Atje kur dikur këndonte bilbili sot këndon kukuvajka

1655
Bardhyl Berberi 

Ne sot nuk e dimë se si e kemi atdheun, nuk jemi anës lumenjve por shumë larg. Lumenjtë i kemi bërë HEC nga tërë anët edhe disa lumenj që kanë mbetur po i thajmë madje, ndërsa fushat e gjëra me lule e me lisa të lartë nuk i shohim më në atdheun tonë. Dikur në Mokër ka pasur dy rezervuar të mëdhenj të Mujazës njëri me 5 milionë kub dhe tjetri me 3,5 milionë metër kub. Në mes të ditësh shkuan hajdutë thyen sifonet derdhën dy rezervuarët grabitën peshkun që ndodhej aty dhe më pas vodhën dhe të gjitha tubacionet dhe i shiten për skrap …Sot gati 20 fshatra të Mokrës së Sipërme kanë ngelur pa ujitje me toka djerr… Djemtë mokrarë që dikur quheshin Qëndrim apo Mbarim janë konvertuar me emra grekë dhe shkojnë dhe ruajnë tufat e dhive në Greqi. Dhia e famshme Caporja e Mokrës me atë rendimente rekord në qumësht nuk ka ngelur as për mostër, të gjitha malet me lisa janë duke u prerë dhe tokat janë mbjellë me hashash. Nuk këndojnë më bilbilat dhe zogjtë por vetëm kukuvajkat në orët e vona të mbrëmjes. Nuk blegërojnë më qengjat dhe zëri i bilbilit nuk jehon nëpër livadhe, dhe lugjet e verdha, por Qyqja ja ka filluar të vajtojë… Korbat krokasin nëpër degët e trungjeve me rrënjët e kalbura në dhe dhe hanë mbeturinat e ndonjë bagëtie që kanë shqyer ujqit. Vaji i Bilbilit me mall mundohet të na kujtojë, se jemi në Atdheun e transformuar si mos më keq. Ku janë ata kroje të argjendta, vendi është transformuar si mos më keq. Mjalti i famshëm i Mokrës me nektar lulesh erëmira nëpër lugje dhe kodrina të sjell aromën e kanabisit. Bletët nuk kanë se ku të shkojnë ato marrin nektar nga lulet e kanabisit marjuhanës. Djemtë tanë si azganë sot punojnë në vendet e huaja! Të mërguarit, vendlindjen e kanë shëmtuar: Qindra shtëpi me dry dhe oxhaqe që nuk lëshojnë tym. Shkollat janë mbyllur në shumë fshatra si në Zëmcë, Llëngë etj, sepse nuk ka fëmijë. Rrallë sheh ndonjë të moshuar nëpër pragje portash duke tymosur duhan. Pa dashur m’u kujtua emri i fshatit Slabinjë në Mokër. Thuhet në formën e një legjende, se disa luftëtarë po vinin nga larg dhe qëndrojnë për të pirë ujë pranë një kroi. Aty ishte një plakë e vetmuar duke mbushur ujë. Ata e pyesin plakën se ku janë bijtë e këtij fshati dhe plaka u përgjigjet. “S`ka bij këtu”, nga kjo e ka marrë emrin fshati Slabinjë, S’ka bij… Dhe vërtet edhe sot Mokrës i mungojnë bijtë. Trishtimi si hije e stërzgjatur mbulon atë mjedis të zymtë me shtëpi të ndërtuara me gurë dhe të mbuluara me rrasa guri qëndrojnë si shkëmbinj të latuar nga erërat e forta në Mokër. Udhëheqësit tanë nuk çajnë kokë dhe ditë më ditë nga injoranca e tyre zhvillohen karvanët e mërgimtarëve, se në atdhe nuk ka bukë për gjithë ne. Këta politikanë hajdutë na e morën në qafë Atdheun,duke na e mbytur shpresën, ditë pas dite zgjaten hijet dhe trishtimi mbi nurin e Atdheut. Një kontradiktë e thellë midis një administrate të paaftë dhe mediokre dhe një niveli të lartë të intelektualëve shqiptarë të cilët përpëliten që të sjellin diçka progresive atdheut por nuk i lenë mediokrit ato kokat e vogla pa asnjë ide që kanë hipur nëpër karriget e mëdha. A do të vijnë në pushtet burra të ndershëm që ta drejtojnë Atdheun, pa skandale droge dhe korrupsioni? Më vjen mirë që një djalë nga Mokra një ushtarak i lartë që ka njohur vetëm suksese atje ku ka punuar është bërë prefekt i këtij qarku. Ne presim që të dalë tymi nga oxhaqet,e shtëpive mokrare dhe të fillojnë dasmat me zërin e Gajdes e tamburasë dhe shkollat të rimbushen me fëmijë. Të korruptuarit shesin hekurin e Mokrës drejt furrnaltave të Kavardacit në Maqedoni. Një fjalë e urtë thuhet në Mokër: “Debrova e bën Romën ndërsa Roma nuk e bën dot Debrovën” i konsideruar thesar për shtetin, rezervë shtetërore për “rast lufte”, që ruhej me kujdes në kohën e diktaturës u zbulua në nga vitet `50. Ky thesar me mineral hekuri të cilësisë së lartë që ndodhet nëpër kodra të mëdha sot ngarkohet në kamionë dhe shkon drejt furrnaltave të Maqedonisë në Kavardac. Me këtë hekur të cilësisë së lartë po mbushen xhepat e kontrabandistëve dhe pushtetarëve mostra që një ditë Vetingu duhet t`i çojë mbrapa hekurave. Banorët e varfër të Mokrës në këto fshatra gëlltitin urinë, pasi jetojnë mbi pasuri përrallore e megjithatë ata janë mes skamjes dhe pasigurisë së jetës. Sepse ata janë injoruar nga pushtetarët që iu grabitin çdo ditë pasuritë e tyre. “Ne nuk kemi se çfarë të bëjmë, thotë një i moshuar nga Mokra, – duhet të funksionojë shteti, përndryshe këto shushunja po na pinë gjakun dhe e vetmja gjë që kemi në dorë, është t’iu bojkotojmë dasmat e fëmijëve të tyre dhe varrimet e familjarëve, t`i lemë në vetminë e tyre dhe le të fryhen me para, por paratë para nderit dhe dinjitetit nuk kanë asnjë vlerë. Kjo klasë politike qenka pa cipë…” Po ku kanë cipë ata, që t`ju plasë…
Sigal