Atdheu me interesat e tij qëndron mbi BE-në!

157
Nga Muharrem Xhafa
Greqia e ka vënë qeverinë shqiptare para një alternative të vështirë: ose te pranoje Marrëveshjen e Detit, nënshkruar nga Berisha, qofte duke i bere asaj edhe ndonje “modifikim”, pa i prekur thelbin, ose të presë të pranojë veton e Greqise në BE dhe Shqipëria të mos hapë këtë vit negociatat me BE-në! Thënë shqip, nê kembim të votës greke në BE, ju shqiptarë, ose pranoni të jepni tokë e det, dmth pjesë të atdheut tuaj, ose nuk do të ketë për Shqipërinë hapje të negociatave me BE-në!

Cilen alternativë do të zgjedhë qeveria e Shqipërisë? Ky eshtë problemi!

Greqia, si vend anëtar i BE-së, mund të vërë kushte e të kërcënojë Shqipërinë me përdorimin e vetos në BE, dmth të pengojë përkohësisht hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në! 

Kjo edhe mund të ndodhë! Po a do të guxojë Greqia të ndërmarrë një hap të tillë?! Unë them jo! 

Se pari, sepse Greqia nuk ka te drejte, diçka që qeveria greke e di mirë! Se Marreveshja e Greqisë me Qeverinë e Berishës është bërë fshehur dhe është hapur antikushtetuese! Ndaj Gjykata Kushtetuese e Shqiperisë e rrëzoi këtë Marrëveshje, se ishte e padrejtë, e paligjshme dhe në dëm të Shqiperisë e të popullit shqiptar! 

Së dyti, përveç sa thashë, Greqia nuk ka guximin të ndërmarrë një hap të tillë absurd edhe për faktin se vetë BE-ja, sado progreke (Greqisë i dha oksigjen per te mos ndodhur çfarë ndodhi me Anglinë), nuk do ta ketë të lehtë të mbështesë qendrimin grek, sepse eshtë në kundërshtim me të drejtēn ndërkombëtare!

Une nuk do të flas për shkeljet antikushtetuese të bëra nga qeveria “Berisha” në interes të palës greke, sepse kanë folur të tjerë me kompetencë, po dua te theksoj se Marreveshjes së Berishës, nese do t’i bëhet thjesht një “makiazh” apo do t’i vihen disa “arna”, kjo do të ishte dëshmi e qartë e “lojes” së fshehtë antikombëtare të Ramës me Berishën e me politikën greke, çka as e mendoj keshtu, as nuk do ta deshiroja te ishte keshtu e as nuk do ta mbeshtesja për asnjë “arsye”! 

Hapja e negociatave të Shqiperisë me BE-në nuk ka vlerë para Marrëveshjes së Detit! Madje, hapja e negociatave te Shqipërisë me BE-në nuk duhet kushtezuar hiç me Marreveshjen e Detit! Miratimi, qoftë edhe me disa arnime, i Marrëveshjes së nënshkruar nga Berisha, i vë vulën varësisë së Shqipërisë nga Greqia! Negociatat mund te hapen dhe ne fakt hapen edhe mē vonë, ndërsa Marrëveshja antikombëtare e Detit mbetet e çimentuar! 

Në fund të fundit, nëse BE-ja mbështet Greqinë në veton e saj, Shqiperisë nuk i duhet Bashkimi Europian! Atdheu me interesat e tij qendron mbi BE-në! Nje qëndrim te tille do të mbante çdo vend tjetër sovran i Europes! 

Prishja e Marrëveshjes së nenshkruar të Detit me Greqinë as nuk duhet të pengojë e as, në të vertetë, nuk ka fuqi te pengojë negociatat e Shqipërisë me BE-në! 

Nëse ndodh të përmbushet vullneti i Greqisë, ky do të jetë një argument më shumë për të thënë se BE-ja duhet të shpërndahet!
Më 24 shkurt 2018