Atë Nikolla Marku/Zoti Rama, si Kryeministër, mos kërkoni bekimin e agjentit grek Janullatos

507
Sigal

Kisha Ortodokse e Pavarur Kombëtare Shqiptarë, Shën Maria Elbasan

Zoti Kryeministër! Unë besoj se ju, nuk do të përsërisni gabimin historik ndaj Janullatosit, duke i afruar një agjenti të asfalisë greke dhe nazistëve grekë, respekt si Kryeministër. E ndjej si detyrë ndaj kauzës të Ortodoksisë së  Pavarur, por dhe si njeri i thjeshtë, të mbroj kombin Shqiptar nga çdo sulm apo dëshirë, për të zhdukur dhe tjetërsuar historinë e vërtetë. Pikërisht, për këtë arsye madhore, po ju kujtoj dhe njëherë se çfarë dëmi po ndodh ndaj kombit Shqiptar nga Anastas Janullatos, me një mision kundër Jugut të Shqipërisë dhe në tërësi ndaj kombit Shqiptar.

Zoti Rama. Ju e dini shumë mirë se Shqipëria nuk ka vetëm rilindas ndër shekuj, por ka dhe martirë, që për çështje jetike të atdheut dhe kombit janë sakrifikuar me jetën e tyre. Si mund të lutem përpara altarit të Kishës për  Kristo Negovanin, Dhaskal Todhrin, Petro Luarasin, Fan Nolin, Visarjon Xhuvanin etj, kur në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare qëndron Anastas Janullatos, nipi i atyre që gatuan helm dhe gjak kundër martirëve ortodoksë shqiptarë, martirë që ëndrra e tyre ishte, që kisha të ishte e pavarur dhe të meshohej Shqip. Në fjalën tuaj në Shkodër, Ju përmendët priftin legjendar dom Simon Jubanin. Dikur në fillimet e demokracisë, ju keni patur marrëdhënie politike të një niveli shumë pozitiv me priftin Simon Jubani. Le t’i bëjmë një pyetje vetes sonë. Po të ishte gjallë dom Simon Jubani, çfarë qëndrimi do të mbante ndaj Janullatosit? Shumë të burgosur politikë që kanë jetuar me të në burg, kanë një konsideratë të lartë për të, se ky prift i pamposhtur ishte një atdhetar i pakompromis. Zoti Rama. Besoj se, kur bëhet fjalë për varreza të ushtrisë greke (varreze memorial), nuk është problemi për të respektuar djem nënash që kanë humbur jetën për atdheun e tyre, por për interpretime të dëshmorëve në Vorio-Epir. Një politikë e mirëfilltë me eshtra njerëzish, nuk njihet në historinë e njerëzimit, përveç  Janullatosit,  që frymëzon dhe mbështet plane fantazmash.  Ishte pikërisht Janullatos, që nuk organizoi asgjë për  100- vjetorin e Pavarësisë, sepse për të nuk ka Shqipëri të pavarur, por ka vetëm Vorio-Epir dhe Serbi. Besoj se ju e kuptoni se çfarë kuptimi ka, kur kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare mëshon greqisht dhe aq më tepër, në institucione ndërkombëtare flet greqisht, nënkuptimi është i qartë. Financimi dhe ndihma që jep për ndërtim kishash, një ditë do t’i paguajmë shtrenjtë, sepse asgjë në këtë botë nuk bëhet për hir të njeriut. Janullatos ka treguar se, pas financimeve vjen gjuha greke me imponim, ndryshimi i emrit, ndryshimi i kombësisë, përcaktimi i territorit aty ku nuk ka greke etnik, siç nuk janë etnik dhe grekët në disa fshatra të Shqipërisë. Zoti Rama. Anastas Janullatos asnjëherë nuk ka ndihmuar kur kanë ndodhur spastrime të refugjatëve shqiptarë nga Greqia. Ai kurrë nuk bisedoi me kishën serbe,  që ajo të heqë dorë nga spastrimet etnike dhe konfliktet artificiale që mbjell në Mitrovicë e gjetkë. Iu kërkua një meshë për viktimat e genocidit grek ndaj shqiptarëve etnikë të Çamërisë, por Janullatos nuk e mbajti. Për çfarë është ky njeri në Shqipëri?  Për të na ndihmuar? Veprimtaria e tij është tregues i qartë i misionit Vorio-Epir.  Sigurisht që e mbështet organizata agjenture Omonia dhe politikani me “kulturë” dhe i “edukuar” me thikë pas shpine, Vangjel Dule. Zoti Rama. Jam koshient për përgjegjësinë tuaj ndaj këtyre emrave, si dhe për ekuilibrat që të dikton koha, ekuilibra që kërkojnë  të ruash dhe të mbash për një Ballkan në paqe dhe harmoni. Anastas Janullatos ka pas vetes shtetin grek, kaq të përkëdhelur nga Anglo-sanksonët. Një mushkonjë ta pickojë në Shqipëri Janullatosin dhe shteti grek e kthen në predhë kundër lirisë e broçkullave hipokrite, që përdorin kundër vendit tonë. Zoti  Rama. Kur ju, të votoheni në Parlament, si Kryeministër, injorojeni prezencën e Janullatosit, si klerik i fesë. Janullatos vetëm njollos veprimtaritë e shtetit dhe institucioneve shqiptare me prezencën e tij. Aty ku ndodhet ai, është prezente asfalia greke dhe kriminelët e Vorio-Epirit. Mos pranoni bekim nga Anastas Janullatos, sepse do të njollosni amanetin e heronjve të kombit shqiptar, por dhe do t’i vini qeverisë tuaj një dyshim negativ për orientimin e saj qeverisës. Thjesht, zoti Rama, injorojeni Janullatosin, si njeri që misionit të tij anti- shqiptar dhe aspak fetar, i ka dalë boja përfundimisht. Besoj se filozofia e juaj, bazuar në rilindas, është një trup i tërë dhe jo një fragment i shkëputur nga e vërteta. Po, ne jemi për fqinjësi të shkëlqyer me popullin grek, por pa mbeturina të shovinizmit të çmendur Vorio-Epir dhe Janullatos.