Atje ku çdo njeri mban përgjegjësi për funksionin që i është besuar

861
Gani ELEZI

Probleme të sigurisë e të mbrojtjes
Dje në emisionet e lajmeve dëgjova, se Komandanti Suprem i Forcave Bërthamore të SHBA, gjenerali John Huten, paska deklaruar se ai nuk do të zbatonte një urdhër të paligjshëm të presidentit amerikan,Trump, për të përdorur armët bërthamore. E ka bërë këtë deklaratë në një Forum Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, Kanada. Madje duke iu përgjigjur disa hamendjeve për aftësitë dhe përgjegjësinë, mbi të gjitha, frikësimeve se presidentit Trump, mund të urdhërojë përdorimin e armëve bërthamore, ai thotë tekstualisht: “….disa njerëz mendojnë se ne jemi budallenj. Por ne nuk jemi njerëz të trashë, ne mendojnë shumë për këto gjëra. Nëse ajo çfarë urdhëron presidenti është e paligjshme, unë do t’i them, zoti president kjo është e paligjshme.” Nuk dua të spjegoj në këtë shënim se çfarë rregullash ka në SHBA për përdorimin e armëve bërthamore. Si përdoren ato, si kundërpërgjigjen dhe si mund të përdoren për efekte parandaluese. Pavarësisht se çantën atomike dhe kodet e komandimit të armëve bërthamore i mban në dorë presidenti, atje ka një procedurë të caktuar se kur shkohet në këtë komandë dhe si zbatohet ajo. Dua të sjell në vëmendje se në SHBA,si edhe në vende të tjera ku shteti, të gjithë institucionet e tij, edhe FA, funksionojnë në bazë të rregullave të përcaktuara qartë, çdo funksionar nuk e ka të vështirë, nuk heziton të kundërshtojë edhe urdhërat e lidërshipit të vendit, deri edhe të presidentit, komandantit të përgjithshëm të FA. Kam shkruar më parë edhe për rastin e shefit të shtabit të ushtrisë së Francës, i cili në kushte të shkurtimit të fondeve për mbrojtjen dhe sigurinë, i paraqiti presidentit dorëheqjen, duke i kujtuar se me një buxhet të tillë, të pamjaftueshëm nuk mund të garantonte mbrojtjen e Francës. I tillë është edhe gjesti, paralajmërimi i komandantit suprem të forcave bërthamore të SHBA, gjeneralit John Huten, për të mos zbatuar një urdhër të paligjshëm të presidentit amerikan. Është çështje tjetër se në çfarë kushtesh është i ligjshëm apo i paligjshëm një urdhër i tillë. Kjo përcaktohet nga një sistem i tërë analize dhe vendimmarrjeje, për të cilat flet edhe John Huten. Duke shfletuar më shumë për këtë lajm gjeta edhe një fakt tjetër. Kongresi Amerikan, kongresmenët dhe senatorët jo njëherë janë interesuar për të mësuar, nëse presidenti Trump i ka aftësitë, e ka qetësinë, e ka frymën e bashkëpunimit me komandat përgjegjëse në lidhje me përgjegjësitë që ai ka si komandant i përgjithshëm i FA, sidomos për përdorimin e armëve bërthamore. Retorika dhe paralajmërimet që ka bërë ai në adresë të Koresë së Veriut në lidhje me kërcënimet e saj bërthamore, i ka frikësuar shumë amerikanët, jo vetëm legjislatorët, por edhe qytetarë të thjeshtë. Ata i friken një konflikti bërthamor, qofte edhe me një vend me kapacitete të pakta bërthamore si është Koreja e Veriut. Sido të jetë edhe kjo është një çështje që i takon Kongresit dhe qytetarëve amerikanë ta zgjidhin. Nga raste të tilla, siç kam përmendur shefin e shtabit të ushtrisë në Francë, dhe nga rasti i këtyre ditëve me gjeneralin e forcave bërthamore amerikane John Huten, unë dua të dal te realiteti i gjërave në Shqipëri. A e kanë zyrtarët e lartë të sigurisë e të mbrojtjes te ne përgjegjësinë, por edhe guximin për të kundërshtuar, për të mos zbatuar urdhëra të paligjshëm të eprorëve të tyre, të kryeministrit, të presidentit? Dhe për të kuptuar paligjshmërinë e tyre nuk është e zorshme. Mjafton të verifikohet se sa ligje, urdhëresa, komanda bien në kundërshtim me sigurinë dhe mbrojtjen e vendit tonë. Nuk ka nevojë që të ketë paligjëshmëri ta gjejmë vetëm në nene e në kërkesa të shkruara. Çdo urdhër apo vendim që i dobëson kapacitetet tona njerëzore dhe teknike të sigurisë e të mbrojtjes është i paligjshëm. Ligji themelor, Kushtetuta përcakton qartë se Forcat e Armatrosura të RSH përgjigjen për mbrojtje e integritetit territorial të vendit. Ata janë në gjendje të bëjnë analiza për situata, për projekte e për urdhëra të veçantë. Për gjatë këtyre 27 viteve asnjë nga kuadrot tona kryesore të FA dhe të organeve të sigurisë nuk e kanë bërë një gjë të tillë. U shkurtuan kapacitetet ushtarakë, njërëzore e teknikë deri në kufijtë e mosekzistencës dhe asnjë komandant njësie, asnjë drejtor drejtorie në MM, asnjë nga gjeneralët e pas 90-tës nuk kam dëgjuar ta kundërshtojë këtë politikë asgjësuese të këtyre kapaciteteve. U përdor ushtria kundër qytetarëve në jug të vendit në vitin 1997, asnjë komandant i lartë, as një drejtues në MM, asnjë gjeneral nuk doli hapur e ta kundërshtonte këtë urdhër. Përkundrazi shumë prej tyre u bënë pjesë, u bënë drejtues të trupave që marshuan kundër qytetarëve me të gjitha llojet e armëve e teknikës. Edhe me aviacion, edhe me LHL. U trajtuan oficerët në lirim dhe në rezervë në mënyrë më të parëndësishme poshtëruese dhe asnjë nga drejtuesit kryesorë të njësive ushtarake, të MM nuk guxoi të vihej kundër një politike të tillë, edhe pse i njëjti fat i priste edhe ata. Ka edhe shumë fakte të tilla për ta pranuar se lidërshipi ushtarak, i çdo niveli te ne, në Shqipëri, i është nënshtruar deri në servilosje politikës, jo politikës në interes të vendit, por politikës në interes të grupeve e klaneve të veçanta. Por një nuk mjafton pasiviteti, pa përgjegjshmëria, frika nga e ardhmja e lidershipit ushtarak, por kjo përgjegjshmëri i mungon edhe institucionit kryesor legjislativ, Kuvendit të Shqipërisë. Qofsha i gabuar, por unë asnjëherë, në asnjë rast nuk kam dëgjuar që në Kuvend, në grupe kuvendore, në komisione kuvendore, edhe në atë të mbrotjes dhe të sigurisë të bëhet një ”gjyq” i tillë. I ka apo nuk i ka kapacitetet presidenti i vendit të drejtojë, të komandojë FAI, i ka apo nuk i ka ministri i mbrojtjes i rradhës aftësitë, integritetin dhe përgjegjësitë për të drejtuar ushtrinë, mbrojtjen e vendit. Dhe nuk e kam fjalën për të nisur e pritur kontingjentet tona nga aksionet ndërkombëtare, për të çuar ushtrinë në emergjenca civile e në pastrim të rrugëve, plazheve, edhe këto të domosdoshme, por për të drejtuar ushtrinë në situata të emergjencave ushtarake, atëherë kur fjala peshon Rëndë. I ka apo nuk i ka drejtuesi i Shtabit të përgjithëshëm të FA aftësitë, integritetin, përgjegjësinë për të programuar planin e mbrojtjes së vendit dhe përgatitjen e ushtrisë për ta realizuar këtë PLAN. Duke thënë kështu nuk dua të mohoj sa është bërë deri tani. Nuk kam ndërmend të akuzoj emra e persona të veçantë. Flas për një trupë ushtarake, nga lidërshipi deri te efektivi më i vogël, deri te luftëtari, që duhet të jetë tepër, tepër serioz në detyrën, në misionin që i është besuar. Përgjegjësinë për ta realizuar besimin që i është dhënë nuk mund ta ndajë me asnjë tjetër. As fitoren, por veçanërisht dështimin nuk mund t’ia faturojë kërkujt tjetër. Prandaj, ndonjë herë edhe duhet të gjesh guximin të kundërshtosh. Të kundërshtosh edhe lidërshipin politik. Uroj që ushtarakët tanë të lartë ta gjejnë këtë guxim.
Sigal