të mundshme, ndërsa vlera në lekë në kontekstin e prokurimit publik është cilësia më e mirë për çmim të arsyeshëm në kohën e duhur. Cilësia e sistemit të prokurimit publik është drejtpërdrejtë e lidhur me mbarëvajtjen e të gjithë ciklit të prokurimit, i cili duhet të realizohet në kohë, në mënyrën e duhur dhe në përputhje me legjislacionin e prokurimeve publike në fuqi. Që të kryhet një procedurë prokurimi, duhet të ekzistojnë në të njëjtën kohë të gjithë elementët dhe palët në një proces prokurimi. Performanca e prokurimit publik nuk matet vetëm me shifra (vlera në para e kursyer), por edhe me mënyrën sesi realizohet prokurimi i mallrave, punëve dhe shërbimeve, të cilat reflektojnë në çështje sociale për të luftuar korrupsionin, për të siguruar përdorimin optimal të buxhetit publik, për të rritur përgjegjësinë institucionale e personale në sektorin publik si dhe për të stimuluar një mjedis të shëndoshë biznesi e konkurrencë te ndershme. Përmirësimi i procedurave të prokurimit publik ka si qëllim të sigurojë që fondet publike të përdoren në mënyrë transparente, efektive dhe që autoritetet kontraktore t’i japin llogari publikut për veprimet e tyre. Parimet bazë janë trajtimi i barabartë, mos diskriminimi dhe transparenca, me qëllim kryerjen në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe efektive të procedurave të prokurimit publik ku mallrat dhe shërbimet të kontraktohen me çmimet më të mira të mundshme duke mos rrezikuar cilësinë e tyre. Pas miratimit të Raportit Final të Auditimit do të përgatitet “Synthesis Report”, i cili është një raport pëmbledhës me strukturë dhe përmbajtje të përcaktuar. Ky raport do të përgatitet nga SNAO dhe ECA. Ai do të përbëhet nga Përshkrimi i Procesit të PPA II si dhe Gjetjet, Konkluzionet dhe Rekomandimet kryesore për secilin vend pjesëmarrës në këtë projekt. Pas hartimit final të “Synthesis Report” përgatitur nga ECA dhe SNAO, ai do të publikohet në formë elektronike në fillim të Tetorit 2017 nën siglën e JWGAA (Joint Working Group on Audit Activities – Grupi i Përbashkët i Punës mbi Aktivitetet Audituese). Të bindur se nga bashkëpunimi përfitojmë të gjithë, Kontrolli i Lartë i Shtetit shpreh të gjitha falenderimet jo vetëm për SNAO-n dhe ECA-n si drejtues të këtij projekti, por dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor pjesëmarrës në këtë projekt, me të cilat ka patur një bashkëpunim të ngushtë e të frytshëm përgjatë këtyre dy viteve në Projektin PPA II. 
Aulent Guri

Kryeauditues në Departamentin e Auditimit të Performancës, KLSH
Sigal